Switch to full style
Artikuj, komente, kujtime mbi historine e lavdishme 90 vjecare te klubit numer 1 ne Shqiperi
Dërgo një përgjigje

Kryeziu, Lushta, Llambi dhe Boriçi. Shqiptaret ne Serie A.

e hënë 31/10/2005 12:48

Llambi, shqiptari i parë Kampion i Italisë. Lushta ndër sulmuesit e huaj më të mëdhenj të Juventusit.

Nga Giovanni Armillota

Kryeziu, Lushta dhe Boriçi…
Naim Kryeziu dhe Riza Lushta kanë qenë, pa dyshim, futbollistët shqiptarë më të mëdhenj nga mesi i viteve ‘30 deri në gjysmën e dytë të viteve ‘40. Ata bënë emër jo vetëm me titullin e kampionit të Italisë, fituar nga Kryeziu me Romën më 14 qeshor 1942, apo me Kupën e Italisë (28 qershor 1942), fituar nga Lushta, i vetëm kundër Milanos (kështu quhej atëherë) falë tre golave të tij në përsëritjen e ndeshjes në Torino (4-1) pas rezultatit 1-1 të ndeshjes me gjithë shtesat në Milano, shtatë ditë më parë. Renditja më e mirë në Serinë A ka qenë në edicionin 1942-1943, kur arriti i treti me Juventusin.
Duhet kujtuar që në nëntor të vitit 1940, Lushta u thirr për stërvitje edhe nga kombëtarja italiane, asokohe dy herë kampione e botës, për ndeshjen miqësore kundër Hungarisë të 1 dhjetorit (1-1); por Vittorio Pozzo mori urdhër të mos e rreshtonte mes të thirrurve për arsye politike, duke qenë se Shqipëria ishte një vend në bashkim personal me Italinë në luftë.
Në vitin 1946, Ludovik ‘Vik’ Jakova, zëvendëstrajner i kombëtares shqiptare të futbollit në krijim e sipër, erdhi dy herë në Itali për të bindur Kryeziun dhe Lushtën të luanin në edicionin e VIII të Kampionatit Ballkanik. Për detyrime kontraktuale me Romën e Napolin, dy lojtarët nuk mundën të pranonin, megjithatë kombëtarja shqiptare e fitoi manifestimin e parë europian mes kombëtareve të pasluftës. Dy shqiptarët kanë qenë në fushë deri në vitin 1954.
Lushta fitoi kreun e renditjes së golashënuesve të Kupës së Italisë 1941-1942 me tetë gola (shënoi edhe një tjetër gol për Juventusin në Kupën e Italisë 1942-1943); po në vitin 1942 u rendit i katërti ndër golashënuesit më të mirë dhe i pari ndër të huajt. Kam zbuluar që Lushta ka shënuar edhe 5 gola të tjerë në po aq ndeshje gjatë kampionatit të luftës, 1944, gola që janë njësoj të vlefshëm për statistikat e Juventusit (shiko: http://www.juventusstory.it/).
Lushta me Juventusin ka shënuar gjithsej 56 gola në 95 ndeshje: 42 në Serien A, 5 në turneun e luftës dhe 9 në Kupën e Italisë. Mesatarja e lartë e shënimit, (0,589 gola për ndeshje) e rendit atë në vend të tretë mes gjithë sulmuesve të huaj të Juventusit, që kanë shënuar më shumë se 50 gola, dhe në vend të katërt në renditjen absolute:

Lojtari Kombësia Gola Ndeshje Mesatarja
P. Pastore Itali 55 66 0,833
O.E. Sivori Argjentinë 171 257 0,665
J. Hansen Danimarkë 124 189 0,656
R. Lushta Shqipëri 56 95 0,589
J.W. Charles Uells 105 182 0,577
R. Baggio Itali 115 200 0,575
D. Trezeguet Francë 93 163 0,571
G. Gabetto Itali 102 191 0,534
F. Inzaghi Itali 87 165 0,527
F.P. Borell II Itali 160 307 0,521

Emrin e Lushtës mban sot stadiumi i Mitrovicës.

Ndërsa Kryeziu u bë trajner profesionist i kategorisë së parë: zëvendëstrajner i Romës nga viti 1962 deri më 1965 dhe titullar për gjashtë muaj në edicionin 1963-64, para se të mbërrinte spanjolli Luis Mirò, periudhë e mjaftueshme që Kryeziu të përgatiste skuadrën që do të fitonte Kupën e Italisë. Sot Kryeziu është në Panteonin e lojtarëve më të famshëm të Romës. Emrin e tij mban sot stadiumi i Gjakovës.
Shqiptari i tretë i atyre viteve ka qenë i madhi Loro Boriçi, shok skuadre i lacialit Silvio Piola, kampion bote. Në vitin 1946 Boriçi ishte kapiteni i Shqipërisë që fitoi Kampionatin Ballkanik. Kombëtarja drejtohej nga trajneri Ljubisha Broçiç, i cili në 1957-1958 fitoi Serinë A me Juventusin. Për Boriçin nuk po zgjatem, pasi ai është i famshëm nga Roma deri në Pekin, ku ka qenë edhe europiani i parë që ka drejtuar kombëtaren kineze.

Rasti “i çuditshëm” i Sllave Llambit
Për sa i përket Sllave Llambit, është e nevojshme të ravijëzohet se shpesh nuk përmendet si një nga futbollistët shqiptarë të Serisë A italiane, përpara Luftës II Botërore.
Duke konsultuar “Almanacco Illustrato del Calcio 2005” të Paninit të Modenës, në fakt, arrihet në përfundimin se Llambi nuk ka luajtur asnjë ndeshje as me Bolonjën, as me Interin. Kështu, gjatë atyre dy edicioneve ai ka qenë një rezerve që nuk ka luajtur as edhe një ndeshje. Por, kujdes! Megjithëse rezervë, ishte me Bolonjën në edicionin 1940-1941, ndaj edhe ka qenë pikërisht ai, Sllave Llambi, – akoma më herët se Kryeziu – i pari shqiptar kampion i Italisë!!! Po të quhesh kampion i Italisë, edhe nëse nuk ke luajtur në asnjë ndeshje, mjafton të jesh i pranishëm ndër grupin e lojtarëve të skuadrës kampione. Por jo vetëm kaq. Ai që – sipas Bimo Fakjes – “ka qenë centëralfi më i mirë i Shqipërisë, e përkthyer në të sotmen, do të thotë mesfushori mbrojtës më universal”, luajti me skuadrën Fanfulla të Lodit në Kupën e Italisë 1942-1943, kupë e hapur ndaj të gjitha skuadrave të Serisë A dhe B (më 13 shtator: Fanfulla-Savona 6-1 dhe 20 shtator ’42: Triestina-Fanfulla 3-0).
Për arsyet e mësipërme, në nder të madhështisë së tij dhe me lejen e mikut tim prej 20 vjetësh, Besnik Dizdarit, do të propozoja që Sllave Llambi – në 20-vjetorin e vdekjes së tij – të futet “in honoris post mortem titulo” në grupin e gjashtë lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur në Serinë A të kampionatit italian të futbollit.
Kur u kthye në atdhe, Llambi ka qenë një nga protagonistët e kombëtares në Kampionatin e Ballkanit 1946. Pas tre vjetësh ka qenë, ndoshta, i pari lojtar-trajner i një kombëtareje në botë; Shqipëria në Bukuresht (1-1), Varshavë (1-2) dhe Sofje (0-0).
Së fundi, në kujtim të përgatitjes së tij atletike të shumanshme, dua të përmend edhe faktin që ai ka zënë vendin e gjashtë në kërcimin së larti, me rekordin kombëtar 1,75 m në kampionatet ballkanike të atletikës së lehtë të vitit 1938 në Beograd.


Skedat e shqiptarëve në Itali

Riza Lushta (1916-1997), lindur në Mitrovicë, sulmues; i ardhur në Serinë A nga Sportklub “Tirana”. Kampion i Shqipërisë në vitet 1934, 1936, 1937 dhe 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-1939.
Debutimi në Serinë A më 07/01/1940: Bari-Venezia 3-0 (java XIV)
Edicioni Skuadra Seria Ndeshje Gola
1939-40 Bari A 16 3
1940-41 Juventus A 26 10
1941-42 Juventus A 28 15
1942-43 Juventus A 26 17
1944 Juventus Kampionati i Luftës 5 5
1945-46 Napoli A 27 6
1946-47 Alessandria A 26 13
1947-48 Alessandria A 21 4
1948-49 Cannes (Francia) A ? ?
1949-50 Cannes (Francia) B ? ?
1950-51 Cannes (Francia) B ? ?
1951-52 Siena C - -
1952-53 Forlì D 21 -
1953-54 Rapallo D 22 -


Naim Kryeziu (1918), lindur në Gjakovë, sulmues; i ardhur nga Sportklub “Tirana”. Kampion i Shqipërisë në vitin 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-1939.
Debutimi në Serinë A më 10/03/1940: Roma-Bari 4-2 (java XXII, në skuadrën e Barit luante Lushta: ishte i pari “derby” shqiptar; Lushta shënon për Barin golin e barazimit 1-1, që ishte edhe goli i tij i parë)
Edicioni Skuadra Seria Ndeshje Gola
1939-40 Roma A 5 -
1940-41 Roma A 20 3
1941-42 Roma A 23 6
1942-43 Roma A 9 -
1945-46 Roma A 33 11
1946-47 Roma A 32 6
1947-48 Napoli A 33 9
1948-49 Napoli B 35 6
1949-50 Napoli B 40 9
1950-51 Napoli A 37 11
1951-52 Napoli A 23 5
1952-53 Napoli A - -
1953-54 Turris D 22 -

Sllave Llambi (1919-1985), lindur në Tiranë, i lirë; vjen nga Sportklub “Tirana”. Kampion i Shqipërisë: me Tiranën në vitet 1937 dhe 1939; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946.
Debutimi në Kupën e Italisë Seria A/B më 13/09/1942: Fanfulla-Savona 6-1 (Turni i parë)
Edicioni Skuadra Serie Ndeshje Gola
1940 Brindisi C - -
1940-41 Bologna A - -
1941-42 Ambrosiana-Inter A - -
1942-43 Fanfulla Lodi B 27 -

Loro Boriçi (1922-1984), lindur në Shkodër, qendërfushor; i ardhur nga Vllaznia Shkodër; Kampion i Shqipërisë: me Vllazninë në vitet 1940 dhe 1945; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946 (kapiten).
Debutimi në Serinë A më 30/11/1941: Livorno-Lazio 2-1 (java VI)
Edicioni Skuadra Seria Ndeshje Gola
1941-42 Lazio A 4 -
1942-43 Lazio A 14 3

e martë 07/11/2006 15:28

Padyshim qe vitet '30 dhe '40 mund te konsiderohen periudha e arte e futbollit ne Shqiperi, me gjithe ata kampione qe luajten ne Sk Tirana dhe ne Itali, Serie A.

Do duhet pak kohe te kthehemi ne ato nivele, magare kur t'kemi nje kampionat me te forte. Une e kam shpresen ne nje rritje cilesie kur te mund te bejme kampionatin e perbashket me skuadrat e Kosoves...
Dërgo një përgjigje