Sot është e premte 19/10/2018 09:01
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 4 postime ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: 17 NĂ«ntori i TiranĂ«s, ndeshja e paharruar qĂ« tr...
PostPostuar: e mĂ«rkurĂ« 04/05/2011 09:31 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e premte 12/06/2009 11:19
Poste: 1508
Vendndodhja: tiron
Sporti Shqiptar shkroi:
17 Nëntori i Tiranës, ndeshja e paharruar që tronditi Bukureshtin dhe turpëroi Dinamon


Autori: Sporti Shqiptar
Data: 03/05/2011
Version Print

Pas eliminimit organizata e partisë dhe Ministria e Brendshme e Rumanisë brenda natës kishte marrë masa për shkarkimin e drejtuesve të klubit dhe deri tek inspektorët


Nga Viron Andrea, ish-këshilltar tregtar në Bukuresht

Rubrika “Dossier”, e hapur nga gazeta “Sporti shqiptar”, përbën një aspekt të rëndësishëm jo vetëm për të kujtuar ngjarjet sportive, por edhe si e sa është punuar për të arritur suksese, si për sportistë të veçantë, ashtu dhe për klubet sportive. Eshtë një njohje jo vetëm me të kaluarën, por është edhe një njohje më nga afër, me vështirësitë dhe kapërcimin e tyre.
Në vitin 1986, kam pasur privilegjin e veçantë që kam qenë pranë ekipit të 17 Nëntorit të Tiranës, në ndeshjen ndaj Dinamos së Bukureshtit në kryeqytetin rumun, duke qenë funksionar ambasade në ato vite. Dihet nga dashamirësit e futbollit, se në sezonin futbollistik 1986, në kuadrin e Kupës së UEFA-s, ekipit kampion Flamurtari shorti i ra me ekipin spanjoll të Barcelonës, ndërsa ekipit të 17 Nëntorit i ra shorti me ekipin e Dinamos së Bukureshtit. Ndeshjet e para do të luheshin në vendin tonë, më 17 shtator në Vlorë dhe po këtë ditë në stadiumim kombëtar “Qemal Stafa”. Të dy ekipet ishin në formë të mirë sportive, kishin pasur rezultate pozitive dhe po luanin me ekipet, që ishin pretendente në edicionet europiane.

Futbolli rumun: Steaua, Dinamo dhe anekdotat kundër rregjimit

Barcelona ishte finaliste e Kupës së Kampioneve të Europës. Në ndeshjen finale me ekipin rumun Steaua, humbi me penallti në sajë të formës së mirë të portierit rumun, Dukadam, i cili priti 4 nga 5 penalltitë e gjuajtura. Ndërsa Dinamo e Bukureshtit kishte fituar kupën e Rumanisë të atij viti, duke mundur Steauan me rezultatin 1-0. Ekipi i Dinamos ishte në një nivel me Steauan dhe rivaliteti i tyre ishte tradicional në futbollin rumun, ndërkohë që edhe baza e ekipit kombëtar rumun ishte ndërtuar mbi këto ekipe.

Fitorja e ekipit Steaua asokohe u konsiderua një fitore e rëndësishme në mbarë mjedisin sportiv europian, ndërsa regjimi rumun e shfrytëzoi politikisht në disa drejtime, duke e konsideruar një fitore të një vendi komunist, i cili nuk është në krizë politike dhe ekonomike. Gjithashtu, kjo fitore u përdor nga regjimi vendës edhe për uljen e tensioneve dhe të pakënaqësive në rritje të popullsisë. Klubi dhe kuadro të klubit u nderuan me tituj deri në Heronj të Punës Socialiste. Por nuk mund të thuhet që populli nuk do ta shprehte mendimin dhe qëndrimin e tij. Rumunët i shprehnin moskënaqësitë ndaj regjimit në më të shumtit e rasteve nëpërmjet anekdotave. Një nga këto ishte mbërritja e ekipit të Steauas në Bukuresht, pas marrjes së trofeut kundër Barcelonës. Pritja e popullit ishte spontane. Mbi 3000-4000 tifozë u grumbulluan në sheshin e hyrjes së aeroportit “Otopeni” të kryeqytetit. Në një kohë shumë të shkurtër, policia mori masat për të parandaluar ndonjë demonstrim të popullsisë kundër regjimit, siç kishte ndodhur në atë kohë në Brashov dhe disa qytete të tjera. Të gjithë thërrisin dhe brohorisnin fitoren, ku më tepër brohoritej për heroin e asaj ndeshjeje, portierin Dukadam.

Një plak, që ishte midis tifozëve, pyeti njërin aty pranë: - Nuk e po kuptoj, për cilin po brohorisni, se nuk po dëgjoj të brohoritet për atë që brohorasim gjithmonë.
- PĂ«r Dukadamin, pse nuk e di ti? - ia ktheu tifozi.
- Faleminderit, se po më jep një lajm të gëzuar. Po bërtas dhe unë, pasi më në fund Çaushesku paska ikur, - ia ktheu i moshuari.

Fitorja e Dinamos ndaj Steauas, në ndeshjen finale për kupën e Rumanisë, bëri që opinioni sportiv vendës të përgatitej për një udhëtim të gjatë të këtij ekipi në arenën europiane, duke pretenduar edhe për një titull të mundshëm. Dinamo rikonstruktoi ekipin, duke caktuar Mirçea Luçeskun trajner dhe duke bërë transferta me lojtarët më të mirë të vendit. Kështu nga Dunarea Galac mori Dan Lupun, nga Hunedoara mori Dorin Mateun dhe nga Universitatea e Krajovës mori Rodion Kamatarun, shënuesin më të mirë të gjitha kohërave, me 44 gola. Me një mesfushor si Ilia Balaci dhe me mbrojtësit Bukur, Andone, Mihailesku, optimizmi dhe shpresat për rezultate të larta, po sugjestionin skuadrën. Ekipi Steaua përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa ekipi i Dinamos përfaqësonte Ministrinë e Brendshme, ato kishin të drejtën, në rivalitet me njëra tjetrën, të merrnin lojtarët më të mirë të rretheve. Një nga fidanishtet të atyre viteve në futbollin rumun ishte Universitatea e Krajovës dhe pjesa më e madhe e lojtarëve, që luante më ekipet e Bukureshtit, ishin kultivuar në mjedisin e këtij klubi.

Mjedisi i pragndeshjes dhe udhëtimi aventuresk i Tiranës
Skuadra e Tiranës, apo 17 Nëntorit siç quhej në ato vite, drejtohej nga Enver Shehu dhe Ali Mema. Formacioni bazë i saj ishte: në portë - Mersini, në mbrojtje - Baçi, Lekbello, Hodja, Bimo; në mesfushë - Omuri, Josa, Muça, Sulejman Mema; në sulm Kola dhe Minga. Ishin të gjithë lojtarë kalibri, si për cilësitë individuale, ashtu dhe harmonizimin si ekip. Shumica e këtyre futbollistëve përbënin edhe formacionin e ekipit kombëtar. Tirana dallohej për shpirtin luftarak, që rrallë ekipe e kanë pasur në vendin tonë. Duke ditur shortin e Kupës së UEFA-s, diskutuam me ish-ambasadorin, Zoi Toska, i cili e ndiqte futbollin, që duhet të sugjeronim në organet përkatëse për të ardhur trajneri i Tiranës për ta parë Dinamon në një ndeshje kampionati, për të krijuar një ide për lojtarët dhe mënyrën e lojës së saj. Kjo nuk përbënte ndonjë shpenzim të madh, një biletë udhëtimi me shoqërinë ajrore “Tarom”, që bënte lëvizjen Bukuresht-Romë, me ndalim në Tiranë dhe kthim, që kushtonte rreth 11.000 lekë të vjetra. Mirëpo asnjë specialist nga ekipi i Tiranës nuk erdhi… Dinamo e Bukureshtit ka pasur të njëjtat karakteristika loje që ka pasur dhe ekipi ynë i Dinamos. Teknik, i qetë, i disiplinuar taktikisht, por i mungonte grinta. Vendosja taktike e ekipit ishte 4-4-2, ku me një mesfushor si Ilia Balac dhe sulmues të avancuar, si Rodion Kamataru, pa përjashtuar të tjerët, nuk e kishte problem rezultatin. Mbrojta ishte më e dobta ndër repartet e tjera, në mënyrë të veçantë mbrojtësi i majtë, i cili ishte agresiv dhe me dobësi individuale teknike. Këto të dhëna ia dërgova ekipit të Tiranës me Arjan Toskën, djalin e ambasadorit, për të cilat isha i sigurt që do t’i binin në dorë të trajnerit Enver Shehu. Ndeshja e parë në Tiranë, më 17 shtator, midis 17 Nëntorit dhe Dinamos së Bukureshtit përfundoi 1-0, me gol të shënuar në minutën e 85-të nga Agustin Kola. Sekuenca të kësaj ndeshjeje u transmetuan edhe në TV të Bukureshtit. Komenti ishte: “Lojë e dobët dhe goli që pësoi portieri Dumitru Moaru ishte fëminor”. Sidoqoftë, rezultati i Tiranës e bënte me shumë interesant takimin e Bukureshtit, që do të zhvillohej në stadiumin “Dinamo”, në korpusin sportiv të këtij klubi. Gazeta rumune “Sport” shkruante për një fitore të mundshme dhe për një formë të mirë të Dinamos.
Ekipi i Tiranës erdhi në Bukuresht një ditë para ndeshjes, duke udhëtuar me autobus. Kishte qenë një udhëtim i lodhshëm, që mund të kishte influenca në lodhjen e lojtarëve. I vetmi tifoz që erdhi me ekipin, ishte doktori Kleanthi Prosi, një dentist i njohur dhe tifoz i thekur i Tiranës, i cili ishte lënë të vizitonte të afërmit e tij në Bukuresht, vizitë të cilën e kishte lidhur me ndeshjen e Tiranës. Ishte vizita e parë e atij njeriu fisnik, që pas shumë peripecish të kohës, iu krijua mundësia për të parë njerëzit e familjes pas shumë dekadash. Dhe kjo, siç tregon dhëndri dhe vajza e tij, Ramazan e Joana Biba, ishte një ditë e paharruar për të, ndërsa lojtarët e Tiranës, që e njihnin nga afër doktorin, pas ndeshjes i thoshin me shaka: “Doktor, hajde përherë me ne, se je shansi ynë!”

Si drejtues i delegacionit të Tiranës ishte një instruktor i Komitetit të Partisë të kryeqytetit, pastaj ishte trajneri Enver Shehu, ndihmësi i tij, Ali Mema, doktor Petrit Dibra, si dhe një punonjës i sigurimit. Me ardhjen e ekipit, ambasadori, Zoi Toska i priti drejtuesit dhe u kërkoi atyre që për çdo shqetësim që do të kishin, t’ia transmetonin direkt atij. Autobuzi i Tiranës, gjatë rrugës kishte pasur një defekt dhe, brenda natës, ambasadori angazhoi personat e nevojshëm për ta riparuar atë në kohë. Akomodimi i ekipit u bë në një nga hotelet e qendrës, mbrapa Hotel “Interkontinentalit”, një zonë e qetë, pa shumë lëvizje makinash dhe zhurma. Ekipit iu rezervua një pritje e ngrohtë nga dy përfaqësues të Dinamos, një inspektor dhe një veteran sporti, që quhesh Take Makri dhe që kishte luajtur mbrojtës i djathtë në një ndeshje në Tiranë.

Natën para ndeshjes shkova më hotel për të takuar trajnerët, Enverin dhe Aliun, për t’i pyetur nëse kishin ndonjë problem. I gjeta duke diskutuar me shoqëruesin Take Makri për futbollin. Kur befas, vjen inspektori i futbollit të Dinamos, që ishte personi që përgjigjej për organizimin e ndeshjes, i cili na ftoi të ulemi në restorantin e hotelit për të vazhduar diskutimet. Ftesa e befasoi Enver Shehun, i cili më shikoi në mënyrë pyetëse. E kuptova që e kishte shqetësim, pasi kjo ishte jashtë protokollit dhe atij mund t’i krijoheshin probleme, pasi edhe punonjësi i sigurimit nuk ishte me ne. Nuk e lashë që të fliste, por thashë: “Nuk ka problem për të shkuar.” Pas një hezitimi të dukshëm të Enver Shehut, inspektori e kuptoi dhe përsëriti ftesën, se të njëjtat rregulla kishin dhe ata. Iu drejtova Enverit dhe të tjerëve: “Ne jemi të gjithë bashkë dhe asnjë gjë e keqe nuk do të ndodhë”. U qetësuan dhe u ulëm poshtë në restorant, inspektori, Enver Shehu, Ali Mema, Petrit Dibra, unë, ndërsa Take Makri u largua. U porositën mezet dhe vera. Ndërsa po bisedonim, po për futbollin, vjen shefi i lokalit dhe na njofton se, sipas rregullit, porosia e fundit është 9:30 e darkës, pasi lokali mbyllej në ora 10:00. Në Rumani, në ato vite, restorantet dhe lokalet mbylleshin në atë orë, me përjashtim të atyre që ishin për të huajt. “Jo, - tha inspektori, - lokali nuk do të mbyllet, se kemi miq nga Shqipëria dhe këta janë trajnerët e Tiranës, me të cilën do të luajmë nesër.” (Ekipi i Dinamos ishte klub që përfaqësonte Ministrinë e Brendshme dhe Sicuritatean (sigurimin rumun). Shefi i lokalit iu përgjigj: “Në rast se merrni leje, unë jam në dispozicionin tuaj. Inspektori u ngrit, bëri një telefon dhe kur u kthye, na tha që do të rrimë sa të dëshirojmë. Ndërkohë, iu drejtua dhe orkestrës, duke u thënë se dhe ata do të rrinë sa do të qëndronim ne. Inspektori filloi të këndojë së bashku me orkestrën dhe na propozoi t’i bënim ndonjë porosi orkestrës. Drejtuesit të orkestrës i kërkova një këngë shqiptare. Ai na e plotësoi dëshirën me këngën “Lule borë”, por ndërkohë na tha se kishte punuar disa muaj si instrumentist në Prishtinë dhe mbështeste grevën e punëtorëve të Mitrovicës dhe pavarësinë e Kosovës.

Valentin Çaushesku, tifozi VIP i Dinamos
E nesërmja, 1 tetori, ishte një ditë e nxehtë. Stadiumi “Dinamo” ishte zbukuruar me flamuj dhe që herët në mëngjes pashë lëvizje të shumta njerëzish, po kërkonin për bileta. Atë ditë bëra më pak takime pune me firmat e ndryshme. Ata që ishin tifozë, më pyesin për parashikimin e ndeshjes. Ndonjëri për shaka kërkonte edhe të vinim baste. Në darkë, dikush nga ekipi i Tiranës kishte marrë në telefon dhe kërkonte që të shkoja urgjent në hotelin e ekipit. Kur shkoj në hotel, takoj trajnerin Enver Shehu. M’u ankua se i kishin dhënë drekë me vonesë dhe i kishin dhënë mish derri, kur i kishin kërkuar mish pule. Bisedova me inspektorin e Dinamos për këtë incident, ai fillimisht u trondit, u skuq në fytyrë. Inspektori nuk donte të merrte përgjegjësi për këtë incident, për të cilin kërkoi falje, por jo se ishte bërë me qëllim. Me kaq çështja u mbyll, pasi po vinte edhe momenti që lojtarët të mblidheshin për të shkuar në stadium.
Stadiumi “Dinamo”, me kapacitet rreth 16 mijë spektatorë, ishte mbushur plot e përplot. Së bashku me ambasadorin, Zoi Toskën, zumë vend në tribunën qendrore, që ishte me stola të gjatë. Aty ishin dhe funksionarë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe të klubit “Dinamo”. Në stolin e parë ishte ulur i vetëm dhe Valentin Çaushesku, djali i adoptuar i Nikolae Çausheskut, që të jepte përshtypjen që në stolin e rezervuar për të, nuk lejohej njeri tjetër të ulej, qoftë dhe funksionar i lartë. Valentini nuk merrej me politikë, qe drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, por opinioni sportiv rumun, midis të tjerash, do të kujtojë se në finalen e Kupës së Rumanisë në vitin 1988, midis Dinamos së Bukureshtit dhe Steauas, ai e detyroi ekipin e Steauas të linte fushën e lojës për mosakordim të një goli që nuk e dha arbitri. Me presionin e organeve të larta të regjimit, rezultati i ndeshjes u konsiderua 2-1 dhe fituese u shpall Steaua, ekipi që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes. Ishte një vendim arbitrar, i paprecedent, nga ato që mund të ndodhin vetëm në regjime totalitare. Pas vitit 1990, ekipi i Steauas kërkoi pranë organeve të Federatës Rumune të Futbollit, që kupa t’i jepej ekipit të Dinamos, por kjo e fundit e refuzoi.


Muça, ylli i ndeshjes. Minga dhe Josa turpërojnë Dinamon
Publiku, që mbushte plot e përplot shkallët e stadiumit, brohoriste si para dhe pas fillimit të ndeshjes për Dinamon. Me fërshëllimën e arbitrit qipriot filloi ndeshja. Pa kaluar tri minuta, Arben Minga shfrytëzoi një krosim të zgjuar të Shkëlqim Muçës dhe nga afër shënoi golin, që ndezi lojën. Me kalimin e kohës, Dinamo nuk po shënonte golin e shumëpritur, filloi të shfaqte shenja nervozizmi, ndërsa Tirana me gjakftohtësi do të zotëronte jo vetëm mesin e fushën, por po krijonte epërsi me lojën e tij teknike, të hapur dhe të organizuar. Driblimet dhe fantazia në lojën e Shkëlqim Muçës spikaste, mbrojtja po mbulonte shumë mirë Rodion Kamatarun, për të cilin të gjithë shpresonin shumë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Tiranën. Zyrtarët e lartë rumunë që ishin në tribunë ishin mjaft të shqetësuar. Njeri pa etiketë më tha: “Do ta shikonin sa do të hani në pjesën e dytë.” Iu përgjigja se me këtë lojë që po bëjmë, ne do të fitojmë. I shkrepën sytë nga inati.

Pjesa e dytë filloi me karakteristikat e pjesës së parë, 17 Nëntori pati epërsi në të gjitha drejtimet. Mesfushori i madh Ilia Balac, sulmuesi i avancuar Rodion Kamataru dhanë maksimumin, por nuk mundën të ndryshonin shumë në lojën që po zhvillohej. Ekipi ynë ishte i papërmbajtshëm, Muça jo vetëm dallohej në organizimi e lojës, por në çdo luftim doli fitues me mesfushorin Balac. Omuri luante fort edhe kundër Kamatarut në prishjen e sulmeve. Loja e Tiranës po zhvillohej në harmoni në të gjitha hapësirat e fushës dhe spektatorët po shikonin një ekip që e kishte merituar fitoren dhe në Tiranë. Rreth minutës së 70-të të ndeshjes, mbrojtësi i krahut të majtë të Dinamos, ndërhyn rëndë ndaj Muçës, kur ky, me një finte të bukur, e nxjerr atë jashtë luftimit, duke krijuar një rast të pastër për gol. Qe një dëmtim i rendë dhe i qëllimshëm. Pas këtij incidenti dhe largimin e Muçës me barelë nga fusha e lojës, moralisht ekipi ynë i Tiranës u rrit më tepër. Dinamo po pranonte humbjen, ndërsa sportdashësit filluan të duartrokisnin lojën e bardhebluve tanë. Kamataru, në minutën e 80-të barazoi, por nuk pati ndonjë entuziazëm, publiku po përshëndeste tashmë ekipin e Tiranës. Por fitorja do të vulosej edhe si rezutat, në minutën e 90-të, pas një gjuajtjeje nga 16 metrash të Mirel Josës. Topi i goditur prej tij do të pushonte në rrjetën e portës së Dinamos. Ekipi i 17 Nëntorit arriti një fitore të shkëlqyer 2-1, ndërsa Shkëlqim Muça ishte regjisori i ndeshjes, ndoshta më e mira në karrierën e tij sportive, duke demonstruar një nivel të lartë teknik, zgjuarësi, fantazi në organizim dhe i palodhur në gjithë fushën. Ai u bë ambasadori më i mirë i Shqipërisë në Rumani, rol të cilin më pas do ta merrnin Demollari dhe Minga, të cilët, më vonë do të luanin në futbollin rumun. Mirëpo për fat të keq, dëmtimi i Muçës do të ishte i rëndë dhe ai duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Këtu dua të nënvizoj një moment. Kur vajtëm të gjithë në spital, për të parë rezultatin e operacionit dhe gjendjen fizike të Muçës, pasi e falënderova mjeken që e kishte operuar dhe shefin e pavionit për kujdesin e treguar, ky i fundit, më tha: “Një nga mjekët që e shoqëroi Muçën në spital, do t’i marrë këpucët për djalin e tij, që ai të bëhet futbollist si Muça.” Shkëlqim Muça do të vinte përsëri në Rumani për të bërë operacion ligamentet, një herë me shpenzimet e shtetit shqiptar dhe një herë me shpenzimet e shtetit rumun.

Epilogu i ndeshjes dhe festa në ambasadë
Në përfundim të ndeshjes, zyrtarët që kishin zënë vend në tribunë ishin të gjithë të nevrikosur dhe të gjithë ikën shpejt pa na përshëndetur. Valentin Çaushesku iku para përfundimit të ndeshjes. Në klubin “Dinamo” do të ndodhte ajo që nuk pritej. Organizata e partisë dhe hierakia e Ministrisë së Brendshme brenda natës kishin marrë masa për shkarkimin e drejtuesve të klubit dhe deri tek inspektorët. Në këtë kuadër nuk diskutoheshin masat disiplinore në parti. Komenti sportiv rumun ishte objektiv: “Ishte një humbje, që nuk duhet harruar”.

Kur po dilnin nga nga dhomat zhveshjes së stadiumit, gati 30 minuta pasi kishte mbaruar ndeshja, deri në bulevardin kryesor “Stefan Cel Mare”, që është rreth 400 m, sportadashësit rumunë, të të gjitha moshave, duartrokisnin dhe brohorisnin për Tiranën. Emocionet sportive janë të forta dhe na pushtuan të gjithëve, aty nuk ka më ekip, por njeriu mendon vetëm Atdheun. Ajo bëhet dhe ndihet që është një gjë e shenjtë, hyjnore e paprekshme, të jep forcë dhe frymëzim, të bën të ndihesh krenar. Në ambasadë fitorja i kishte entuzizmuar të gjithë, të cilët falënderuan ekipin dhe trajnerin. Për nder të tyre ambasadori shtroi një pritje të improvizuar me sportistët dhe shqiptarët në Rumani, të cilët sa mbaroi ndeshja ishin në ambasadë për të festuar.

Fatkeqësisht, 17 Nëntori i Tiranës nuk e vazhdoi rrugën e tij, se i ra shorti me një ekip sovjetik, me Dinamon e Kievit, ku nuk u paraqit për arsye politike, veprim të cilin e pagoi edhe me një dënim nga ana e UEFA-s.



_________________
NE JEMI TIRONA!!!


Imazh
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 17 NĂ«ntori i TiranĂ«s, ndeshja e paharruar qĂ« tr...
PostPostuar: e shtunĂ« 07/05/2011 02:22 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e premte 05/03/2004 18:33
Poste: 1318
Vendndodhja: Te Cepi Tironës
Lab eshte ky Viron Andrea ??? Ca thote gamori, kampion Flamurtari. Ca lesh kampionesh ishin ato. Labet luanin ne Kupen Uefa kunder Barcelones e jo ne Kupen e Kampioneve. Tirona me duket kishte dale ne vend te dyte ate vit dhe ishte fituesja e Kupes Republikes. Luante per Kupen e Kupave kunder rumuneve. Ky Vironi edhe thote qe rumunet e Dinamos kishin fituar kupen e Rumanise edhe thote pastaj luanin ne Kupen UEFA. Paska qene edhe i apasionuar i futbollit. Kush e di ça idiotsirash do i kete shkrujt Verit ke ajo letra qe i ka çu ...



_________________
... AVE TIRONA !!! TIRONASIT TE SALUTANT ...
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 17 NĂ«ntori i TiranĂ«s, ndeshja e paharruar qĂ« tr...
PostPostuar: e shtunĂ« 07/05/2011 11:24 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 27/01/2005 20:20
Poste: 661
Vendndodhja: Tirone
Kledi shkroi:
Lab eshte ky Viron Andrea ??? Ca thote gamori, kampion Flamurtari. Ca lesh kampionesh ishin ato. Labet luanin ne Kupen Uefa kunder Barcelones e jo ne Kupen e Kampioneve. Tirona me duket kishte dale ne vend te dyte ate vit dhe ishte fituesja e Kupes Republikes. Luante per Kupen e Kupave kunder rumuneve. Ky Vironi edhe thote qe rumunet e Dinamos kishin fituar kupen e Rumanise edhe thote pastaj luanin ne Kupen UEFA. Paska qene edhe i apasionuar i futbollit. Kush e di ça idiotsirash do i kete shkrujt Verit ke ajo letra qe i ka çu ...



Te jesh i SIGURTE :
Qe ky tipi ka qene tifoz i morrave dhe komunist i oreve te para :lol:



_________________
Imazh
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 17 NĂ«ntori i TiranĂ«s, ndeshja e paharruar qĂ« tr...
PostPostuar: e hĂ«nĂ« 09/05/2011 22:15 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e premte 05/03/2004 18:33
Poste: 1318
Vendndodhja: Te Cepi Tironës
TIRONSI shkroi:
Kledi shkroi:
Lab eshte ky Viron Andrea ??? Ca thote gamori, kampion Flamurtari. Ca lesh kampionesh ishin ato. Labet luanin ne Kupen Uefa kunder Barcelones e jo ne Kupen e Kampioneve. Tirona me duket kishte dale ne vend te dyte ate vit dhe ishte fituesja e Kupes Republikes. Luante per Kupen e Kupave kunder rumuneve. Ky Vironi edhe thote qe rumunet e Dinamos kishin fituar kupen e Rumanise edhe thote pastaj luanin ne Kupen UEFA. Paska qene edhe i apasionuar i futbollit. Kush e di ça idiotsirash do i kete shkrujt Verit ke ajo letra qe i ka çu ...



Te jesh i SIGURTE :
Qe ky tipi ka qene tifoz i morrave dhe komunist i oreve te para :lol:




Pse s'thu Ti qe ky paska qen rracshklym qe m'gen ...



_________________
... AVE TIRONA !!! TIRONASIT TE SALUTANT ...
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit pĂ«r nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 4 postime ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek:  

cron