Sot është e djelë 22/04/2018 16:39
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 4 postime ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: 20 Shkurti & Flamuri pa yll
PostPostuar: e premte 11/06/2010 17:49 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e martë 16/02/2010 19:47
Poste: 5259
Vendndodhja: D-57072
Skandali me dekorimet për 20 shkurtin
Ferdinand Dervishi
01/04/2009 - 10:28 (Gazeta Panorama)

Mbërriti nga Detroiti i Shteteve të Bashkuara mesazhi që do na shkundte nga e përditshmja. Vetëm pak ditë pasi Presidenti Bamir Topi u vari në gjoks një numri të madh merituesish medaljet e arta, e jo të tilla, për meritat e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Njeriu përmatanë, që kishte vënë përgjysmë me iniciale emrin dhe adresën, - “E. Zaimi, Detroit, SHBA” – duket e kishte vëzhguar ngjarjen e re i pamolepsur nga sëmundja kolektive e shqiptarëve, që ka lidhje me harresën e historisë. Një mesazh brilant që niste me “fort i nderuari President”, vazhdonte me emocionet e aprovimin për vlerësimet e vonuara dhe përfundonte me dyshimin për saktësinë në përzgjedhje të të dekoruarve. Ndërsa protesta nëpër rreshta lexohej me tone të larta në momentin kur mendimi i E. Zaimit shkonte te harresa për Rajmonda Bulkun, për rolin e së cilës shkruante se “shtypi butonin dhe populli si një trup i vetëm u drejtua nga qendra” dhe vazhdonte me një listë emrash të tjerë, që e meritonin të ishin përballë Presidentit të Republikës ato çaste.
Protagonistët e harruar
Të harruarit e mëdhenj nga Presidenca, në të gjitha rastet, nisin pikërisht më artisten Rajmonda Bulku. Pasi këtu provat e meritës janë aq të mëdha saqë mund të krahasohen me përmasat e dëshmive të gjithë qytetarëve të një shteti dhe jo vetëm. Të gjithë qytetarët aktivë të shoqërisë mund të kujtojnë transmetimet e televizionit shtetëror pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në shesh, kur spikeri, harruar censurën apo edhe autocensurën, duke ecur me shpjegime pas figurës, tha se ishte pikërisht artistja Rajmonda Bulku që e ftoi popullin të nisej nga “Qyteti Studenti” për në sheshin “Skënderbej”. Dhe populli u nis. Rajmonda Bulku u vu në krye të një prej varganëve, mbase më të numërtit, deri në qendër të Tiranës. Dëshmitë pohojnë se në shesh artistja e njohur ka qenë nga të paktët të guximshëm, që nuk bënë asnjë hap pas përballë kërcënimeve dhe sulmeve të policisë. Kështu që jo vetëm në argumentimin e një mendjeje të vetme, Rajmonda Bulku duhet të kishte atributet kryesore të këtij zhvillimi, përndryshe, të harrosh artisten e njohur në këtë ngjarje, është njëlloj sikur të paraqitësh për botim një abetare pa shkronjën “a”. Për më tepër, vlerësimi i Bulkut për meritat e shfaqura në këtë ngjarje, që është ndër më të shënuarat në zhvillimet historike të Shqipërisë dhe më tej rikujtimi për çdo vit i të njëjtit zhvillim, bashkuar me imazhin e një femre të kalibrit të artistes së njohur, do të kishte qenë një vlerë e padiskutueshme e shoqërisë shqiptare. Një tjetër i harruar i madh, edhe sipas veshtërheqsit nga Detroiti, është edhe inxhinieri A**** Z*****. I njëjti që atë ditë ishte mbështjellë me flamurin kombëtar pa yll dhe që i vëzhguar sërish nga një popull i tërë, e shpërqendroi policinë, duke e tërhequr pas vetes në drejtime të kundërta me monumentin. I njëjti që përshkruhet me nota heroizmi në kujtimet e gazetarit Blendi Fevziu, të përmbledhura në botimin “Statuja pa piedestale”, botuar në vitin 1993, në Tiranë. Po kështu lidhur me këtë ngjarje, nuk mund të harrohet roli organizues i krerëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Agim Shima e Eqerem Kavaja e të tjerë, të cilët drejtuan në terren anëtarët e shumtë dhe të disiplinuar. Në listën e merituesve nuk mund të hiqej të paktën Fatmir Merkoçi, protestuesi tjetër i mbështjellë me flamur kombëtar pa yll, i cili u sakatua nga policia dhe përfundoi në spital në gjendje kome. Për çudi shkrime për F. Merkoçin janë realizuar nga gazetarët për çdo vit në përvjetor të ngjarjes, shoqëruar me fotografitë të tij të fiksuara gjatë momenteve që ka qenë në koma dhe të gjitha këto sigurisht që duhet të ishin të parat, që duhet të binin në duar të propozuesve të medaljeve. Në vende të nderuara, në të njëjtën listë, dëshmitë e mbërritura ende të freskëta flasin edhe për dhjetëra të tjerë, të plagosur, të arrestuar pas ngjarjes dhe të masakruar qelive të komunizmit, që ende nuk kishte dhënë shpirt...

PĂ«rdorim i ngjarjes?
Gjithçka që përfundoi me dekorime masive në Presidencë, nisi nga një shkrim, që u botua, mesa duket i plotë dhe pas asnjë ndërhyrje në një media të shkruar të nivelit të dytë, pas datës 20 shkurt 2007, me qëllim përkujtimin e ngjarjes së 16 viteve të shkuara. Më tej i njëjti shkrim, gati pa asnjë presje të lëvizur, u soll me postë elektronike në pothuaj të gjitha mediat e shkruara në fund të vitit 2008. Por rreth 17 vite pas ngjarjes, versioni që kërkohej të botohej e përçohej në publik kishte pak të përbashkëta me shkrimet e botuara për çdo vit në përvjetorin e 20 shkurtit 1991. Diku e gjeti rrugën e botimit, diku jo. Gazetarë që nuk kishin njohuri elementare për këto ngjarje u entuziazmuan nga heroizmi i protagonistëve dhe i heroit të padiskutueshëm të radhëve të shkrimit, i quajtur Saimir Maloku. Por në të vërtetë në artikull përshkrimi i 20 shkurtit 1991, ndërtuar mbi linja të njohura të ngjarjes, çalonte në rindërtimin e pikave kulmore të saj dhe për më tepër, nga të dyja këmbët, çalonte pikërisht në identitetet e protagonistëve, të cilët ishin kryesisht të panjohur më parë për publikun. Të njëjtin shkrim dhe versione të tij, të botuar më shpesh në gazeta të nivelit të dytë, e risolli në vëmendjen e njohësve evenimenti i datës 20 shkurt 2009, kur Presidenti Bamir Topi vari, në gjokset e një pjese të protagonistëve të ngjarjes, të cilët që të gjithë ishin cituar në këtë shkrim, medaljet e meritave. Një pjese, sepse jo të gjitha medaljet ishin prodhuar, pasi ndërkohë në institucionin “number one” të shtetit kishte pasur edhe një incident të njohur me shkurtim fondesh. Por kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka të marrin përgjigje pyetjet: A e meritonin të gjithë të dekoruarit që ishin atë ditë para Presidentit të Republikës? Kush u mor me përzgjedhjen e tyre dhe çfarë parametrash u përdorën për të caktuar kandidaturat? Përse u lanë jashtë liste të njohurit e gjithë një shoqërie si protagonistë të deritanishëm? Këto dhe të tjera gazeta do të sqarojë në numrat në vazhdim përmes dëshmive autentike të protagonistëve.

Dekoratat e dhëna më 20 shkurt 2009

Me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”: Sindikatat e Pavarura të Shqipërisë.
Me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”” z. Saimir Maloku.
Me “Medaljen e Mirënjohjes”: Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës.
“Pishtar i Demokracisë”: znj. Hyget Murat Borova, znj. Lida Dhori Bezhani, znj. Liliana Lame Llapaj, znj. Lindita Muharrem Hamiti, z. Astrit Gjolek Hatellari, znj. Sanije Ibrahim Vojka, z. Albert Dino Risila, znj. Vera Hasan Rada
Me “Medaljen e Mirënjohjes”: z. Ardian Besnik Heta, z. Xhovalin Nazmi Çokani, z Hajredin Rauf Fratari

Blendi Fevziu: Si u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës

Vetëm 2 vite më pas, më 1993, kur ngjarja ishte ende e freskët, ja se si përcillej momenti i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, nga gazetari i njohur, Blendi Fevziu, në rreshtat e librit të tij “Statuja pa piedestale”.
“Isha së bashku me Gonin, operatorin e PD-së, kur mbërritëm tek sheshi. Midis një zallahie spektatorësh, atje kishte më tepër se gjysmë ore që vazhdonte përleshja. Njerëzit të ardhur nga disa drejtime e të bashkuar në shesh i qenë vërsulur për të shfryrë mërinë e tyre, monumentit të bronztë të Enver Hoxhës. Përleshja vazhdonte pothuaj sipas të gjitha rregullave të një beteje. Disa dhjetëra vetë tërhiqeshin, armatoseshin me gurë dhe sulmonin drejt monumentit. Policët largoheshin dhe me të mbaruar breshëria e gurëve, sulmonin përsëri piedestalin e zotëruar përkohësisht nga demonstruesit. Monumenti vazhdonte të kalonte nga duart e njërit tek tjetri vazhdimisht, pa pyetur për krismat, ushtarët me qen, gurët dhe shkopinjtë e gomës. Derisa diku, në lulishten pas monumentit, në prapavijat e demonstruesve, një shoferi i panjohur shkarkoi një makinë të madhe me copa të vogla mermeri. Të armatosur mirë, nën thirrjet inkurajuese, grupi i shumëfishuar nisi edhe njëherë sulmin. Policët u tërhoqën afër shatërvanit, pritën rënien e furisë së gurëve, u bënë gati të sulmonin, kur ndodhi diçka e papritur. A**** Z*****, një inxhinier i ri, me flamurin pa yll në duart u ul në gjunjë përpara monumentit me fytyrën të kthyer nga sulmuesit. Policët u stepën, hezituan të përparojnë një moment, pastaj u nisën më ngadalë. Demonstruesit aq të hutuar, tashmë pa gurë në duar hezituan edhe ata një moment të tërhiqeshin për t’u armatosur me të tjerë gurë.

-Mos, klithën njerëzit rrotull, e vranë.
Shumë vetë u zgjatën të tmerruar. Disa mijëra vetë që qenë pas shpinës së policisë, me fytyrë nga monumenti, u afruan. Demonstruesit e çarmatosur përpara piedestalit, për të mos e lënë vetëm flamurmbajtësin, nuk u tërhoqën. Një grup tjetër i ardhur nga pas i mbështeti me një breshëri gurësh. Policët ndaluan, qëndruan një moment, pastaj u tërhoqën drejt qendrës. U grumbulluan diku pranë shatërvanit krejt pasivë. Turma e njerëzve nisi të përparojë edhe më pas shpinës së tyre. Rreth piedestalit u mblodhën më tepër njerëz. Ata thërrisnin fort, thuajse me histeri. Të tjerët vështronin të tendosur me gurë në duar, policia nuk sulmoi. Grupi rreth monumentit vazhdonte të thërriste. Me sa duket i jepte besim vetvetes për të mos e lëshuar atë. Tarracat rreth sheshit qenë mbushur me ushtarë të armatosur. Të gjithë kërkonin një kavo dhe kavoja nuk vinte. Pak minuta më vonë dikush solli disa metra litar. Si në një film me xhiro të shpejtë laku i litarit u lidh në gishtin e vogël të dorës së monumentit të bronztë të diktatorit. Të asaj dore të vendosur mbas shpine kërcënuese. Kur ajo të dilte përsëri përpara, do të fillonte masakra. Qindra vetë u zgjatën ta tërheqin. Monumenti u lëkund një moment, edhe një herë tjetër, për së treti, e duke lënë pezull një pasthirrmë ankthi, më 14:05, trupi i stërmadh i Enver Hoxhës, i gjithi i bronztë, ra në drejtimin veriperëndimor”.


Emigranti: U nxituat me dekorimet

Kjo është përmbajtja e plotë e mesazhit të nisur nga një emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ngrinte pikëpyetje për dekorimet për 20 shkurtin 1991. Gazeta investigoi dhe doli në përfundimin se gjithçka në letrën e mbërritur është saktësisht e drejtë. Ja përmbajtja e plotë e saj.
Fort i nderuari President!
Ditë më parë ndoqëm nëpërmjet mediave nderimin që i bëtë 20 Shkurtit 1991, si një datë që ndau epokat. Si pjesëmarrës në vetë të parë në ato ngjaje, përjetova emocione dhe disa përshtypje, të cilat po i shtroj më poshtë. Plotësisht i merituar, vlerësimi Juaj për këtë datë. Për 20 Shkurtin duhet të theksohet që ishte data kur qeveria komuniste dha për herë të parë dorëheqjen pas 47 vjetësh. Kjo, së bashku me vendimin për heqjen e emrit të Universitetit, do të mjaftonte për t’i dhënë vendin e nderit në historinë e re të Shqipërisë. Njëkohësisht asistuam në dekorimin që i bëtë disa protagonistëve të asaj date. Një veprim i drejtë, ndoshta i vonuar. Megjithatë, kur sjell ndërmend tablonë e asaj dite, të linte një përshtypje sikur po ndodhte një farë “akaparimi”, një farë “dekretimi” ose “peshimi” meritash edhe vlerash.
Paraprakisht dua të theksoj se nuk kam as edhe dyshimin më të vogël mbi kontributin e të gjithë të dekoruarve në atë ditë. Por a ishte 20 Shkurti vetëm nisma e një grupi njerëzish, të njohur midis tyre, sado aktivë të ishin treguar ata?
Për të qenë të sinqertë, duhet të kujtojmë se kjo ditë zanafillën e kishte tek revoltat e para antikomuniste të Shkodrës dhe Kavajës. Për të vazhduar me rebelimin e studentëve, Grevën vetëmohuese të Urisë, mbështetjen që dha i gjithë populli i Tiranës. Një lëvizje e tillë mbarë popullore kishte brenda revoltën ndaj padrejtësive të sistemit, mbështetjen ndaj sakrificave të studentëve, shpresën për një jetë më të mirë.
Në Tiranën e prag 20 Shkurtit, të gjithë flisnin se si do rrëzohej busti. Tani po mësojmë se këtë vendim e paska marrë grupi i z. S. Maloku dhe ia paska komunikuar edhe dr. Berishës. Është me interes të dimë se ku gjendeshin atë ditë të shënuar politikanët tanë të ardhshëm, ata që më vonë morën fatet e popullit në dorë. Kam përshtypjen se përgjigjja e kësaj pyetje shpjegon edhe vonesën për vlerësimin e kësaj date, tani dhe 18 vjet. Sidoqoftë, atë ditë një det i paanë u ngjit ne Qytetin Studenti. Nuk kishte grup personash që të mund të mobilizonte më se 100.000 vetë. Ata u ngjitën atje në mbrojtje të jetës së Studentëve dhe mbas thirrjes së BSPSH. Ju i dekoruat Sindikatat, z. President, por të gjithë kujtojnë rolin vendimtar të Gëzim Shimës, Eqerem Kavajës, Fatmir Merkoçit, I. Abazit me shokë. Fatmir Merkoçi e tregoi edhe më pas në shesh heroizmin e tij, ashtu si edhe mijëra të tjerë anonimë. Unë nuk e di se si do të mund të drejtohej nga ndokush ajo turmë ndaj qendrës. Por pas fjalës së Kreshnik Ndreut, ishte Rajmonda Bulku që “shtypi butonin” dhe populli si një trup u drejtua nga qendra. Mirë do ishte të kishit kujtuar sadopak rolin e saj në këtë ditë, megjithëse Rajmondës “dekoratën” ia ka dhënë populli me kohë, në kujtesën dhe mirënjohjen e tij. Pas 2-3 ditësh në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, u arrestuan dhjetëra vetë për “manifestime të paligjshme dhe cenimin e monumenteve”. Midis tyre edhe inxhinieri A**** Z*****, që kishte manifestuar me Flamurin Kombëtar, pronë e gjyshit të tij. Ishte i pari flamur pa simbole komuniste që shpalosej pas 47 vjetësh në sheshin “Skënderbej”; Vëllezërit Spaho, nga më aktivët atë ditë dhe që e ngritën mbi supet e tyre Astrit Hatellarin për t’ia vënë kavon statujës; Po ashtu edhe Meti, shoferi i poliambulancës, që ra në sy atë ditë... Këta dhe të tjerë, u izoluan në birucat e 313, u torturuan dhe iu dhanë gjyqit. Këtyre “dekoratat” ua dha Partia e Punës 18 vjet me parë, dhe motivacionin ua komunikoi jo në sallën e Presidiumit, por në sallën e gjykatave. Fatmirësisht, për këtë datë ekzistojnë filmimet e TVSH. Janë hapur ekspozita me fotografi dhe janë shkruar artikuj. Dhe B. Fevziu pat shkruar një libër, në mos gaboj “Piedestale pa statuja”. Ekzistojnë vendimet e gjykatave “e zezë mbi të bardhë”. Dhe mbi të gjitha, kujtesa e pjesëmarrësve. Tashmë në kohën e internetit, faktet janë aty, në dispozicion të gjithsecilit. Prandaj i solla këto fakte dhe dëshmi i nderuari z. President, për të theksuar se 20 Shkurti ishte një ngjarje mjaft e madhe dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë prizëm, kjo datë nuk mund t’i jepet me tapi një grupi njerëzish, sado i madh të ketë qenë kontributi i tyre.
Është më se i drejtë vendimi për nderimin e kësaj date dhe ju z. President i dhatë vlerësimin e duhur.
Sa për dekoratat, mund të ishit mjaftuar vetëm me NJË,
PĂ‹R POPULLIN LIRIDASHĂ‹S TĂ‹ TIRANĂ‹S SONĂ‹!
E. Zaimi, Detroit, SHBA



Rajmonda Bulku e pakënaqur: Meshkujt gjithmonë gabojnë

Krejt e painteresuar, krejt e qetë në qëndrimin e saj, artistja Rajmonda Bulku, nuk kishte dëshirë të fliste më shumë se me kod, apo më saktë me ironi, përgjatë një kontakti telefonik të kërkuar nga gazeta. “Është ngjarje e shkurtit, tani jemi në pranverë, kanë çelur lulet...”, ishte reagimi i parë i saj. Ndërsa përpjekjes së shtuar të gazetës për një opinion në lidhje me dekorimet për 20 shkurtin 1991, Bulku iu përgjigj sërish me lakonicitet: “Meshkujt gjithmonë gabojnë...” Natyrisht ka të ngjarë që artistja e njohur ta ketë pasur me të gjithë meshkujt, që kanë drejtuar Presidencën pas fitores së demokracisë. Më tej, veç përsëritjes së dëshirës se nuk i interesonte fare përfshirja në një çështje të tillë, zonja Bulku, nuk preferoi të flasë.
Artistja e mirënjohur Rajmonda Bulku, më 20 shkurt 1991, në mbështetje të studentëve të grevës së urisë dhe kërkesave të tyre, pas një fjalimi të saj, konsumuar në një podium informal përballë godinës së grevës, e ftoi popullin që ishte mbledhur në mbështetje të studentëve, të dilte në qendër të Tiranës. Fjalës së saj iu bindën të gjithë, dhjetëra-mijëra njerëz u varën poshtë për të shkuar në qendër, ku pas përleshjeve me policinë, u rrëzua simboli më i madh i komunizmit shqiptar, monumenti prej bronzi i Enver Hoxhës, që gjendej në qendër të sheshit “Skënderbej”.



_________________
Imazh
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 20 Shkurti & Flamuri pa yll
PostPostuar: e djelĂ« 13/06/2010 15:52 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e enjte 18/08/2005 16:49
Poste: 2188
Vendndodhja: Itali
Ason (Astritin) e kom pas pronar kur kishte picerin ke lana perball ish-ekspozites :D

Cun kampion ka qen vallaj..... nuk e di nga bohet tashi.



_________________
SE TIRONES DERI ME SOT, VEç TIRONCI I DEL ZOT
Imazh
27 X KAMPIONE !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 20 Shkurti & Flamuri pa yll
PostPostuar: e djelĂ« 20/02/2011 06:48 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e shtunë 31/07/2004 07:45
Poste: 3020
Vendndodhja: Tirone, Cepi Verior!
Per te mos harru'
http://www.youtube.com/watch?v=qn_At6D-CMQ


Jo në linjë
 Profili  
 
 Subjekti i postimit: Re: 20 Shkurti & Flamuri pa yll
PostPostuar: e djelĂ« 20/02/2011 22:28 
Fanatic
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e hënë 23/03/2009 18:04
Poste: 272
Vendndodhja: Tirone
Vite qe un nuk i kom kap ... po qe dhe kur i shof pa qen aty apo pa e dit si mund te ket qene, me ngjethet mishi...



_________________
Imazh
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit pĂ«r nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 4 postime ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek: