Sot është e hënë 23/04/2018 02:05
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 2 postime ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: Tirona 1965-1970, nje epoke & nje drame bardheblu!
PostPostuar: e premte 12/11/2010 23:41 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e djelë 14/08/2005 19:31
Poste: 720
Vendndodhja: USA
Tirana e futbollit 1965‑1970, një epokë dhe një dramë bardheblu!

Data: 04/11/2010
Nga Skifter KËLLIÇI
Në dy shkrimet kushtuar Partizanit dhe Dinamos, të botuara para disa ditësh në këtë gazetë, vura në dukje që këto skuadra kanë arritur në periudha të ndryshme të fitojnë nga katër tituj kampionësh, në pesë vjet, duke hyrë kështu në historinë e futbollit tonë pas vitit 1945, kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Por, veç tyre, një skuadër tjetër, Tirana, po në këtë periudhë, saktësisht në vitet 1965‑1970, arriti të fitojë katër kampionate, madje po shkonte drejt titullit të pestë radhazi, sikur ky titull të mos i mohohej nga diktatura komuniste, pas një dënimi absurd dhe tendencioz, që tashmë njihet shumë mirë nga sportdashësit tanë. Nuk duhet harruar gjithashtu se Tirana, në kampionatet e viteve 1930‑1942, pra të periudhës së para Luftës së Dytë Botërore, është 8 herë kampione, nga të cilat katër herë radhazi, në vitet 1934, 1935, 1936, 1937, pra aq sa Dinamo dhe Partizani. Le ta analizojmë shkurtimisht triumfin pesëvjeçar të Tiramës së viteve 1965‑1970.

Që nga viti 1945, Tirana, që më pas u quajt 17 Nëntori, emër që lidhej me datën e çlirimit të kryeqytetit nga pushtuesit nazi‑fashistë, nuk arriti kurrë të ngrihej më lart se vendi dytë (më 1959), dukë zënë në shumicën e rasteve vendin e tretë, pas Dinamos dhe Partizanit. Por, në kampionatin e sezonit 1964‑1965, ajo theu për herë të parë hegjemoninë e dy skuadrave të mësipërme, që përfaqësonin elitën komuniste. Për herë të parë, pas vitit 1965, ajo i la ato pas dhe u shpall kampione.

Partizani dhe 17 Nëntori, gjatë këtij kampionati, ndiqnin njëri‑tjetrin. Por, në takimet midis tyre, dy herë fitoi Partizani (1‑0 dhe 2‑0). Mirëpo, i pushtuar siç duket nga ethe euforike, Partizani barazoi në Vlorë me Flamurtarin 0‑0, humbi me Dinamon 1‑2, i zhvilloi të gjitha ndeshjet duke grumbulluar 30 pikë. Ndërkohë, 17 Nëntori, që ishte një pikë pas, zhvilloi ndeshjen e fundit në Vlorë dhe me një gol të Ali Memës kapërceu një pikë Partizanin, duke u ngjitur në piedestalin e kampionatit me 31 pikë. Dhe deri më 1970 do të jetë “tenori i parë”, me solon e vet “altissimo”.

Në sezonin 1965‑1966, si Partizani, ashtu edhe 17 Nëntori, kalojnë me peripeci nga fitorja në fitore, por duke pasur pikë të barabarta deri në ditën e fundit; 38 secila. Ashtu siç e kemi parë, më 1950, 1957 dhe 1961, Dinamo dhe Partizani. Për të përcaktuar skuadrën kampione, më 12 qershor 1966 zhvillohet një ndeshje e tretë. E kam komentuar këtë ndeshje, së bashku me Ismet Bellovën dhe mësuesin tonë në mikrofon, Anton Mazrekun. Pjesa e parë 0‑0. Në të 53′ shënon Kazanxhi. Pastaj, në të 60′ dyfishon rezultatin Ishka. Shkurton në të 78′ distancën Jashari, i cili pas pak sa nuk barazon. Por tiranasit mbrohen mirë dhe fitojnë 2‑1. Për herë të dytë radhazi janë kampionë.

Që 17 Nëntori është skuadra më e mirë e vendit, e dëshmon edhe në sezonin 1966‑1967. Fiton takimin e parë kundër Partizanit 2‑0. Para takimit të dytë, midis tyre, 17 Nëntori udhëhiqte me 33 pikë, Dinamo kishte 31 pikë dhe Partizani, jashtë çdo synimi për titull, vetëm 25 pikë. Kam shkruar gjatë për këtë ndeshje, që u fitua 2‑1 nga kampionët. Madje i kam kushtuar edhe romanin “Tirana, dy orë para dënimit” (1999). Ndërkohë, Dinamo barazon 0‑0 në Shkodër me Vllazninë dhe mbetet tri pikë pas tiranasve. Ata, pas ndeshjes me Partizanin, do të ndesheshin me Tomorin, Lokomotivën dhe Traktorin, që zinin vendet e fundit në renditje, dhe nga 9 pikë të mundshme nuk do të ishte e vështirë që tiranasit të fitonin të paktën 4 pikë, që të ruanin përsëri titullin kamion. Por byroistët në tribubë, që ndiqnin ndeshjen 17 Nëntori‑Partizani, kur panë që dy herë kampionët fituan, me rezultatin e mësipërm, gjetën shkas nga grindjet midis disa lojtarëve në fushë e pastaj në dhomat e zhveshjes, që t’i përjashtonin të dyja skuadrat “për sjellje, që shkonin ndesh me normat e moralit komunist”, dhe nxitën FSHF‑në që ato të dyja të përjashtoheshin, vendim që i dha mundësi Dinamos ta fitonte këtë kampionat. Një vendim, si e si 17 Nëntori të mos fitonte kamionatin për herë të tretë radhazi, një vendim që nuk përfshihet në asnjë regullore të vendeve ku luhet futbolli.

Sidoqoftë, 17 Nëntori dëshmoi se ishte skuadra më e mirë e Shqipërisë në dy kampinatet e tjetra. Më 1968, në dyluftim përsëri me Partizanin, fitoi bindshëm takimin e parë 2‑0, dhe në javën e fundit ndodhej një pikë para të kuqve ushtarakë. Kampionët barazuan me ta në javën e parafundit 1‑1 dhe një pikë më shumë (45 me 44), përsëri mbetën kampionë.

Që 17 Nëntori ishte skuadra më e mirë e asaj periudhe, këtë e dëshmon edhe kampionati 1969‑1970. Vërtet të dyja takimet me Partizanin, tiranasit i mbyllën 0‑0 dhe 1‑1, por Partizani humbi pikë në takime me skuadra të tjera. Dhe kështu, me 44 pikë, pesë më shumë se kundërshtari i tij i rreptë, për të katërtën herë në pesë vjet, 17 Nëntori u bë kampion. Më saktë, po të mos ndodhte drama e verës së vitit 1967, kjo skuadër, së cilës diktatura i mohoi Kasmin, që u thirr të kryente shërbimin ushtarak, kur kishte arsim të lartë, dhe Ali Memën, të bënte zborin shumëmujor në Shkodër (1968‑1969), do të kishte qenë pesë herë kampione në pesë vjet, rekord absolut në kampionatet tona të viteve të pas Luftë së Dytë Botërore. Kjo është pa dyshim meritë e një plejade futbollistësh, që nga viti 1964, e përbërë nga Elini, Tafaj, Saraçi, vëllezërit Osman dhe A.Mema, Halili, Bylyku, Frashëri, Kasmi, Bukoviku, Bytyçi, Konomi, Gjoka, Hyka, Verria, Ishka, Kazanxhi, etj., të drejtuar nga trajneri i njohur Myslym Alla dhe ndihmësi i tij, Enver Shehu.
(marre nga Sporti Shqiptar Online)



_________________
Oh Tirona, perpara cuna
bertiste Moli, nga tribuna
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: Tirona 1965-1970, nje epoke & nje drame bardheblu!
PostPostuar: e mĂ«rkurĂ« 27/06/2012 18:34 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e shtunë 18/04/2009 14:26
Poste: 1640
Vendndodhja: Tirane
45 vjet pas historisë tragjike të përjashtimit të "17 Nëntorit" nga kampionati i futbollit të vitit 1967. Sportdashësit e "17 Nëntorit", gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj "Dinamos"

"Tirona", një kampione e dënuar nga diktatura!...

Nga Skifter Këlliçi

Boston, (SHBA)

Historia e futbollit botëror njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit, përleshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj, ndërhyrje të tifozëve të njërës a tjetrës skuadër, kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve, allishverishe, shfaqje korrupsioni që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh, trajnerësh, drejtuesish, por kurrë përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi i kampionatit. Dhe kjo, sepse rregullorja e futbollit nuk parashikon veprime të tilla. Nuk përfshihen këtu raste kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër a një tjetër, siç ndodhi në sezonin 2005-'06 në Itali, ku, si pasojë e procesit të ashtuquajtur "Calciopoli", "Juventusit" iu hoq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë dhe "Milani", "Fiorentina", "Lacio", "Rexhina" etj., u detyruan ta fillonin kampionatin me disa pikë më pak, ashtu si "Atalanta" në sezonin e kaluar, ose ato që po ndodhin përsëri këto muaj në Itali.
Por ajo që ndodhi më 24 qershor të vitit 1967, pas ndeshjes "17 Nëntori"-"Partizani", kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdimi i këtij kampionati, është një shembull i paparë dhe unik në botë.
Deri në kampionatin e vitit 1965-'66, kur "Vllaznia" ishte shpallur dy herë radhazi kampione më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra kishin fituar kampionatet në vazhdim: Këto ishin "Partizani", i krijuar më 1946, (11 herë) dhe "Dinamo", i krijuar më 1950, (6 herë).
Dhe ja, në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1996-'66, "17 Nëntori" i Tiranës, duke mundur "Partizanin" 2-0, fitonte për herë të parë në historinë e kampionateve të pas Luftës së Dytë Botërore, titullin kampion.
Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë që i jepej këtyre dy skuadrave të privilegjuara të udhëheqjes komuniste, dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Thyhej kështu një mit.
Në dukje, këtu nuk kishte asgjë të keqe. Madje, po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve. Por udhëheqjes komuniste i pëlqente që kampionatin ta fitonte çdo skuadër tjetër, por jo "17 Nëntori", pra, "Tirana", shumë herë kampione që nga 1930 kur ishte zhvilluar kampionati i parë…

Mllefi i byroistëve kundër "Tiranës"

Urrejtja kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature, Sigurimit të Shtetit, ishte shumë e madhe. Kështu kjo urrejtje përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta. Dhe një nga këto mënyra u bë futbolli.
Sportdashësit e "17 Nëntorit" dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra të tjerë në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj "Dinamos" dhe veçanërisht ndaj "Partizanit". Këtë gëzim ata e shprehnin hapur me thirrjet, "Forca Tirana, (Tirona)" dhe në ndeshjet e "Partizanit" edhe me thirrjet, "Bjeruni të kuqve!", sepse futbollistët e saj luanin me fanella me ngjyrë të kuqe. (Madje në vitet '50, ata mbanin edhe të mbathura të zeza, si të përfaqësueses sonë).
Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942-'43, kur "Shprefeja", skuadër e të rinjve të lagjeve të Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane. Kur ushtarakët fashiste thërrisnin: "Forca gli axurri!", ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet: "Forca të kuqtë!", sepse fanellat e "Shprefesë" ishin të kuqe dhe të mbathurat e zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.
Në dukjen e jashtme, thirrja "Bjeruni të kuqve!", vërtet disi e ashpër, ishte thjesht një thirrje e natyrshme në një ndeshje sportive. Pra, sulmoni dhe mposhtni të kuqtë, ashtu si edhe tifozët e "Partizanit" mund të thërrisnin: "Bjeruni bardhebluve!".
Mirëpo kjo thirrje nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politike, që ndeshjet midis këtyre dy skuadrave i ndiqnin nga tribuna e udhëheqjes, sepse ajo mund të kuptohej edhe kështu: "Bjerini së kuqes!", që ishte simboli i komunizmit.
Me përjashtim të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, të gjithë byroistët e tjerë do t'i shihje çdo të diel në tribunë. Dhe të tërë, veç Kadri Hazbiut, ishin tifozë fanatikë të "Partizanit". Bile, Gjeneral Petrit Dume kishte raste që në pushime të ndeshjes së "Partizanit" edhe të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që, sipas tij nuk po luante mirë. Madje një herë, siç dëshmon Mico Ndini, ish-futbollisti i njohur i "Partizanit" të viteve '60, ky gjeneral, pas një humbjeje të "Partizanit" me "Skënderbeun", të arrinte me makinën e tij autobusin e "Partizanit", që udhëtonte për në Tiranë, ta ndalte atë e t'i fyente futbollistët.
Po të kthehemi te "17 Nëntori". Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër "Besës" në Kavajë, në fillim të dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë, por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, (sot godina e MTKRS-së) dhe atje vazhduan me thirrjet: "Tirana, Tirana!". Dhe të mos harrojmë se në ato çaste në klub ndodhej pikërisht Gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturës, të cilët, s'do mend, mbetën të habitur.
Që ky ishte një provokim i kapur, për këtë nuk kishte dyshim. Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mirë ai mund të përgjigjej "Nuk bëra asgjë, veçse thirra me shokët e mi: 'Forca Tirana!'".
Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetër që sportdashësit tiranas e quanin skuadrën e tyre me emrin e vjetër, "Tirana" dhe jo "17 Nëntori", siç u quajt ky klub pas ardhjes së komunistëve në fuqi, për nder të çlirimit të kryeqytetit.
Ja, pra, në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967. Kasta e kuqe nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të "17 Nëntorit" në këtë kampionat pas fitores së një viti më parë.
Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga "Partizani" e "Dinamo", paria e Ministrisë së Mbrojtjes filloi të përdorë makinacione nga më të çuditshmet. Pikërisht në këtë periudhë, futbollistët e "17 Nëntorit", Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kulturës fizike, u dërguan, i pari në Shkodër, (gjashtë muaj) dhe i dyti në Skrapar (18 muaj), që të kryenin… zborin usharak. (I tërë ky makinacion u krye drejtpërdrejt me urdhër të Petrit Dumes). Kështu skuadra tiranase u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni pa këta dy lojtarë titullarë.
E megjithatë, valanga e "Tiranës", (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme.
Dhe ja erdhi 24 qershori i vitit 1967. Ditë e shtunë. Pse kjo ndeshje të shtunën e jo të dielën, kur nuk kishte ndeshje tjetër sipas kalendarit?
Edhe këtu kishte një dredhi: të dielën "Vllaznia" priste në Shkodër "Dinamon". Deri atë javë "Tirana" kryesonte me 33 pikë, "Dinamo" kishte 31 e "Partizani" 25, jashtë çdo lufte për t'u bërë kampion. Por duhej medoemos që "Tirana" të mos përsëriste suksesin e një viti më parë. Pritej, pra, që "Partizani" të fitonte kundër "Tiranës". E atëherë të bëhej ç'është e mundur, madje, të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj "Vllaznisë" edhe ajo pa pretendime për titull, që "Dinamo" të fitonte.
Në këtë mënyrë, si "Tirana", ashtu edhe "Dinamo", barazoheshin me pikë e kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte "Dinamo", me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por këtë radhë e Ministrisë së Brendshme.
E vërtëta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste nuk ishte kaq e lehtë të realizohej, sepse në tri ndeshjet e fundit të kampionatit "Tirana" do të ndeshej me "Tomorin" e Beratit, "Lokomotivën" e Durrësit dhe "Traktorin" e Lushnjës, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit të sezonit 1966-'67.
Mirëpo "Tirana" shpartalloi çdo hamendësim të parisë së kupolës së kuqe: ajo mposhti në sy të tyre "Partizanin" me rezultatin 2-1.
Të dyja skuadrat aktivizuan në atë sezon këta futbollistë:
"Tirana": Tafai, Elini, Frashëri, Dhales, Gjoni, Bytyçi, O.Mema, Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, (trajnerë, M.Alla e E.Shehu).
"Partizani": Janku, Jozja, M.Gjika, S.Gjika, Dingu, Rragami, Shule, Karriqi, Shllaku, Dani, Rudi Pano, Jashari, Shaqiri…(trajnerë R.Resmja e M.Ndini).
Nuk po futemi në përbërjen e skuadrave dhe në kronikën e lojës, e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës "Sporti Popullor". Por nga fundi i pjesës së dytë, pra dhe të krejt ndeshjes, pati raste të një loje të rëndë, të shkaktuar nga lojtarë të të dyja palëve. Kjo atmosferë e nderë vazhdoi edhe pas përfundimit të ndeshjes para dhomave të zhveshjes. Por nuk pati skandale, nuk pati përleshje, nuk pati, për më tepër, as ndërhyrje të shikuesve tifozë të njërës a tjetrës palë në fushë.
Gjyqtari mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja. Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar për kaq, ose aq ndeshje. Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit.
(Ndërkohë, "Dinamo" nuk mundi të arrinte veçse në barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg "Tiranës", që, duke pasur, siç e thamë dhe më sipër, ndeshje më të lehta, tashmë po çimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi titullin kampion).
Si pasojë, pas përfundimit të ndeshjes "Tirana"-"Partizani", në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet entuziaste, "Tirana, Tirana!", të cilat, si gjithnjë, u vrisnin veshin udhëheqësve komunistë. Ndaj ata u larguan të vrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t'u zhdukur në bllokun e udhëheqësve. Megjithatë, duke menduar diçka të ligë…

Vendimi mizor!..

Dhe ja ligësia skandaloze: në gazetën "Sporti Popullor", të datës 27 qershor të vitit 1967 u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionati i vitit 1966-'67 për shfaqje të theksuara antisportive.
Ky vendim absurd ra si bombë në opinionin sportiv shqiptar. Si ishte e mundur që FSHF-ja të guxonte të merrte një vendim të tillë dhe mbi çfarë faktesh, kur vetëm disa futbollistë u grindën me njëri-tjetrin?
Vite më pas, kur jam marrë me këtë ngjarje tmerrësisht dramatike, kam pyetur ish-drejtues të FSH të Futbollit, madje të Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Por, për fat të keq, të tërë kanë ngritur supat duke më shpjeguar se nuk mbanin… mend hollësi të këtij vendimi. Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror. Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë procesverbal të ndonjë mbledhjeje të FSHS-së për këtë ndeshje, asnjë vendim, asgjë…
Atëherë lind pyetja: Kush e mori këtë vendim? Kryesia e FSH të Futbollit? Cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, a kryetarin a kryesinë e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, do të kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatit, aq më tepër kur njëra prej tyre nuk ishte as më shumë e as më pak, por "Partizani" i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e kupolës së kuqe?
Është e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e di Ramiz Alia, që ishte shefi i propagandës në Byronë Politike dhe ai që nuk mungonte kurrë jo vetëm në ndeshjet e "Partizanit", por edhe të skuadrave të tjera.
Motivi është shumë i qartë; duke përjashtuar "Tiranën", "de jure", kampione, "de facto" e tillë bëhej "Dinamo", pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës. Dhe në opinion krijohej ideja: "Ja, bashkë me 'Tiranën', përjashtohej edhe 'Partizani', pra dënimi ishte i barabartë për të dyja skuadrat".
Por harrohej, ose bëhej sikur harrohej, se kështu "Tiranës" iu mohua titulli kampion në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së tij. Kjo ishte një goditje shumë e fortë që iu dha kësaj skuadre dhe sportdashësve të saj. Ishte një luftë e filluar që në shtator të vitit 1963. Dhe ja se si:
Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës, Skënder Halili, një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj të futbollit shqiptar të të gjithë kohëve, pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e "Dinamos", nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre, edhe pse iu ofruan kushte të mira pune e jetese. Ai u kthye te "Tirana" e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës, te sportdashësit që e pritën krahëhapur.
Por drejtuesit e Ministrisë së Brendshme ia mbajtën vath në vesh këtë refuzim. Dhe ja, u gjet një shkas për ta shkatërruar përfundimisht. Befas në shtator të vitit 1966 u arrestua, para se "Tirana" të nisej për një ndeshje jashtë shtetit. Urdhri u dha drejtpërdrejt nga vetë ministri, Kadri Hazbiu, sepse atij iu gjetën …60 dollarë amerikanë dhe si pasojë, u dënua me disa vjet burgim.
Kështu në moshën 24-vjeçare u mbyll jeta sportive e këtij futbollisti, që do t'i kishte dhënë aq shumë futbollit shqiptar. Por diktaturës aq i interesonte. Rëndësi kishte që një "armik" të asgjësohej.
Vdekja e tij e parakohshme më 1981 dhe varrimi i tij, ku, me gjithë kohën e keqe, morën pjesë qindra e qindra sportdashës, ishte një shfaqje e heshtur proteste ndaj diktaturës. Pastaj, kjo luftë, siç e pamë, vazhdoi me… "kryerjen" e zborit ushtarak jashtë "Tiranës" të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit.
Sidoqoftë, kjo nuk e mposhti "Tiranën", që ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë duke fituar kampionatet e vitive 1968, '68-'69 dhe 1969-'70 dhe duke shënuar kështu një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij klubi, por edhe të futbollit shqiptar.
Vite më pas kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i "Dinamos". Duke rikujtuar përjashtimin e "Tiranës" nga kampionati i sezonit 1966-'67, ai ma pati thënë: "Në ceremoninë e përfundimit të kampionatit u ndalova të bënim të ashtuquajturin rrotullim rreth fushës me kupën në duar që nuk e meritonim. Ajo kupë dhe ai rrotullim i takonte 'Tiranës' dhe vetëm 'Tiranës'".
I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997 nisa të shkruaja romanin me titull "Tirana", dy orë para dënimit. M'u desh të bisedoja me futbollistë të asaj kohe, portierin Elini, mbrojtësit Frashëri, Osman Mema, vëllai i Ali Memës, me portierin e "Partizanit" Janku, me Panajot Panon legjendar… Por edhe me trajnerin e "Partizanit" të atyre viteve, Refik Resmja.
"Përjashtimi i Tiranës", më tha ai atëherë, qe një akt i shëmtuar i diktaturës.
Unë u indinjova së tepërmi, ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë ndeshjen me të. Por "Tirana" e meritoi fitoren, siç do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati.

Rikujtim…

…Shkurt i vitit 1999. Për një muaj nisem së bashku me gruan dhe djalin për në SHBA, ku jetoj prej gati tetë vitesh. Sapo është botuar romani im "Dy orë para dënimit", kushtuar kësaj ngjarjeje të dhembshme. Në pjesën e përparme të mbulesës është fotografia e "Tiranës" së atyre viteve, e mjeshtrit të fotografisë, Petrit Kumi dhe në pjesën e pasme, foto të një kësaj ndeshjeje, të botuara për herë të parë dhe të nxjerra nga arkivi i fotoreporterit të njohur sportiv, Enver Shabani.
Lutfi Nuri, një ndër sponsorizuesit e botimit të romanit dhe aso kohe edhe president i SK "Tiranës", organizon në sallën e madhe të Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve paraqitjen e librit. Në krye të sallës, në kolltukë në formë gjysmë rrethi, janë ulur një pjesë e mirë e futbollistëve të të dyja skuadrave që u ndeshën atë ditë qershori të vitit 1967 dhe pranë tyre, Myslym Alla, trajner i "Tiranës" dhe ndihmëstrajneri i "Partizanit", Mico Ndini.
Promovimi bëhet në formë bashkëbisedimi, i ndërthurur me një koncert nga disa nga aktorët e njohur të Estradës së Shtetit, ku nuk mungojnë Skënder Sallaku, Mariana Kondi dhe këngëtarët Ema Qazmi e Kasem Hallulli, që këndojmë këngë për "Tiranën" e atyre viteve...
Janë shumë të ftuar, ndër të cilët ish-shefi i klubit të "17 Nëntorit", Lame Konomi, ish-futbollisti dhe intelektuali i njohur, pr. Skëndër Begeja, komentatori tashmë popullor i Radio "Tiranës", Ismet Bellova që ka komentuar këtë ndeshje, gazetarë sportivë… Dhe sjellin kujtimet e tyre për këtë ndeshje, shprehin keqardhjen dhe indinjatën për këtë akt të shëmtuar të diktaturës që vrau "Tiranën", kampione të pashpallur të sezonit 1966-'67.
Çuditërisht nuk vjen asnjë gazetar sportiv i RTVSH-së të bëjë të paktën një kronikë për emisionet e lajmeve, asnjë gazetar i gazetës "Sporti Shqiptar"… Dhe të mos harrojmë se Anton Mazreku, një ndër personazhet kryesore të romanit, është themeluesi i mikrofonit sportiv në Radio "Tirana" dhe themeluesi i kësaj gazete.
Por nuk mjafton kjo: V.G., -gazetar sportiv i TVSH-së, deshi të pengonte përgatitjen e një kronike kushtuar botimit të romanit "Tirana dy orë para dënimit". U arrit vetëm pas ndërhyrjes së drejtorit të Përgjithshëm të RTVSH-së.
Në fund të këtij takimi, e ndjej veten të rrethuar nga futbollistë e sportdashës që më urojnë për botimin e këtij romani dhe më falënderojnë që pas 31-vjetësh bëhem nismëtar për të rikujtuar këtë ndeshje dhe për të bashkuar futbollistë të të dyja skuadrave në një takim të tillë.
Kështu marr me vete për në Amerikë një nga kujtimet më të prekshme të jetës sime në mjediset sportive, ku kam kaluar mbi 50 vjet…
Sot më 24 qershor të vitit 2012, prisja që Bashkia e Tiranës, Shoqata "Tirana" dhe vetë drejtuesit e SK "Tiranës", të organizonin një takim të tillë, po me ata lojtarë të të dyja skuadrave që luajtën në 24 qershor të vitit 1967, ndonëse disa prej tyre nuk janë më midis nesh, (Myslym Alla, Enver Shehu, Bahri Ishka…). Aq më tepër me rastin e 45-vjetorit të këtij akti të dhunshëm të diktaturës komuniste.
Madje për këtë qëllim i shkrova dy herë një mikut tim, publicist i njohur sportiv, anëtar i Shoqatës "Tirana". Shtova se në fund të këtij takimi ish-futbollistëve të mësipërm dhe sportdashësve më të hershëm të "Tiranës" t'u dhurohej nga një kopje e romanit tim "Tirana dy orë para dënimit"… Shtova gjithashtu që të kujtonte gazetarët e RTVSH-së që kanë materiale filmike të asaj periudhe, të përgatitnin një emision të posaçëm kushtuar kësaj ngjarjeje…
Kur më shumë se 13 vjet të shkuara e kisha bërë këtë vetëm me nismën time, si të mos bëhej kjo nga këto institucione shtetërore? Por ai me keqardhje më shkroi para dy javësh se ky propozim, që e quajti të shkëlqyer, nuk kishte gjetur mbështetje…
Për të ardhur keq, shumë keq…



_________________
Sportklubi i themeluem më 16 gusht 1920, ka për qëllim zhvillimin e të gjithë llojeve të lojnave sportive, tue ndjekë të gjitha ato përfundime aksiomatike që rrjedhin prej zhvillimit të sportit.
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit pĂ«r nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 2 postime ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek:  

cron