Switch to full style
Artikuj, komente, kujtime mbi historine e lavdishme 90 vjecare te klubit numer 1 ne Shqiperi
Dërgo një përgjigje

Gezim Kasmi 1962-1972

e enjte 26/05/2011 14:57

Lufta për shkatërrimin e Tiranës dhe si e larguan Kasmin për të hapur toka të reja në Skrapar
Autori: Irfan Rama - Data: 25/05/2011

Bardheblutë do t’u sillnin telashe dy ekipeve të ngjyrosura me të kuqe dhe blu, ndaj duhej thelluar strategjia goditëse, në radhë të parë te individët cilësorë të saj, duke përgjetur pretekste edhe më banale se ato të luftërave

- Lojtari i shquar i 17 Nëntorit të Tiranës dhe i ekipit kombëtar, Gëzim Kasmi, rrëfen “odisenë” e dhimbshme të dërgimit 2 vjet ushtar, në mënyrë të paligjshme në Skrapar, për të hapur toka të reja në një repart pune, kur kishte mbaruar shkollën e lartë.

- Si rrodhën ngjarjet në kryeqendrën futbollistike të Shqipërisë, në Tiranë, në dëm të 17 Nëntorit të madh, që shërbyen si shkak për arrestimin e Skënder Halilit, largimin në Skrapar e Shkodër të Gëzim Kasmit dhe Ali Memës etj.

- Si e degdisën Kasmin në Skrapar për dy vjet, në një kohë që rregulli i shkollës së lartë rrëfente se studentët që mbaronin shkollën e lartë bënin 6 muaj zbor ushtarak për t’u bërë oficerë rezervistë.

“Dossieri” i këtij numri të gazetës është një ndërthurje e stuhizmit paradoksal të regjimit komunist për thyerjen e optimizmit të individit dhe grupit, që përbëjnë një ekip futbollistik. 17 Nëntori i Tiranës kishte qenë udhëheqës i futbollit shqiptar në regjimin e Zogut dhe kish fituar gjashtë trofe në 7 vjet, që korrespondojnë me vitet 1939-1937 dhe që më vonë, në regjimin e Hoxhës, kishte qëndruar në heshtje për 20 vjet, derisa më 1965 kishte ngjitur në majën që i takonte futbollin dhe tifozërinë e vet me fitoren e kampionatit të parë të pasluftës.

Hegjemonizmi i Partizanit për 10 vjet në këto 20 vite dhe i Dinamos për 7 vjet në fitimin e trofeve të kampionatit e kupave të Shqipërisë dhe fillimi i “revanshit” të bijve tironas të kryeqytetit, nuk honepsej dhe mbllaçitej kollaj nga strukturat ushtarake dhe politike të udhëheqjes komuniste shqiptare. Dhe u bë!

Fillimisht “shfarosje” individuale dhe më pas rrjedhoja kolektive të skuadrës së rilindur tiranase. Për këtë na vijnë në ndihmë rrëfimet e Gëzim Kasmit, ish-futbollist i 17 Nëntorit të Tiranës dhe kombëtares shqiptare, për degdisjen e tij në Skrapar, Ali Memës ish-futbollist i 17 Nëntorit dhe i përfaqësueses, për “transferimin” në Shkodër për vitet 1966-68.

Ndodhitë që përgatitën largimet e futbollistëve të 17 Nëntorit

Skuadra e 17 Nëntorit tashmë kishte rilindur dhe ishte mbrujtur si rival fondament në kampionatin shqiptar ndaj skuadrave ushtarake të Partizanit dhe Dinamos, klube të cilat ishin bërë “të gjalla” sipas përvojës sovjetike e lindore në vitin 1946 dhe 1950. Xhavit Demneri kishte filluar epokën e nxjerrjes dhe performimit të talenteve tiranas me të rinjtë.

Nga duart e tij të përkora kishin ardhur në realitetin e ri futbollistik të kohës lojtarë të nivelit të lartë, si Panajot Pano, Skënder Halili, Ali Mema, Gëzim Kasmi, Osman Mema, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Alfred Kazanxhi, Pavllo Bukoviku, Luigj Bytyçi, Skënder Hyka etj., të cilët filluan gatimin e Tiranës së madhe të viteve ‘60 të shekullit të kaluar (përveç Panajot Panos, që kaloi dhe interpretoi mrekullitë e tij të magjishme te Partizani i Tiranës), që fitoi me protagonizëm katër kampionate dhe një Kupë Republike nga viti 1963 deri në vitin 1970 (1963 kupën e Republikës, ndërsa më vitet 1965, 1966, 1968 dhe 1970 kampionatin kombëtar).

Viti 1963 e bëri 17 Nëntorin fitues të kupës së parë të Republikës të pas luftës (në vitin 1939 SK Tirana fitonte kupën e parë të Shqipërisë). Por të qenit skuadër vërtet protagoniste për të luajtur rolin e liderit të kampionatit shqiptar e përkapi në sezonet 1964-65, 1965-66(i korigjuar nga artikulli), kur fitoi dy herë radhazi kampionatin kombëtar në përballjet me dy “rinocerontët” e garës kombëtare, që ishin kryeqytetaset ushtarake, Partizani dhe Dinamo, që në 20 vitet e pasluftës kishin rrëmbyer për 17 vjet trofeun e kampionit (10 herë Partizani dhe 7 herë Dinamo) dhe 12 herë Kupën e Republikës (6 herë Dinamo dhe 6 herë Partizani).

Dy fitoret e mëdha të dy kampionateve kishin sjellë xhelozi në dy kampet kundërshtare të kryeqytetit, pra të Partizanit dhe Dinamos, ku në krye të ministrive që i mbulonin, ishin dy anëtarë të byrosë politike të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë, Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku. Ekipi i 17 Nëntorit do t’i sillte telashe në këtë dekadë këtyre dy ekipeve të ngjyrosura me të kuqe dhe blu, ndaj duhej thelluar strategjia sulmuese-goditëse në shumë plane, por në radhë të parë në individët cilësorë të saj, duke përgjetur pretekste edhe më banale se ato të luftërave.

Krenaria e popullsisë autoktone tiranase amplifikohej edhe në gjenet futbollistike që nga viti 1920, që solli në jetë SK Tiranën, e më pas në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, që përblatoi ekipin 6 herë kampion në shtatë vite kampionat, ku Selman Stërmasi, Riza Lushta, Adem Karrapici, Naim Kryeziu, etj., shkruajtën faqen e parë të lavdisë të klubit të madh tiranas të kryeqytetit.

Arrestimi i Skënder Halilit në hotel “Çajupi”

Goditja e parë 17 Nëntorit të Tiranës iu dha në fundgushtin e vitit 1966. 17 Nëntorin e Tiranës në Kupën e Kampioneve shorti e kish “ngjitur” me një skuadër norvegjeze, ndaj skuadra ishte grumbulluar gjatë gjithë gushtit në hotel “Çajupi”, përballë 15-katëshit të sotëm.

“Ne ishim duke fjetur, - tregon Gëzim Kasmi, ish-futbollisti i njohur i 17 Nëntorit të asaj kohe, - kur befas në mëngjes herët, rreth orës gjashtë, dëgjojmë disa thirrje nga rruga poshtë dhe nga shkallët mbi emrin e Skënder Halilit. Nga mënyra si po bërtisnin, dukej qartazi se kishim të bënim me një presion të hapur politik ndaj skuadrës sonë, por që edhe do të konkretizohej me sanksione penale dhe sportive.

Së pari, do të arrestohej Skënder Halili, një nga shtyllat e skuadrës tiranase, dhe së dyti, do të dënoheshim nga vetë shteti ynë për të mos marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Kampioneve, që ishte evenimenti më i rëndësishëm i futbollit europian të klubeve. Asnjëri nga ne nuk guxoi të hapte derën e dhomës. Ne e vërejtëm nga penxheret ngjarjen e kobtë, por nuk e biseduam me njëri-tjetrin, pasi nuk kishim kurajo, as për të treguar se çfarë po ndodhte.

Ishim të shqetësuar se mos do na vinte edhe radha. Në këto momente tensioni, në orën 9.30 minuta, erdhën përfaqësuesit e klubit dhe na lajmëruan se do të largoheshim nga hoteli.

“Nuk keni punë as me hotelin dhe as me restorantin, por do të shkoni në shtëpi, sepse ekipi i Tiranës nuk do të shkojë në Norvegji për të zhvilluar ndeshjen”. Për mosparaqitje ishim përjashtuar si skuadër dhe kishim paguar gjobën si shtet”.

Robert Jashari, ish-futbollist i shquar i Partizanit dhe i ekipit përfaqësues, thotë se “Skënder Halili ka qenë baza e ekipit të Tiranës dhe baza e ekipit përfaqësues”. Ndërsa Ali Mema, një ish-futbollist tjetër i shquar i 17 Nëntorit dhe i përfaqësueses së Shqipërisë, tregon se “Skënder Halili ka qenë lojtari më i mirë i Shqipërisë në rolin e qendërmbrojtësit dhe nga ato çfarë shoh edhe sot nuk i afrohet njeri. Ishte një qendërmbrojtës i jashtëzakonshëm dhe njeri shumë i mirë. Për tri orë dore dhe 57 dollarë që i gjetën në shtëpi, e dënuan një talent të rrallë.”

Ali Mema niset në Shkodër, për të dobësuar Tiranën

Ali Mema ishte një shtyllë tjetër e bardhebluve të viteve ’60, kur rilindi epoka e dytë e Tiranës së madhe. Duhej “goditur e asgjësuar armiku pjesë-pjesë”, ishte në atë kohë një sentencë e taktikës së ushtrisë, siç ishte ajo shqiptare.

“Në gusht të vitit 1966 më morën ushtar, - rrëfen Ali Mema, mesfushori karizmatik i Tiranës së viteve ’60, - dhe ndërsa rezidencën e qëndrimit e kisha në klubin “Partizani”, për të luajtur në fazën e parë luajta me 17 Nëntorin, që e mbylli në vend të parë garimin me skuadrat shqiptare. Më grumbulluan me ekipin kombëtar për një ndeshje miqësore me Egjiptin dhe më pas luajtëm me Jugosllavinë, për eliminatoret e Kampionatit Europian, finalet e të cilit do të zhvilloheshin në Romë, në vitin 1968, ku, siç dihet, kampion dhe titullin e fitoi Italia, pas fitores 2-0 ndaj Jugosllavisë në finalen e dytë në “Olimpiko”.

Pas ndeshjes me Jugosllavinë, mua më dërguan në Shkodër ushtar për të dobësuar 17 Nëntorin. Bashkë me mua erdhi në Shkodër nga Partizani edhe Foto Andoni. Qëllimi i “ustallarëve” të asaj kohe ishte, që me dërgimin edhe të Andonit në Shkodër, nuk do të binte në sy largimi i Ali Memës nga radhët e Tiranës. Qëndrova në Shkodër deri më 28 shkurt të vitit 1968. Me Vllazninë mundëm Partizanin, 17 Nëntorin dhe e nxorëm këtë skuadër deri në finale e Kupës së Republikës, ku unë nuk luajta.”

17-nentori-kampion-1969
Kasmi: Si më degdisën në Skrapar për të hapur toka të reja

“Si të gjithë studentët e tjerë që mbaronin shkollën e lartë, - tregon Gëzim Kasmi, ish-mbrojtësi i majtë i shquar i ekipit tiranas dhe i ekipit përfaqësues, - kishim detyrim ushtarak vetëm 6 muaj, ku përgatiteshim si officerë rezervistë. Në shkurt të vitit 1967 kryeja zborin 6-mujor në Shkollën e Bashkuar dhe kisha dy muaj që vazhdoja aty. Unë isha në një klasë vetëm me Ali Memën nga skuadra e Tiranës aty.

Ishte grumbulluar ekipi kombëtar në Vlorë me Loro Boriçin, për të shkuar në Egjipt për një ndeshje miqësore.

Trajneri Boriçi i kishte bërë një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Shqipërisë, për të shkuar unë dhe Aliu në ekipin kombëtar.

Shkova te kryetari i sporteve Rexhep Doda në ministri, i cili më tha: “Gëzim, më ka lajmëruar trajneri Loro Boriçi që ti duhet të nisesh për në Vlorë, pasi është grumbulluar ekipi kombëtar”. Mirë i thashë dhe e falenderova. Në kohën që po dilja, hap derën dhe hyn gjithë nxitim Besim Fagu, i cili në atë kohë drejtonte FSHF-në dhe më drejtohet mua: “Ti mos u pref me shku në Vlorë, se do të shkosh në Skrapar të hapësh toka të reja dhe do të qëndrosh atje për dy vjet. Për këtë kemi caktuar oficerin shoqërues deri në Skrapar dhe kemi prerë edhe dy biletat e transportit tënd dhe oficerit shoqërues.”

S’u ndjeva fare, ndërkohë që Rexhep Doda u ndje keq. U paraqita në Shkollën e Bashkuar dhe, sapo mbërrita, fjala kishte marrë dhenë atje, se Gëzimin do ta përjashtojnë nga Shkolla e Bashkuar dhe do ta çojnë në Skrapar, se është reaksionar dhe i prekur politikisht…

Biografia “e keqe” e familjes Kasmi

“Babai im ishte marrë me tregti në Italinë fqinje, - vijon Gëzim Kasmi, ish-pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës për 23 vjet, me shumë fismëri e objektivitet, - që para lufte. Mbas çlirimit, si shumë familje të tjera shqiptare që u prekën nga këto aspekte politike, ishte edhe familja jonë. Shumicën e këtyre gjërave politike i kam marrë vesh më vonë, pasi famlja nuk bisedonte me ne fëmijët për këto probleme.

Para çlirimit babai im kishte punuar si tregtar bashkë me babën e Myslym Allës, Islam Allën në Itali. Por, pas vitit 1944, Islam Alla kishte marrë pozitën e shefit të tatimeve të jashtëzakonshme dhe e kishte dënuar familjen tonë me 1 milion e 400 mijë napolona flori tatim.

Në vitin 1945, pasi kishim paguar tatimet, shteti i asaj kohe na solli kamionin te shtëpia bashkë me disa oficerë të armatosur, na nxorri pa marrë asnjë rrobë nga shtëpia dhe na dërgoi e na la m’u në mes të rrugës së qytetit të Krujës.

Na thanë shkoni ku të doni. Rastësisht, një krutan i mirë na gjeti aty dhe na mori në shtëpinë e tij, ku qëndruam për 3 vjet e gjysmë. Pastaj, një teze jona, insistoi të na merrte në shtëpinë e saj në Tiranë, pasi na pa gjendjen e mjerë në të cilën jetonim.

Më pas, një grua që jetonte në vilat tona, erdhi e na tha që të shkonim në bodrumet e vilës sonë, ku qëndruam derisa Jovan Bardhi, ish-sekretar i Partisë së Tiranës, që mbulonte klubin e Tiranës, më ndihmoi mua si futbollist me një shtëpi me tri dhoma e një kuzhinë, ku jetoj edhe sot.”

Nisja për në Skrapar dhe takimi me sekretarin e parë

“Babai im ishte shumë i sëmurë në shtëpi dhe qëndronte shtrirë prej kohësh. I thashë babës, se nesër do të shkoja në Skrapar me shërbim për dy-tre muaj dhe do të rikthehem në Tiranë. Nuk fjeta për gjithë natën, duke u sorollatur nëpër dhomë.

Në orën 6.30 minuta u përshëndeta me njerëzit e shtëpisë dhe u nisa për tek agjencia, ku niseshin autobusët, pas Sahatit. Oficeri shoqërues më priste atje dhe unë i thashë : “Çfarë dyshimi ke për mua?” Jo, më tha ai, unë e kam si detyrë për të dorëzuar deri në Skrapar, në repartin e punës për hapjen e tokave të reja, në NBU.

Ia mbusha mendjen që të mos vinte me mua dhe u nisa. Fjeta një natë në NBU-në e Beratit dhe më pas shkova në repartin tim në Skrapar. Kishte 6 kapanone në NBU-në e Skraparit dhe në njërin prej tyre, u strehova edhe unë. Aty pashë qindra njerëz të mirë që më njihnin, por që kishin “sharmin biografik” të shkrirë në qelizat e tyre, të njëllojta nga formimi me ato të miat.

Në repartin e punës erdhën edhe portieri i talentuar nga Shkodra, Paulin Ndoja, dhe Niko Lita, një futbollist i mirë nga Durrësi. Të gjithë ushtarët lodheshin shumë nga puna për hapjen e tokave të reja. Unë kisha vendosur të mos punoja, pasi kisha mbaruar shkollën e lartë dhe nuk më takonte. Një oficer më mbajti afër dhe më dha që të përgatisja me shkrim orët politike të ushtarëve, që e pranova, natyrisht.

Ne si skuadër e futbollit e repartit ishim shumë të mirë dhe bëmë 2-3 ndeshje me 5 Shtatorin e Skraparit, skuadrën e futbollit të qytetit që ishte në kategorinë e tretë dhe i mundëm. Komunikimi gojë më gojë ishte shpërhapur kudo.

Edhe në Komitetin e Partisë të Skraparit. Një ditë ia mbërriti në repart sekretari i parë i rrethit të Skraparit, Teki Malindi, i cili më tha se kemi nevojë për ty që të na e nxjerrësh skuadrën e qytetit nga prapambetja. Po, i thashë, por na duhen edhe 2 lojtarë shumë të mirë, që i kemi në repart.

Dakord, - më tha sekretari i parë, - ti e di këtë punë dhe më mori me makinë e më dërgoi në Skrapar, ku edhe më akomoduan në hotelin e qytetit. Në shtator të 1967, ekipi u bë gati dhe brenda vitit krijoi jehonë në të gjithë jugun e Shqipërisë. Në maj të vitit 1968 e nxorëm skuadrën në kategorinë e dytë, kurse në sezonin e ri 5 Shtatori zuri vendin e pestë.”

Vdekja e babait dhe kthimi në Tiranë

Gëzimit dhe Kujtimit (Kujtim Kasmi është vëllai i Gëzimit dhe ka qenë njëri nga basketbollistët më të mëdhenj që ka nxjerrë koshi shqiptar. Ka luajtur me elegancë me skuadrën e madhe të 17 Nëntorit dhe me përfaqësuesen e Shqipërisë. Ndeshjet e tij të mëdha, kundër Zadar dhe Jugoplastika të Splitit në fillimmotet ‘70 të shekullit të kaluar, do të mbeten të paasgjësuara në mendjet e shqiptarëve. U dërgua edhe ai ushtar në Pukë, ndërkohë që ishte titullar i Tiranës dhe i ekipit përfaqësues) i kishte shkuar lajmi për vdekjen e babait, një javë më vonë në repartet ushtarake dhe më pas, ishin pjekur së toku në shtëpinë e tyre në Tiranë.

Ndoshta ushtarakët, ndoshta mendësia e kohës, kishte “lundruar” në idenë se në Tiranë kishte lënë jetën tokësore një “i deklasuar” dhe s’kishte ndonjë problem për shpejtësinë e lajmërimit të bijve të tij! Operativi i Skraparit kishte bërë çmos, siç thotë Gëzimi, “për ta futur në burg, por nuk kishte mundur t’ia arrinte qëllimit”.

“Ti mos u lodh shumë me sportin, se nuk shkon më jashtë shtetit, sepse ke qenë ushtar i NBU-së, si gjithë ushtarët e tjerë të këtij reparti që kanë qenë të prekur politikisht,” - i kishte shfryrë sigurimsi ushtarak.

“Unë kam shkuar në të gjithë botën se kam punuar dhe sjellë shumë korrekt,” - ia ktheva me pak ton. “Tashti e tutje nuk do shkosh më, - ma përsëdyti. - Në Tiranë u riktheva në dhjetor të 1968 dhe u paraqita në klub. Në janar të vitit 1969, fillova të luaj dhe fituam atë vit Kupën e 25-vjetorit të Çlirimit.

Kam zhvilluar shumë ndeshje me Tiranën dhe me përfaqësuesen, ku vlen të theksoj ndeshjet dinjitoze me Standart Liezhin, Ajaksin e Amsterdamit, RFGJ-në, Poloninë etj. Kam zhvilluar rreth 35 ndeshje ndërkombëtare me klubin dhe përfaqësuesen (8),” - thotë Gëzimi. Edhe Bujar Kasmi, vëllai tjetër i Gëzimit, ka qenë futbollist dhe trajner, sot kryen funksionet e zv/presidentit të FSHF-së.

Ndërsa vetë Gëzimi është dalluar si futbollist me një potencë të lartë fizike, qëndrueshmëri rezistente përgjatë 90 minutave, teknikë shumë të mirë në pasim, krose e goditje standarde, por edhe me nuhatje në specifika loje (ka shënuar 5 gola kombëtarë dhe ndërkombëtarë).

Përjashtimi nga futbolli në vitin 1972

“Myslym Alla më lexoi vendimin para kryesisë së klubit, ku thuhej se përjashtoheni nga futbolli shqiptar, sepse u keni zënë rrugën e futbollit shumë sportistëve me biografi shumë më të mirë se biografinë tënde. Unë iu ktheva, duke i thënë se unë e di se kemi qenë kundërshtarë me Dinamon e Partizanin, por jo me klubin tonë,”- e përmbyll rrëfimin ish-futbollisti mjeshtër i mbrojtjes, Gëzim Kasmi.

Katër fitoret e rilindjes së Tiranës, që tronditën hegjemoninë e Partizanit dhe Dinamos

1964/65: 31 p. (+13= 5 - 4; 42:20)
1965/66: 40 p. (+19= 2 - 2; 55:15)
1968: 45 p. (+21= 3 - 2; 63:20)
1969/70: 44 p. (+19= 6 - 1; 56:10)

Datelindja 1941
1964/65 17 Nëntori Tiranë
1965/66 17 Nëntori Tiranë
1966/67 Dinamo Tiranë
1968 17 Nëntori Tiranë
1969/70 17 Nëntori Tiranë

Paslufta dhe Vitet ‘65-70

Fillimisht KF Tirana së bashku me KS Vllaznia, KS Flamurtari e klube të tjera zhvilluan kampionate mjaft cilësore e me rivalitet, të paktën për 2 vitet e parë të Pasluftës, ku nuk duhet lënë mënjanë fitorja me meritë e 2 titujve rresht nga ekipi shkodran.

Që nga viti 1946 e tutje,evenimenti kryesor pr t’u përmendur ishte se klubit ‘KF Tirana’ do t’i ndryshohej emri nga sistemi i atëhershëm në ‘Puna e Tiranës’ e më vonë në ‘17 Nëntori’.

Por nuk do ishte vetëm kjo. Krijimi e të ashtuquajturve ‘klube ministrore’ të Ministrise Mbrojtjes dhe Ushtrisë Popullore, pra ‘Dinamo’ e ‘Partizani’ ndikuan negativisht, jo vetëm për Tiranën, por edhe në cilësinë e futbollit shqiptar.
Këto klube kishin si projekt parësor të tyrin seleksionimin e talenteve të futbollit shqiptar në të gjithë Shqipërinë, duke pretenduar më pas suksese në rangun kombëtar apo dhe më larg.

Kështu, lojtarët më të mirë të KF Tirana, deri atëherë bardheblu (si dhe lojtarë të tjerë nga rrethet) u ‘gllabëruan’ për motive totalisht politike nga këto ‘klube ministrore’ të drejtuara nga sistemi i atëhershëm yni, që synonte të ishte simotra e vendeve të Lindjes. Madje, paradoksi më i çuditshëm ishte se talentet e klubeve të tjera thirreshin në shërbim ushtarak me qëllimin e vetëm për të kontribuar tek klubet e ministrive!

Këto ndikuan mjaft jo vetëm tek Tirana por edhe tek klubet e tjera duke i vendosur ‘klubet ministrore’ në parësi e duke krijuar kështu diferenca të padrejta me të tjerët.
Pikërisht kjo solli dhe rënien tek klubi bardheblu, pasojë e së cilës ishte qëndrimi në hije deri në vitin 1963, pra për shumë vjet me rradhë!

Dhe do të ishte sakrifica, dashuria për panelën e shenjtë bardheblu, dashuria për historinë dhe emrin e KF Tirana nga shumë trajnerë, lojtarë, etj të Futbollklubit (vlen të përmenden M. Alla, R. Lushta, N. Krieziu, F. Frashëri, S. Llambi, S. Halili, A.Mema, etj) që u bë e mundur të krijohej me kalimin e viteve një grup lojtarësh me vlerë, të aftë të sfidonin ‘klubet ministrore’ të asaj kohe, ‘Partizani’ e ‘Dinamo’ duke i dhënë një leksion edhe Federatës Shqiptare se trofetë dhe fama nuk fitohen me paterica por me punë, angazhim, stërvitje të vazhdueshme e sakrificë, pa ndihmën e askujt!

Kjo bëri, si rrjedhojë që, në pikun e dominimit të klubeve të ministrisë, KF Tirana të fitonte 4 kampionate nga 5 të mundshme gjatë periudhës 1964-1970 (vlen të theksohet mënyra sesi Dinamo e fitoi kampionatin e vitit 1966-1967!)

Vitet ‘80

Që nga periudha 1970 deri në 1989 në Shqipëri kishin filluar të ndryshojnë shumë gjëra. Vlerat e 2 ‘klubeve ministrore’ filluan të zbehen dhe skuadrat filluan të balancohen me njëra-tjetrën duke dhënë më shumë rivalitet, cilësi e emocione në stadiume. Aq sa jo vetëm që nuk kishte fitore me 10 e 15 gola por skuadrat e rretheve, të quajtura inferiore filluan të sfidonin ato të kryeqytetit (përmendim këtu rastet kur ‘Vllaznia’ e ‘Labinoti’ u shpallën kampione).

Kësisoj filloi të ketë kampionate më të forta e interesante dhe një shpërndarje më konstante në fitimin e titujve Kampione.

Gjithsesi, nga viti 1980 deri në 1989 KF Tirana i dha edhe një leksion tjetër të gjithave se si fitohet dhe si krijohet supremaci në futboll me forcat e tua, duke koleksionuar edhe 4 tituj Kampion, 2 nënkampion si dhe 3 Kupa. Po ashtu u pa dhe një rritje edhe në arenën ndërkombëtare, ku, pas disa suksesesh me radhë, legjenda bardheblu, së bashku me Flamurtarin e Vlorës, i dhanë emër futbollit shqiptar në Europë.
Imazh
Imazh

Burimi:
http://www.sportishqiptar.com.al/lufta- ... e-skrapar/
Dërgo një përgjigje