Sot është e djelë 22/04/2018 16:41
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 8 postime ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: Shyqyri Rreli, "Mjeshtëri i Madh" i futbollit
PostPostuar: e shtunë 30/12/2006 16:33 
Site Admin
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e shtunë 06/12/2003 05:08
Poste: 5004
Vendndodhja: USA
Urime presor Shyqit per titullin e ri...

Shyqyri Rreli, "Mjeshtëri i Madh" i futbollit
Aurel Celibashi


"Pasaporta" e Shyqyri Rrelit

Ditëlindja: 18.05.1930
Vendlindja: Tiranë
Roli në fushë: mbrojtës
Numri i fanellës: 3
Karriera si futbollist: Erzeni, sezoni 1948-1949. Tirana (Puna), sezoni 1949-1951. Dinamo, sezoni 1952-1962.
Gola të shënuar: 1 (Flamurtari-Dinamo 1-2, vitin 1953).
Trofetë e fituara: 4 tituj kampion dhe 4 Kupa të Shqipërisë (Dinamo).
Pjesëtar i ekipit kombëtar: 1955-1958 (kur trajner ka qenë Adem Karapici, më pas Loro Boriçi dhe Andrea Lukshinov).
Karriera si trajner: Trajner-futbollist me ekipin e moshave "Petro Nini Luarasi", në vitin 1961. Mësues i edukimit fizik. Trajner i klasave sportive. Pedagog i Mjeshtërisë së Lartë Sportive. Trajner-Pedagog me ekipin e Shkëndijës, fillimisht me të rinjtë në kategorinë e dytë dhe më pas në të parën. Trajner i Tiranës nga viti 1987-1990. Trajner dhe drejtor teknik i ekipit të sapoformuar, Albanët nga 1994-1998, duke dalë në vendin e dytë, në kategorinë e dytë. Konsulent dhe më pas trajner i Teutës në vitin 1993. Trajner i Shkumbinit për disa muaj në vitin 1996.
Trofetë e fituara si trajner: 2 tituj kampion me Tiranën.
Trajner i ekipit Shpresa: 1972-1982 (2 herë kampion ballkanik).
Trajner i ekipit kombëtar: 1982-1990.

Në fushën pedagogjike: Fillimisht ka botuar monografi, tekste mësimore dhe studime. Më pas ka botur librin "Përgatitja tekniko-taktike". "Përgatitja e futbollistit". "Metodat Studimore". "Metodat intervalore në përgatitjen e futbollistit". "Përgatitja e futbollistit nga mosha e vogël dhe deri në profesionalizëm". Së fundmi, dy libra të tjerë: "Tirana, personalite, shkenca" dhe "Tirana, personalite, sport".

Titujt e marrë: Mjeshtër i Sportit, Mjeshtër i Merituar, Trajner i Merituar, Nderi i Sportit Shqiptar, Nderi i Qytetit të Tiranës, Fisnikëria e Tiranës, Urdhri "Naim Frashëri", Medalje lufte si partizan dhe së fundi Mjeshtër i Madh, i dhënë me dekret nga ana e Presidentit Alfred Moisiu.


Futbolli shqiptar ndër vite ka nxjerrë shumë sportistë me cilësi dhe virtyte të mëdha, të cilët kanë kontribuar për ngritjen e cilësisë së kësaj loje magjike. Pa dyshim, një prej figurave që spikat me kontributin e tij të çmuar në futboll është Shyqyri Rreli. I lindur në një familje tiranase, te bulevardi "Zogu i Parë", me të ardhura të vogla, barra kryesor i ka takuar pikërisht Shyqyriut për të mbajtur pjesëtarët e tjerë të shtëpisë pas vdekjes së babait. Pasioni i Rrelit për futbollin ka qenë shumë i madh, sa që në moshë të vogël ka nisur të luajë fillimisht në lagje dhe më pas në fushat sportive me baltë të kryeqytetit. Fshehurazi nënës, por me mbështetjen e shokut të ngushtë, Nuri Metanit, dhe atij të skuadrës, Refik Resmjes, Shqyri Rreli do ta niste fillimisht karrierën si portier për shkak të shtatlartësisë trupore, për të përfunduar më pas si qendërmbrojtës. Ja se si i kujton ai fillimet e karrierës: "Futbollin e kam nisur si një pasion që i karakterizonte të gjithë bashkëmoshatarët e mi në atë periudhë. Më pëlqente shumë ky sport, por problemi im më i madh ishte nëna, e cila nuk dëshironte që të merresha me këtë punë, pasi kishte hall se dëmtohesha apo sëmuresha. Pavarësisht kërcënimeve të saj, i thosha vëllait më të vogël të mos tregonte se çfarë bëja. Do të duhej një dëmtim në buzë, i pësuar në ndeshjen Tirana-Skënderbeu, pas kontaktit fizik që pata me Aristidh Papadhopullin, që nëna të kuptonte të vërtetën, sepse vëllai foli me zë të lartë në shtëpi. Kaq duhej që unë më pas t'i tregoja të vërtetën asaj, duke u justifikuar se kisha dy vjet që luaja futboll, sepse ishte e vetmja kënaqësi që kisha pas lojës së bilardos dhe gjuetisë. Në atë periudhë, shpërblimi ynë për kontributin e dhënë në fushë ishte në marrjen e ndonjë kile gjalpë apo sheqer, të cilat kur i çova në shtëpi, nënës iu bë shumë qejfi. Përveç futbollit, në këtë periudhë unë bëja edhe një normë tjetër, pasi isha i detyruar të ndihmoja familjen pas humbjes së babait. E vërteta është se kushtet tona në futboll ishin të këqija, krahasuar me këto fusha që janë sot, ku na mungonte baza materiale. Dua të kujtoj se jo pak herë kam luajtur me këpucë që u kishin dalë gozhdët dhe ku thundrat bëheshin gjak, por këtë arsyetim nuk mund t'ia bënim të ditur trajnerit,"- tregon me keqardhje Shyqyri Rreli.

Gjatë 14 vjetëve si futbollist, ai ka përjetuar momente të bukura, por edhe të këqija. Rreli e quan veten me fat që ka pasur mundësi të luajë me dy nga skuadrat më në zë të kampionatit shqiptar, siç ishin asokohe Tirana dhe Dinamo. Kontributi i tij më i madh është me fanellën blu, kur thotë: "Dinamo në atë periudhë sapo ishte formuar, ku trajner kishim Zihni Gjinalin. Emocionet më të mëdha i kam pasur në ndeshjen e tretë ndaj Partizanit, ku stadiumi "Qemal Stafa" mbushej plot e përplot me tifozë nga të dy ekipet. Në rolin e mbrojtësit të fundit, pas vetes, kisha portierin Qemal Vogli, i cili gjithmonë më kërkonte të kapte topin e parë, me qëllim që t'i dilnin emocionet. Pasi e bëra një gjë të tillë, m'u duk edhe mua vetja sikur u çlirova nga kjo anë, kur ai më pas më tha që tani jam në një gjendje të shkëlqyer. Pa dyshim që në atë periudhë ka qenë një rivalitet mjaft i ashpër midis Dinamos dhe Partizanit, ndërkohë që Tirana ishte duke i ngritur si skuadër. Një moment që nuk do ta harroj kurrë ka qenë ndeshja me Tiranën, kur edhe pse ishim shpallur kampionë, në fund kemi humbur me rezultatin 4-2,"- kujton Shyqyri Rreli.

Detyra e trajnerit dhe ndërhyrjet nga lart
Nuk e ka pasur me shumë pasion detyrën e trajnerit, por Shyqyri Rreli është detyruar ta bëjë një gjë të tillë edhe nga rrethanat që ishin në atë periudhë. Mësuesi i tij i parë është i ndjeri Zihni Gjinali, që gjithmonë i thoshte: "Hajde, vëllai im, do ta provosh edhe ti detyrën e trajnerit".
Pasi e nisi karrierën me ekipet e shkollave, për të përfunduar te kombëtarja, trajneri Rreli bën të ditur: "Një impuls për të kryer detyrën e trajnerit ma ka dhënë Zihni Gjinali, që më mbante gjithmonë afër në skuadër. Për mua trajneri ka qenë si një prind i dytë dhe këtë doja ta përçoja edhe te futbollistët që drejtoja. Sukses të madh do të quaja përmbysjen e rezultatit që i bëmë në Tiranë ekipit të Rumanisë, kur drejtoja Shpresën. Pas humbjes 3-1 në Bukuresht, nuk kam vënë gjumë në sy për dy javë, derisa e përmbysëm këtë rezultat me një fitore të madhe 7-1. Gjatë gjithë kthimit nga Bukureshti në Tiranë me tren u kam komunikuar lojtarëve gabimet që bëmë, por edhe u injektova besimin për kualifikim, të cilin më pas e arritëm me meritë. Edhe vetë nuk u besoja syve për lojën e zhvilluar nga djemtë, a thua se u kisha dhënë të gjithëve doping. Një problem që kam pasur shpesh në periudhën kur kam drejtuar ekipin Shpresa dhe atë kombëtar, ishin ndërhyrjet nga lart. Pikërisht në ndeshjen me rumunët, kam arritur të kem ndërhyrje edhe nga ish-ministri i brendshëm, Feçor Shehu, për të aktivizuar futbollistin Ilir Përnaska, të cilit i kishte përfunduar mosha, por e kishim të drejtën ta mbanim në ekip. Pas kërcënimeve që pata, nuk u tundova aspak dhe në fushë hodha atë formacion që kisha menduar, teksa në fund u shpërbleva me fitimin e trofeut. Atë ditë, edhe Zoti ishte me mua. Nëse do të flas për ecurinë me ekipin kombëtar, nuk mund të harroj fitoren me Belgjikën 2-0, barazimin 0-0 me Poloninë, barazimin 0-0 me Greqinë, po në Tiranë. Meraku i vetëm ka qenë humbja 2-0 e pësuar në fushën e grekëve, ku kam dyshimet e mia për sa i takon asaj që u ndodhi djemve në fushë, ku edhe pse nuk kam prova, nga ana e futbollistëve më është komunikuar fakti se u është hedhur diçka e keqe në ushqim. Pavarësisht humbjeve, kemi zhvilluar ndeshje dinjitoze me Suedinë, me Belgjikën jashtë, por edhe me Irlandën e Veriut. Një gjë të cilën do ta theksoja shumë, ka të bëjë me faktin se kam qenë i pari që kam injektuar në ekipin kombëtar mentalitetin sulmues. Futbollistëve u thoja gjithmonë se duhej të mbronim duke sulmuar, ide të cilën vazhdoj ta jap edhe si recetë për trajnerët e sotëm. Në lidhje me lojtarët që nuk i kam afirmuar vetëm unë, por edhe kolegët që kanë punuar në ekipet e tyre, janë Agustin Kola, Arben Minga, Sulejman Mema, Sulejman Starova apo Astri Hafizi etj. Medin Zhegën e kam pasur asistent në kombëtare, kurse Aleko Pilikën tek ekipi Shpresa. Dua t'i falendëroj të gjithë për bashkëpunimin që kam pasur gjatë asaj periudhe, ku nuk dua të lë mënjanë as gazetarët, që i kam pasur në çdo kohë afër,"- shton më tej Shyqyri Rreli.

Mirel Josa, dhëndër pasi ishte në kombëtare
Ish-trajneri i kombëtares, Shyqyri Rreli, për "Sportin shqiptar" ka bërë publike edhe lidhjet e tij me Mirel Josën. "Eshtë dhëndri i vajzës sime, Brunildës. Lidhja mes tyre ka ardhur si rrjedhojë e njohjes në shkollë, ku sigurisht ka ndikuar edhe nëna e Mirelit, që ishte pedagoge, ndërkohë që ne nga ana jonë si familje e mirëpritëm këtë krushqi. Josa njihet për sjelljen e tij model në fushë dhe jashtë saj, kështu që jemi të kënaqur edhe pas kaq vitesh. Dy gocat e tij, Lorna dhe Klaudia, janë të shkëlqyera në sport, por edhe në mësime, madje e madhja ka edhe diplomë hendbolli, të marrë në Selanik. Për sa i takon vajzës tjetër time, Rudinës, ka një fëmijë, Sarën, dhe që të tri këto mbesa më japin shumë kënaqësi. Në këtë mes, nuk mund të harroj edhe bashkëshorten, që ka qenë gjithmonë pjesë e sakrificave të mia."

Futbolli i sotëm, në "skanerin" e Rrelit
Ndjek thuajse çdo ndeshje që luhet në stadiumet e kryeqytetit. Ish-trajneri i Tiranës dhe ekipit kombëtar, Shyqyri Rreli, nuk mund të mos bëjë krahasimin mes kohës së tij dhe kësaj të sotmes. "Futbolli është një shkencë në të stërvitur dhe në të luajtur. Vë re që kemi bërë progres në këtë drejtim, krahasuar me periudhën time si lojtar apo trajner si në aspektin tekniko-taktik, ashtu edhe në spektakël. Prodhohet lojë, por nuk ka shumë emocion për sportdashësit, sepse lojtarët, përveç të tjerave, duhet të vënë shpirtin në fushë. Tirana e ka karakteristikë një gjë të tillë, ndërkohë që Partizani e ka humbur vitet e fundit. Për Elbasanin, Teutën dhe Vllazninë do të thoja fjalë të mira. Ajo që më shqetëson më shumë, ka të bëjë me fenomenet e këqija që shfaqen rëndom, si dhuna apo fyerjet në kor. Sportdashësit tanë duhet të kuptojnë se bëhet fjalë vetëm për një lojë dhe nuk duhet të kopjojnë anët e këqija të futbollit botëror."
Dekorimi i Presidentit, një sadisfaksion i madh

"Emër i shquar i futbollit tiranas dhe shqiptar, si sportist dhe trajner, përfaqësues i spikatur i traditës sonë sportive, frymëzues për brezat e sportistëve të rinj". Këto fjalë kanë qenë të shkruara në dekorimin që Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka bërë disa ditë më parë Shyqyri Rrelit, si "Mjeshtër i Madh." Së bashku me të në fushën e sportit është dekoruar edhe Sabri Peqini, ndërkohë që pas këtij momenti të veçantë, të mërkurën Rreli organizoi një drekë festive me shumë të ftuar në ambientet e hotel "Tirana Internacional".


Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e martë 02/01/2007 18:22 
Valutë
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 01/09/2005 02:24
Poste: 491
Vendndodhja: USA
Me behet shume qejfi per Profesor Rrelin, trajner shume i suksesshem me Shpresat qe na ka nderuar jo pak here ne arenen nderkombetare. I dha Tiranes dy kampionate rresht ne '88 dhe '89, pas dy vjetesh abstinence. Rreli qetesoi shpirtrat e Benit, Agustinit dhe Mirelit dhe i vuri ne pune.

Mbaj mend qe ne 1987, para se te fillonte sezoni, Tirana beri nje miqesore me Dinamon. Dhe e fitoi 3-1.

Nje futbollist i Dinamos emrin e te cilit nuk dua ta them, po qe ishte nje nder futbollistet kryesore, qe ishte ne fushe ate dite, mu betua qe ate vit Tirana ishte superekip dhe do fitonte kampionatin. Ai kishte bindjen qe edhe sikur 24 ore ne fushe te rrinin, do rrifeshin nga Tirana.

Ishte ekipi qe sapo kishte marre ne dore Profesor Rreli.

Shyqi eshte njeri me vlera, zemer te madhe, ndershmeri te plote. Tiranas i vertete, krenari e qytetit dhe klubit tone. Urime dhe respekte!



_________________
TIRONA 2008-2009: KAMPIONE 27 HERE!!!!!
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e mërkurë 03/01/2007 19:01 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e premte 14/04/2006 15:52
Poste: 1868
Vendndodhja: mhallja re
se kuptoj ate medaljen si partizan lufte perderisa ka lind ne '30....


urime!


Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e mërkurë 03/01/2007 19:15 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e mërkurë 19/07/2006 00:29
Poste: 4084
Vendndodhja: Ne Tironen e ondrrave!
Profesor shyqin e kom komshi tek mhallja nondajes..te rruga fortuzve. Osht tironas 24 karatç ene siç vete e tregon puna tij, nji profesionist i shkelqyer!
Urime profesor!



_________________
Tirona quarens intellectum - Tirona ka nevoje per intelekt!

Tirona ubi maior, minor cessat - Ku ndigjohet e modhja Tiron, te tjeret duhet t'a mbyllin (gojen)!
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e enjte 04/01/2007 02:53 
A cme filloi viti i ri mar e mir. Presori Mjeshter, s'ka mo mir. Duhet t'ishte bo me perpara ky sebep kaq i modh. Falimnerit presorit apo duhet me thon mjeshtrit per dashnine e tij ndaj sportit por mi t'gjitha per vitet e nje tirone nga me t'mdhojat qe na ka dhuru. Ene domosdo fakti qe osht 24karat tironas na e shto ene mo shum knaqsine dhe lezetllikun.


  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e premte 05/01/2007 16:34 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 19/01/2006 22:55
Poste: 738
Vendndodhja: Me Shpirt e Zemer dersa t'vdes m'TIRONEN TONE te ONDRRAVE.
Ashu o.TIRONA me Profesor Verin ishte e mire,me zemer ene shpirt, por me Shyqin te thyjte brinjet,isht ma e pjekme ene autoritare.Shyqi boni vetem i gabim,qe ne neshjen me dinamon kur ishte puna per titull,ndrroi Ben Mingen dhe jevgu abazi ishte centerbeg te majte benin.Sa dul Beni jevgu na boni gol dhe ato fitun kampjonatin.Gjithashtu kur ishte tranjer i kombetares,qi shkoi ne Angli,nuk e lan me mor asnji ka cunat tone dhe mori vetem Mirelin se e kishte dhonderr m'at kohe.Megjithate urime.


Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e premte 05/01/2007 16:46 
Valutë
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 01/09/2005 02:24
Poste: 491
Vendndodhja: USA
Eh mer Mand, ca t'bonte Shyqi i shkrete... Duhesh me mor dava Ylli Sheh rrotkarin per sulmus, ai ishte lojtar lagjesh, po tifozat e morrit ate kishin e kujtojshin se kishin gjo. Yll Shehu s'bonte dot vrap!!!

Ben Minga boni 200 gola neper kampionate e kupa sa i ka shem n'gola gjith skuadrat e Shqipnise, pranej t'gjith tifozat jo te Tirones e urrejshin.

Agushit sa iu arratis cuni i xhajes s'e moren mo n'kombtare...

Shyqi i shkrete sa kishte bllokun e Tirones per kombtare boni rezultate te pabesushme, pastaj na helmun greket e qelbet dhe i tham mirupafshim Meksikes.



_________________
TIRONA 2008-2009: KAMPIONE 27 HERE!!!!!
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit:
PostPostuar: e premte 05/01/2007 16:50 
Valutë
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 01/09/2005 02:24
Poste: 491
Vendndodhja: USA
.........................



_________________
TIRONA 2008-2009: KAMPIONE 27 HERE!!!!!
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit për nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 8 postime ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek: