Sot është e enjte 15/11/2018 21:30
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 3 postime ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: Aurel Verija - Zbuluesi i Talenteve Bardheblu
PostPostuar: e djelë 03/09/2006 15:46 
Site Admin
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e shtunë 06/12/2003 05:08
Poste: 5004
Vendndodhja: USA
Një vit pa "Mjeshtrin e Sportit", Aurel Verija

Imazh

Vera Verija: Si i shpëtoi internimit bashkëshorti im
[Tirana Observer 3 Shtator 2006]
Leonard KARAJ

Një nga pikat më të forta të Tiranës në vitet 1957-1966. Trajner i kombëtares së të rinjve nga 1983 deri në 1989. Zbuluesi më i mirë i talenteve të rinj në futbollin tonë dhe trajner i të rinjve bardhë-e-blu për më shumë se dy dekada. Fitues i Kupës së Shqipërisë më 1962-shin dhe dy herë fitues i kampionatit shqiptar më 1965 dhe 1966 me ekipin e Tiranës. "Mjeshtër i Sportit", titull i dhënë nga Presidenti që prej vitit 1990. Ky është njeriu fjalë pak e punë shumë, ai që i dedikoi gjithë jetën e tij futbollit, Aurel Verija. Një vit nga ndarja me miqtë, të afërmit dhe tifozët e tij, gazeta "Tirana Observer", në një intervistë me bashkëshorten Vera Verija ka zbuluar të vërteta e pathëna të mjeshtrit të madh, Aurel Verija. Pse u largua shumë shpejt nga Tirana si futbollist? Pse drejtoi vetëm ekipet e të rinjve? Si i shpëtoi internimit nga regjimi komunist? Martesa e përfolur me Vera Verijan? Këto dhe enigma të tjera mbi jetën e Aurel Verisë, u jepen përgjigje më poshtë në bisedën me zonjën Vera Verija.

Aurel Veria ka pasur një jetë të gjatë si trajner, por ka luajtur shumë pak si futbollist tek Tirana...
Po, Aureli ka luajtur tek skuadra e Tiranës, asokohe quhej 17 Nëntori, që nga viti 1956 deri në vitin 1966. Madje në vitin 1956 ishte ende tek skuadra e të rinjve të Tiranës dhe vetëm një vit më vonë kaloi tek skuadra e parë. Me Tiranën arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë më 1962-shin dhe siç tregonte ai ka qenë vërtet një gëzim i madh për futbollistët e Tiranës, pasi në ato vite ishin kohët e arta të Partizanit dhe Dinamos, të cilat fitonit si kampionatin dhe kupën. Më pas mundi të fitonte edhe dy vjet rresht kampionatin më 1965 dhe 1966. Pas këtij trofeu u largua nga Tirana si futbollist për probleme më së shumti familjare.
Cilat ishin këto probleme? A mund të na thoni?
Po ja, gjoja Aureli kishte një xhaxha që ishte larguar jashtë vendit gjatë Luftës dhe familja e tij shihej ndryshe nga drejtuesit e Partisë në atë kohë. Madje edhe ato pak herë që pati dalë jashtë shtetit, pati pasur shumë probleme për marrjen e vizës. Madje nga viti 1970 deri në vitin 1973 e patën larguar nga Tirana për në Zallherr si mësues fizkulture vetëm nga kjo damkë që kishte në familjen e tij. Por gjithsesi, besoj se gjërat do të kishin shkuar edhe më keq për të në rast se nuk do të ishte martuar më mua.
Përse?
Sepse unë vija nga një familje shumë e nderuar për atë kohë. Babai im, Besim Hamdiu (Qorri), ishte një nga drejtuesit e kolegjiumit të arbitrave, përgjegjës i stadiumit "Qemal Stafa", arbitër i UEFA-s dhe kishte shumë reputacion.
Kur jeni njohur me bashkëshortin tuaj?
Jam njohur me Aurelin më 1964-n. Unë isha vetëm 15 vjeç, ndërsa ai ishte 25 vjeç. Përveç diferencës së moshës, ishte fakti se ai ishte ortodoks dhe unë isha myslimane, dhe kjo gjë tingëllonte shumë keq për kohën. Kështu që unë u detyrova të largohesha nga familja ime dhe në një farë mënyre le të themi se u martuam "me zor", pa pëlqimin e familjeve tona. Por e rëndësishme ishte se ne duheshim shumë me njëri-tjetrin. Pra, fakti se Aureli u martua me një vajzë që vinte nga një familje me reputacion le të themi se e shpëtoi mbase edhe nga internimi siç bëhej në atë kohë.
Pas kthimit sërish në Tiranë, ai vazhdoi përsëri të drejtonte të rinjtë e Tiranës...
Po, më 1975, përveç mësimdhënies si mësues fizkulture në shkollën "7 Marsi", ai ishte edhe trajner i të rinjve të Tiranës, punë që e kishte bërë edhe gjatë viteve '66-'70. Pastaj, më 1983-shin mori drejtimin ekipit kombëtar të të rinjve deri më 1989-n. Dhe nga 1990 e deri në fund, pra 1994-n u kthye sërish tek Tirana.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Aurel Verija ka drejtuar vetëm ekipet e të rinjve, përse pikërisht vetëm këta të fundit? Përse nuk ka marrë ndonjë skuadër ose ekipin përfaqësues?
E para dhe më e rëndësishmja, mendoj se ka qenë fakti se Aureli ishte i lindur për të zbuluar talentet e rinj në futboll. Askush si ai nuk ka nxjerrë kaq shumë të rinj në këtë sport. Askush si ai nuk pati krijuar një kartelë të veçantë për çdo futbollist që merrte në dorë. Askush si ai nuk mund të të jepte brenda një seance stërvitore se cili ishte i prerë për t'u bërë futbollist dhe cili nuk kishte fare të bënte me futbollin. Pra, kishte talent për këtë gjë, prandaj i jepnin vetëm skuadrat e të rinjve. E dyta, ai ishte specializuar për futbollin e të rinjve në Rusi dhe gjatë gjithë kohës lexonte literaturë të huaj, sidomos ruse. Dhe e fundit, njolla që kishte në biografi, sipas regjimit të atëhershëm, nuk përtypej aq kollaj.
Po pas viteve '90?
Pas ardhjes së demokracisë, i vetmi si të thuash ngushëllim ishte titulli "Mjeshtër i Sportit". Gjithsesi Aureli, ishte një person që e donte sportin dhe i dedikoi gjithë jetën. Edhe pse gjatë gjithë kohës ka jetuar me frikën se "ja erdhën dhe më morën tani, ja erdhën e më morën më vonë", vetëm sepse kishte një xhaxha që ishte larguar jashtë shtetit. Përveç kësaj, ai ka bërë një jetë shumë të bukur deri në fund. Madje edhe kur ndërroi jetë nuk vuajti nga një sëmundje. Iku ashtu, nga një moment në tjetrin. Eci me këmbët e veta deri në fund, pa u ankuar për asnjë gjë. Ky ishte Aurel Verija.

Aurel Verija

Emri: Aurel; Mbiemri: Verija; Datëlindja: 10/02/1939; Vendlindja: Tiranë; Shtetësia: Shqiptare; Data e vdekjes: 10/08/2005
Titujt: 1964-1965, Kampion i Shqipërisë me Tiranën
1965-1966, Kampion i Shqipërisë me Tiranën
1962, Fitues i Kupës së Shqipërisë me Tiranën
1990 merr titullin "Mjeshtër i Sportit"

1956-1966, Tirana (si futbollist)
1966-1970, trajner i të rinjtë të Tiranës
1973-1980, trajner i të rinjve të Tiranës
1980-1983, shef i katedrës së shkollës së futbollit, Tiranë 1983-1989, trajner i të kombëtares së të rinjve (U-19) 1990-1994, trajner i të rinjve të skuadrës së Tiranës

Talentet qe kane dale nga dora e Aurel Verise

Sipas bashkëshortes së tij, Vera Verija, Aureli kishte lindur për të qenë një zbulues talentesh. "Ai ishte padiskutim ndër trajnerët më të mirë për sa i përket futbollistëve të rinj. Dinte të jepte që në shikim të parë se cili mund të ishte një futbollist i mirë dhe cili nuk ishte për këtë sport", thotë Vera Verija. Disa nga talentet që kanë dalë nga dora e Aurel Verisë janë: Shkëlqim Muça, Agustin Kola, Tit Dibra, Skënder Hodja, Krenar Alimehmeti, Arjan Xhumba, Agron Reçi, Mirel Josa, e deri tek ish-kapiteni kuqezi, Rudi Vata.


Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e djelë 08/10/2006 11:55 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e mërkurë 15/10/2003 19:32
Poste: 6328
Vendndodhja: Tironë. Shqipni
Urnoni ene nji artikull per nji zbulus tjeter, Xhavit Demnerin:

Xhavit Demneri: Profesori pa diplomë

Sado të shkruash dhe të flasësh për të, gjithmonë do të lesh gjëra pa thënë, për ato që bëri dhe ato që nuk e lanë t'i bënte... Profesori i pashkollë u ngjit në katedrën e dekanit, duke i detyruar të gjithë të njohin dhe të liçensohen në "Koverçianon" e tij...

Imazh

Demneri: Profesori pa diplomë

Kurrë nuk kisha menduar që të shkruaja kaq shpejt në vetën e parë. Gjithmonë kam qenë i idesë, se kjo do të më lejohej vetëm pas shumë dekadash dhe vitesh pune. Por nuk mund të lija në harresë disa fakte që lidhin ndoshta edhe qënien time në këtë profesion, apo dëshirën e madhe për futbollin, me emrin e të madhit Xhavit Demneri. Në moshë fare të vogël, kur të gjithë flisnin për këtë lojë, në rrethin tim familjar ajo identifikohej vetëm me një emër, Xhavit Demnerin. Më pas kur fillova të mendoj për të goditur topin (me dëshirën e madhe të fëmijës për t'u bërë futbollist), i vetmi emër që dëgjoja ishte po ai, madje i ngritur në kufinjtë e legjendës (në atë kohë e kishin larguar nga futbolli). Në vitin 1991, kam përgatitur një rubrikë të shkurtër televizive me emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe ajo ka filluar me Xhavit Demnerin. E quaj veten me fat që kam bërë diçka për të, sepse jo gjithmonë të qëllon të flasësh dhe shkruash për më të mëdhenjtë e lojës së topit të rrumbullakët. Në qoftë se ndonjëherë do të krijohej në futbollin shqiptar "Klubi i të mëdhenjve", Demneri sigurisht që do të kishte një ndër poltronat kryesore. Edhe sot kur shkruaj këto radhë e quaj veten fatlum që shorti më qëlloi mua të bëj profilin e tij, profilin e një gjigani të madh të panikës shqiptare.

T'i thuash dikujt në botë, qoftë specialist, gazetar apo profesor futbolli, se krijuesi i shkollës së seleksionerit në Shqipëri, njeriu që ka përgatitur qindra futbollistë nuk ka qenë gjë tjetër vetëm një zanatçi i thjeshtë, sigurisht që do të befasohej. Dhe është e kuptueshme. Por, Demneri ia arriti t'i kapërcejë të gjitha me durim dhe këmbëngulje. Dy qenë vetitë e mëdha që e bënë të ecë përpara, pasioni dhe nuhatja. Të shkrira në një njeri i cili në gjithë jetën e tij i është falur dy gjërave, pasionit dhe kuranit, ato krijuan profesorin e parë të shkollës përgatitëse shqiptare. Në qoftë se arti i trainerit në Shqipëri, ka disa identitete, arti i seleksionerit ka vetëm një emër Xhavit Demneri. Tirana, rrugët dhe fushat e saj të pakta, ishin të parat vende ku ai mësoi të luante futboll. Deri përpara çlirimit, ai llogaritej si një nga forcat më të afta të Tiranës së asaj kohe. Në 1946, është anëtar i skuadrës kombëtare që arriti suksesin e saj të parë, duke u shpallur kampone e Ballkanit. Demneri, u dëmtua dhe u aktivizua vetëm në një ndeshje, por emri i tij mbeti në librin e artë të këtij evenimenti. Më pas është një ndër krijuesit e Partizanit të parë, së bashku me specialistë dhe futbollistë të tjerë. Edhe pak vite futboll dhe Demneri ulet në pankinën e drejtuesit. Tirana është skuadra e preferuar dhe fusha e "Ali Demit", vendi kur për shumë vite me rradhë ai derdhi djersën e tij për përgatitjen e qindra futbollistëve, me skuadrën e të rinjve. Breza të tërë lojtarësh dhe tifozësh, mbajnë mend kuarjon, pasionin, punën këmbëngulëse dhe përpjekjet e tij, për afirmimin e emrave në futbollin shqiptar. Kokëulur dhe këmbëngulës, i pafjalë dhe i rreptë, Demneri mbeti për vite të tëra shtylla e përgatitjes së futbollistëve për skuadrën bardheblu dhe për futbollin kombëtar.Elementët më të thjeshtë të futbollit, për emrat më të shquar të Shqipërisë janë mësuar pikërisht prej profesor Xhavitit. Në këtë pikë ai është i paharrueshëm nga të gjithë, siç ndodh gjithmonë me mësuesin e klasës së parë, i cili ngulitet në kujtesën e njeriut dhe shqitet prej saj vetëm kur ajo (kujtesa) bëhet inegzistente. "A-B-C" e tij u është ngulur në kokë të gjithëve dhe nuk është harruar për tërë jetën. Këshillat e tij për përgatitje, për elementë të veçantë teknikë, për mënyrën e lojës, e deri tek sjellja me publikun, kanë qenë leksionet e para për këdo që i kishte hyrë kësaj rruge, si për ata që nuk arritën dot të godasin topin me skuadrën e të rriturve edhe për të tjerët që veshën për shumë vite uniformën kuqezi të skuadrës kombëtare të Shqipërisë. Nga "leksionet" e tij u krijua edhe shkolla e parë e trainerëve të moshave, shkollë që erdhi duke u bërë dalëngadalë universitet, madje kualitativ. Eshtë fatkeqësi, që prej tyre kanë mbetur vetëm ato shprehjet që trainerët e sotëm i shoqërojnë gjithmonë me pasthënien "kështu thoshte Xhavit Demneri" dhe asgjë tjetër. Ai arritne të dallonte tek njeriu i zakonshëm talentin e rrallë, tek ai që mendonte se ishte i aftë për mbrojtje, sulmuesin e shpejtë dhe tek portieri golëshnuesin e aftë. Njeriu që paradite priste xhama në një dyqan të thjeshtë në pazarin e ri, pasdite zgjidhte dhe përgatiste ajkën e futbollit shqiptar. "Ky djali që pe t'i është tepër i talentuar, por ka qejf të luajë portier. Unë do ta bëj sulmues, madje shumë të mirë"- i thoshte Demneri një ditë një kolegut të tij të volejbollit Harun Dojakës, gjatë një bisede në dyqan. Dhe ashtu ndodhi. Nga ai "djaloshi" që donte të mbronte portën, lindi Panajot Pano i madh, që trondiste stadiumet shqiptare. E sa e sa të tjerë. Deri Stavri Lubonjën, Vason, Gjylin e plot futbollistë të tjerë që luajtën anekënd Shqipërisë. Por kapitulli i tij më i shkëlqyer në karrierë është krijimi i skuadrës së madhe të viteve 1964-1970. Ajo Tiranë e paharruar, me emra të mëdhenj, që më pas mori famë edhe jashtë Shqipërisë, kishte kaluar nëpër duart e profesor Xhavitit. Dhe ishin të gjithë të mëdhenj, madje disa prej tyre të pakrahasueshëm. Tafaj, Kasmi, Halili, Bylyku, vëllezërit Mema, Xhaçka, Hyka, Bukoviku, Bytyçi, Ishka etj. qenë njerëzit që i dhanë një moment kulmor futbollit shqiptar, që u mbajt mend gjatë. Nga këshillat e tij, nga stërvitja, pra nga "Universiteti-Demneri", plot 58 futbollistë kanë veshur uniformën e skuadrës kombëtare të Shqipërisë. Një shifër e tillë është tronditëse edhe për Koverçianon e famshme të Italisë. Dhe të mendosh se gjithçka kryhej me mjete të thjeshta dhe në kushte të vështira. "I pyesja lojtarët me shumë takt se ç'kishin ngrënë për drekë, sepse kishte mes tyre që vinin nga familje të varfra. Një të paushqyeri mirë nuk mund t'i jepje ngarkesën që merrnin të tjerët...". Për këto i duhej të kujdesej një traineri në Shqipëri. Asnjëherë nuk diti të kërkojë për vete. U largua (edhe e larguan), vetëm sepse nuk iu plotësuan disa kërkesa krejtësisht të thjeshta për skuadrën, si baza materiale, një gotë çaj pas ndeshjes, apo muri ku futbollistët mësonin të godisnin me të dyja këmbët. Në një mbledhje të zgjeruar ai i ripërsëriti kërkesat e tij duke shtuar edhe faktin se gjithçka binte në vesh të shurdhër. "Bëji fletërrufe profesor Xhaviti" (ishte koha kur moda e dacibaove kineze, filloi të mbushë muret e Shqipërisë) thirri dikush nga salla me shaka. Përgjigjia e Demnerit ishte e lodhur dhe e zgjuar: "Këta nuk dëgjojnë edhe po t'i bësh fletë-bubullimë". Dhe nuk e dëgjuan vërtet. Dhe ai iku, la dashurinë e tij të madhe, la katedrën që e krijoi vetë, la pasionin që e mbajti për shumë vite në këmbë dhe u tërhoq. Nuk u ankua kurrë, nuk kërkoi. I bindur për atë që kish bërë dhe atë që e penguan ta bënte, u tërhoq mënjanë i rrethuar gjithmonë nga respekti i dashamirësve dhe familjes, duke patur në mend fjalën e madhe të birit të zotit: "Fali o Atë se nuk dinë ç'bëjnë". Eshtë banale por sinjifikative të përmendësh se pas luftës e deri në vitet '90, asnjëherë nuk i krijuan mundësinë të udhëtonte jashtë shtetit, jo se kishte nevojë por vetëm për satisfaksion. Dhe të mendosh kishte punuar si rrallëkush dhe ishte djersitur mjaft për t'i nxjerrë të tjerët në fushën e madhe të futbollit. Ai iku, por djersa e tij mbeti aty në fushën e thjeshtë të "Ali Demit", futbollistët e tij u bënë të mëdhenj dhe askush nuk harroi të thoshte: kam dalë nga shkolla e Xhavit Demnerit. Në të vërtetë ai nuk kishte ikur, nuk mund të ikte, ai u tërhoq përkohësisht duke lënë atë emër të madh. Ashtu si edhe të premten, kur i tha kësaj bote, Lamtumirë!

Sado të shkruash dhe flasësh për të gjithmonë do të lesh gjëra pa thënë, për ato që bëri dhe ato që s'e lanë t'i bënte...

Profesori i pashkollë u ngjit në katedrën e dekanit duke i detyruar të gjithë të njohin dhe liçensohen në "Koverçianon" e tij.

Tritan Kokona

nga albania-sport.com



_________________
TIRONA FANATICS
ImazhImazh
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e shtunë 23/06/2007 21:08 
Historia e pambarimtë e një fanelleje emblematike në sportet shqiptare
(Marre nga libri i Bedri Alimehmetit)


Gjerdan suksesesh bardheblu / SK Tirana krenari e sportit

Pak muaj kishin kaluar nga 11 shkurti 1920, ku në Kongresin historik të Lushnjes qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina mori vendim për shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, kur më 16 gusht 1920 u themelua Sport Klub Tirana. Kështu në këtë datë historike për sportin shqiptar, në kryeqytetin më të ri të kontinentit të vjetër, ku sapo kishin nisur të fuksiononin institucionet e para të shtetit shqiptar, u shtua edhe një institucion kulturor sportiv, prania e të cilit ndoshta qe në mënyrë krejt të rastësishme, por që gjithsesi shumë shpejt u konstatua domosdoshmëria e tij.

Gjithsesi, edhe pse data 16 gusht 1920 në shekullin e kaluar shënoi fillimin e funksionimit të një klubi sportiv, ajo kurrsesi nuk shënonte zanafillën e zhvillimit të sporteve në Tiranë. "Rrënjët" e ushtrimit të sporteve në Tiranë ishin shumë vite më thellë se përpara kësaj date. Nëpër lagjet "Abdulla Bej, "Sulejman Pasha", "Ali Efendi" ejt, të Tiranës së fillmshekullit të kaluar, në sheshet pranë xhamive, teqeve, shkollave e sidomos në kopshtet e shumë prej familjeve të nderuara tiranase si: Petrela, Lleshi, Kokonozi, Alimehmeti, Qorrali, Kika, Qyqja, Xhafa etj, siperfaqe të tëra nga kopshtet e tyre i linin pa punuar enkas, për t'u argëtuar e ushtruar gjatë kohës së lirë në lloje të ndryshme sporti djemtë e tyre të talentuar.

Shumë nga këta djem falë përkujdesjes së prindërve, studionin nëpër universitet europiane, kur ktheheshin me pushime, sillnin gjithnjë të rejat më të fundit të sporteve dhe lojrave, që ushtroheshin në vendet ku studionin. Kështu, gradualisht pas kësaj themelimi i klubit Tirana erdhi si një domosdoshmëri krejt e natyrshme, e pasionit të të rinjve tiranas për t'u marrë me sport, të cilët deri në atë kohë ishin inkuadruar nëpër shoqata me emra domethënës si "Djelmënia", "Naim Frashëri", "Vaso Pasho" etj, të cilëve u lindi dëshira për t'u bashkuar në një klub.

Dhe kjo ndodhi më 16 gusht 1920, kur një grup intelektualësh tiranas, si Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Selman Stërmasi, Adem Karapici, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj etj, të mbledhur në një nga sallat e muzeut të atëhershëm (ku sot gjendet biblioteka e vjetër e Tiranës), formuan Sport Klub Tirana.

Pas këtij akti, u hartua programi dhe statuti dhe u caktua emblema, që i kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. U caktuan kuotizacionet e antarëve. Shumë familje tiranase, sidomos tregtarë, derdhën të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit. Në një mbledhje tjetër të kryesisë, iu kërkua shkresërisht bashkisë, madje kryeministrit të asaj kohe leja për caktimin e një sheshi, ku Sport Klubi të ushtronte normalisht aktivitetet e veta sportive.

Interesimi i vetë kryetarit të bashkisë së asaj kohe, Fuat Toptani, bëri të mundur dhënien me qira të truallit në Shallvare, një fushë ideale, që kishte për fatin e mirë një drenazhim natyral (për fat të keq deri më sot, në atë vend diku në afërsi të parkut "Rinia", tek pallatet "Shallvare" nuk është vënë të paktën një pllakë përkujtimore, ku ta mësonin brezat e rinj që në shekullin e kaluar në Tiranë, më së pari futbolli e të gjithë sportet e tjera atletika, basketbolli, volejbolli etj, kanë nisur të luhen në truallin, ku janë sot këto lulishte apo bare, ku ata kalojnë kohën e lirë), ku fillimisht, në një nga ndarjet e kafenesë së Tut Mezinit, mblidhej kryesia e Sport Klubit.

Më vonë, u muar me qira njëra nga dhomat e shtëpisë së një banori, aty në afërsi të Shallvareve, e cila u përdor për zhveshjen e futbollistëve. Teksa pusi në oborrin e shtëpisë shërbente për t'u larë pas stërvitjeve e ndeshjeve. Këto ishin fillimet.

Më pas, Shallvarja edhe u rrethua me dërrasa, u ndërtua pista e atletikës me katër korsi, gropa e kërcimeve etj. Madje, kampionët e parë sport klub Tirana i ka pikërisht në atletikë, në të parin kampionat kombëtar të zhvilluar në vitin 1929. Rekordet e bardhebluve në atë kohë, ato të Zabit Çokut në 100 m 11" 02 , të Abdyl Këllezit në 200 m 24" 1, të Isuf Dashit në 100 m/p 19", 8 etj, janë jo pak domethënës për kohën. Kurse skuadra e futbollit, e kushtëzuar nga mungesa e zhvillimit të kampionatit kombëtar, e kishte paksa të kufizuar veprimtarinë e saj, vetëm në takimet miqësore me skuadrën e Bashkimit Shkodran, Besën e Kavajës, Teutën e Durrësit etj, përshi këtu dhe ndonjë takim miqësor ndërkombëtar me ekipin e Cetinjës së Malit të Zi etj.

Disa nga djemtë tiranas njëherësh edhe sportistë të talentuar si Selman Stërmasi, Adem Karapici etj, studjuan në Itali enkas për fiskulturë e sporte, falë kujdesit të të cilëve u futën për herë të parë rregulloret e lojrave e të gjykimeve.

Ndërkohë, shpesh tregtarët tiranas organizonin veprimtari midis shoqërive sportive, që Tirana i kishte të shumta jo vetëm nëpër lagje, por edhe në rrugica, siç bënin dhe orëndreqësit e njohur Tufina, që organizonin herë pas here kupën "Tufina". Fituesit, veç trofeut, fitonin edhe nga një orë dore të markës "Longines". Kështu vepronte edhe familja Gjinali. Veç kupës, futbollistët vishnin edhe nga një kostum të cilësisë së lartë "Marcotto". Dalloheshin shumë në këto veprimtari shoqëritë "Agimi", "Moisi Golemi", "Kont Urani", etj.

Krijimi i FSHF më 1930 bëri të mundur edhe organizimin e të parit kampionat kombëtar në futboll. Pra, njerëz të tillë, pasionantë dhe dashamirës për ngjyrat e qytetit të tyre, bënë gjithçka, dhanë sa mundën, derdhën djersë e mund, duke shkrirë deri edhe pasuritë e tyre, që emri i Sport Klub Tirana të lartohej gjithnjë e më shumë. Pse ishte primar ky përkushtim, shumë shpejt sportistët e klubit nisën të shkruajnë emrat e tyre në listat e rekordmenëve, kampionëve e fituesve në mjaft veprimtari kombëtare.

Nis kështu trajektorja e inkandeshencës së yjeve të klubit bardheblu, vezullimi i së cilës në qiellin shqiptar, përmbi tetëdhjetëpesë vite me radhë, nuk do të rreshtë së përjetësuari, në hapësirën e tejskajshme të saj, emrat e sportistëve cilësorë të këtij klubi, sukseset e panumurta dhe trofetë e fituara. Gjithnjë e më shumë emra të mëdhenj, figura të nderuara e të respektuara të sportit shqiptar, rekordmenë e kampionë të vendit, të Ballkanit e të Europës e kanë pasuruar dhe vijojnë ende ta bëjnë të tillë, librin e Artë të Sport Klub Tirana. Janë pikërisht këto figura, si edhe dhjetra e qindra të tjerë, që me punën e pasionin e tyre të jashtëzakonshëm, talentin dhe dashurinë e madhe për sportin e ngritën dhe e mbajtën kurdoherë lart emrin e madh të klubit kryeqytetas.

Padyshim, të pandarë nga këto suksese janë së pari emrat e sa e sa presidentëve e sponsorëve, që kontribuan e po vijojnë të kontribojnë financiarisht për klubin si dhe emrat e trajnerëve, seleksionerëve, që qëmtuan me kujdes shesheve, rrugicave, shkollave e fushave sportive, breza të tërë sportistësh, të cilët arritën të mbajnë mbi shpatulla me dinjitet fanellën bardheblu të një klubi të madh si Tirana.

Në këto suksese, i pandarë është edhe kontributi i dhjetra drejtuesve, administratorëve e punonjësve të klubit ndër vite. Por, ky gjerdan i pafundmë suksesesh bardheblu, nuk do të ishte kurrsesi i të tilla përmasave, pa mbështetjen, duartrokitjet, thirrjet "Tirona-Tirona", entuziazmin, valëvitjen e flamujve, në ekstazat e dalldisë së fitoreve, të mijra sportdashësve, të cilët përjetësisht u janë bërë të pandashëm bardhebluve.

Dhe, pse ka patur dhe ka gjithnjë në gjirin e tij sportistë të tillë cilësorë, si askush tjetër, dhe një sportdashës të zjarrtë e të kulturuar, Sport Klub Tirana është një nga klubet më popullore në vendin tonë, madje pa dyshim krenaria e sportit shqiptar.


  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit për nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 3 postime ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 2 vizitorë


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek:  

cron