Sot është e premte 20/07/2018 01:14
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 1 postim ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: Sul Mema- Mall dhe dhimbje per Tironen
PostPostuar: e enjte 03/06/2010 05:34 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e djelë 14/08/2005 19:31
Poste: 720
Vendndodhja: USA
Sul Mema- Mall dhe dhimbje për "Tironën"...

Nga Agron SEJAMINI


Po e fillojmë nga dhimbja. Ka gati pesë vjet që nuk e shikon ekipin e Tiranës, as në stadium dhe as në televizion. Edhe më shumë e shqetëson, opinioni i ditës...

Nga viti 2005, i është lënduar keq shpirti me ekipin e tij të zemrës. Atëherë, hoqi kostumin e zyrtarit të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, për t'i shërbyer klubit që i dha emër dhe lavdi. Dikush e paragjykoi, të tjerë ia quajtën marrëzi, por ai dëgjoi shpirtin. Edhe "Tirana" ishte e dëshiruar, për t'u drejtuar nga një prej djemve të saj më të shquar, në fushën e blertë. Për më tepër, ky djalë ishte i fisit që kishte lindur për t'i dhënë fantazinë, bukurinë, magjinë dhe lavdinë fanelës bardheblu. Por, u zhgënjye shumë me atë që gjeti në ekip. Si duroi gjashtë muaj?! Dhe iku. Përsëri, u përgojua nga disa njerëz. Dhe si për të treguar se fisi Mema nuk ka qenë i denjë vetëm në fushë, por edhe në jetë, e mbajti dhimbjen përbrenda. Me shpresën dhe dëshirën e madhe që i gabuar të ishte ai. Nuk foli, duke besuar se ata që njihnin karakterin dhe dhëmbshurinë e Sulës për "Tiranën", do e ndjenin këmbanë, atë dorëheqje. Heshti për të mos trembur edhe të mirën që të rikthehej shpejt. Por ajo u vonua... Ndaj ndjen dhimbje! I vjen keq që nuk u mirëkuptua dhe nuk u vlerësua që atë vit. Ndërkohë, ka shtuar edhe më tepër dhimbjen dhe mërinë, për ato që kanë ndodhur te "Tirana". E nëse mund të pranojë si rastësi, rezultatet e dobëta që ekipi ka arritur vitet e fundit, e nëse mund të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh, për atë që shkruajnë gazetat dhe flasin televizionet aktualisht, ndjehet i shokuar nga ajo që dëgjoi para pak kohësh: Ekipi i para të rinjve të Tiranës, sivjet ka rënë një kategori më poshtë. Natyrisht, mes kësaj dhimbje jeton malli dhe detyrimi. Besimi dhe mendimi paçka se nuk e pyet kush atë dhe shumë yje të tjerë të "17 Nëntorit". E sheh fillimin e mbarë, nëse ekipi do të drejtohet nga Bashkia ose të privatizohet. Ata që janë të zhuritur për ekipin bardheblu, t'i ofrojnë mundësinë financiare dhe jo të pretendojnë presidencën. Sepse, Tirana nuk është shquar për buxhetin e madh të klubit, por për harmoninë, grintën, shpirtin, dëshirën... E këto virtyte i kanë shpalosur ndër vite, lojtarët që kanë veshur atë fanelë të shenjtë. E që të jesh i denjë, duhet të mëkohesh që kur je fëmijë, me këtë ndjesi dhe dashuri. Thënë ndryshe, puna duhet të nisi me ekipet zinxhir. As Kola dhe as Minga, ata që kanë bërë histori për këtë klub, nuk kanë qenë me origjinë nga Tirana. Por, u rritën dhe u përgatitën gradualisht në ekipet e moshave. Me mjeshtërinë, fituan karakterin dhe personalitetin e të qenit bardheblu. Të mos harrojmë, se Tirana e madhe ka qenë kampione që në vogli...

Gjithsesi, Sul Mema më shumë se sa dhimbje ndjen mall për "Tiranën". Sepse, aty nis dhe mbaron kuptimi dhe motivimi i jetës së tij. Ashtu si bashkëmoshatarët, dashurinë për futbollin e gjeti në rrugicën e lagjes. Por, ndjehej më me fat se të tjerët, pasi ishte djalë i Haxhi Arbanës (Mema) tiranasit që i kishin ngjitur nofkën "Piola", golshënuesi më i mirë italian, për kohën. Ishte nip, i të mëdhenjve bardheblu, Osman dhe Ali Mema. Gjithsesi, në futboll nuk mjafton historia e fisit. Duhet teknika, taktika të prirë nga përgatitja fizike. Mirëpo, kjo e fundit ka qenë jo në lartësinë e duhur për Sulën. Edhe pse ishte inteligjent dhe shumë i shpejtë në mendime dhe veprime, lojën e niste nga stoli. Trajner te të paratërinjtë pati babanë e tij, Haxhinë. Dalloi për finesë, driblime dhe goditjet standarde. Por... po të mos kishte atë mbiemër nuk kishte për ta fituar kurrë të drejtën e vazhdimit të shkollës së Mjeshtërisë Sportive. Normat teknike i fitoi Sula, ato fizike, Mema. E ndjeu këtë nder të Komisionit dhe iu përvesh punës për të dalë sa më mirë nga kjo shkollë. Gjatë një viti, u zgjat 13 centimetra dhe pati progres të madh në përgatitjen fizike. Në vitin 1974, nën drejtimin e Refik Resmes dhe Thanas Jançes, grumbullohet ekipi kombëtar i të rinjve për të nisur një turne 40 ditor në Kinë. Edhe këtu pati për "mik" mbiemrin. Në takimin e parë nuk u aktivizua. Të dytin u aktivizua në pjesën e dytë, por komplimenti ishte i jashtëzakonshëm. Ndërsa dilte nga fusha e lojës pas asaj fitoreje 2:1 për ekipin tonë, i madhi Refik Resmja, i afrohet dhe pasi e ledhaton, i lëshon batutën që do e bënte me krah:

- Mor kopil, unë nuk e besoja se luaje kaq mirë?!

I mjaftoi ajo pjesë e dytë, për të nisur nga minuta e parë të gjitha ndeshjet që vijuan. Madje, shënoi edhe gola... Të mos harrojmë, se në krah ka patur, Sul Starovën, Tit Hysenin, Ferit Ragamin, Ferdinant Lleshin... Një brez që do të hynte në historinë e futbollit shqiptar dhe atij ballkanik. Nga shkolla e mjeshtërisë, fal mjeshtërisë së trashëguar dhe fituar, fillon direkt studimet në Institutin e Lartë "Vojo Kushi", duke anashkaluar rregullin e kohës për të bërë një vit stazh. Ky përjashtim u bë edhe për Bajazitin, Luarasin, Starovën, Bifshën, Kushen dhe Bakirin. Shkaku i kësaj shkeljeje ligjore u kuptua qartë. Nga ajo "Shkëndi" surprizë dhe e nivelit të lartë cilësor për futbollin shqiptar, atë vit mbaruan shkollën, Vasillaq Zëri, Agron Sula, Petrit Gjoni, Agim Bulku... Boshllëku i tyre mund të zbutej, vetëm me këta shtatë lojtarë që vinin nga shkolla e mjeshtërisë. Dhe e justifikuan besimin. "Shkëndija" mbeti e fortë dhe këta shtuan mjeshtërinë deri sa u shpërndanë nëpër ekipet e qyteteve të tyre. Vendi i Sulës, te bardheblutë, i padiskutueshëm. E malluar dhe i dëshiruar "17 Nëntori" për Memën e vijimësisë... Historia e të afërmëve i shtoi krenarinë, grintën, dashurinë dhe shpirtin luftarak. Aq sa...filloi edhe të skuqej edhe me kartona. Jo nga dyluftimet me kundërshtarin se sa ato me gjyqtarin, që preferonin dukshëm "Partizanin" dhe "Dinamon".

Kujtojmë takimin me "Dinamon". Tirana e kishte siguruar titullin dy javë para, ndërsa bluve u duhej fitorja se luanin për UEFA. Takimin e drejtonte i mirënjohuri, Arsen Hoxha. Ndërsa jep me të drejtë faull për bardheblutë lëshon pe, në vendosjen e barrikadës. Ndërsa i bënte shenjë Sulës që të gjuante, ky nuk i bindej pa u vendosur dinamovitët, në largësinë e duhur. Një herë dy deri sa Sula nga inati e gjuan në drejtim të kundërt, jashtë fushës. Arseni i nxjerr kartonin e verdhë, Sula shton inatin, duke e ironizuar me përplasje duarsh. Kuptohet, edhe vetë lojtari nuk e kundërshtoi më të kuqin... Nuk u ul në stolin e ekipit, nuk priti as në dhomat e skudarës, por i mërzitur u nis për në shtëpi. Kur ishte para Radiotelevizionit, dëgjoi që stadiumi shpërtheu në ovacione. Shpresoi se kishte shënuar ekipi i zemrës, por nga një radio aty afër dëgjoi se, dinamovitët kishin shënuar golin e fitores. E kujton shpesh këtë ndodhi, pasi në foton e bërë si kampionë pas dy javësh, Sula nuk ka dalë me uniformë sportive, nga që nuk u aktivizua në ndeshjet e fundit, për shkak të kartonit të kuq.

Nuk ka si të harrojë edhe kartonin e kuq, të korçarit Dhori Prifti. Përsëri me "Dinamon" në një ndeshje kthimi për Kupën e Republikës. Takimi i parë kishte përfunduar 3:2 për "17 Nëntorin". Në ndeshjen e dytë, dinamovitët shënojnë dhe për të mbrojtur rezultatin, vononin topin pas çdo rivënie fundore. Në të gjitha rastet, Sula kërkonte ndëshkimin e kundërshtarëve me karton ose minuta shtesë. Por, sipas Sulës ndihmonte dinamovitët. Edhe pse për replikë e dënoi me karton të verdhë, mesfushori bardheblu nuk u urtësua në kundërshtimet e tij deri sa Prifti, i tregoi kartonin e kuq. I ka mbetur peng kjo finale që iu mohoi gëzimin e fitores së Kupës së Republikës.

E nëse me Arsen Hoxhën dhe Dhori Priftin ndjeu dëshpërim e keqardhje në një rast me Namik Jarecin, arriti të marrë edhe "hak". Luhej "17 Nëntori"-"Partizani". Kur rezultati ishte 2:0 për bardheblutë, gjyqtari ndëshkon ndërhyrjen e Millan Baçit ndaj Kushtës, me penallti. 2:1. Pas disa minutash, Hysi pengon në zonën e rreptësisë edhe më ashpër Arben Mingën. Për çudi, Jareci nuk tregon pikën e njëmbëdhjetë metërshit, por vazhdon ecjen mbrapsht, duke lëvizur të dy duart për vazhdimin e lojës. Sula përulet, bën sikur lidh këpucën, duke detyruar gjyqtarin të bëjë kapërdimin e papritur... Nuk priti të shikonte kartonin Sula, por menjëherë vrapoi, duke lënë fushën e lojës... Vite më pas, u ka kërkuar ndjesë të tre gjyqtarëve, paçka se nuk i ka bërë asnjëherë ata, krejt të pafajshëm. Sikurse ata, paçka se e kanë ndëshkuar gjithmonë me kartona, kanë ndjerë te ky lojtar grintën dhe sedrën e jashtëzakonshme. Gjithçka, për atë fanellë bardheblu, ndaj të cilës ndjehet borxhli një jetë!


Sulejman Mema


17.11.1955 - Ka lindur në Tiranë

1970-1974 - Shkollën e mesme të Mjeshtrisë Sportive

1974-1978 - Studimet në ILK "Vojo Kushi"

- Futbollist pranë ekipit të të rriturve "Shkëndia"

1978 - 1987 -Mësues i edukimit fizik në shkollën e Mesme Bujqësore, Tiranë

1978 - 1986 - Futbollist pranë klubit "17 Nëntori". Në këtë periudhë, fitues i dy kampionateve dhe tre kupave të Republikës si dhe pjesëmarrës në takime ndërkombëtare të vlefshme për Kupën e Kampioneve, Kupën e Kupave dhe Kampionatin Ballkanik.

1982-1984 - Anëtar i ekipit kombëtar shqiptar të futbollit

1988-1990 - Inspektor i sporteve pranë klubit sportiv "17 Nëntori"

1990-1995 - Trajner i ekipit të të rinjve "Tirana".

Prill 1995- Tetor 1996. Trajner i ekipit të të rriturve "Tirana". Në këtë sezon fitues i Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Republikës.

1996-1998 - Trajner i ekipit kombëtar "Shpresa"

1997-1999 - Specialist pranë FSHF-së, Sektori i të Rinjve.

1992-2002 - Sekretar i klubit të futbollit "Tirana". Ndërkohë disa herë gjatë kësaj kohe ka kryer edhe detyrën e trajnerit, duke fituar dy kampionate dhe tre Kupa Republike.

2002-2003 - Shef i Sektorit të Garave në FSHF

2003-2005 - Trajner i ekipit të të rriturve të Tiranës (6 muaj). Më pas trajner i të rriturve të "Partizanit".

Aktualisht, - Mësues i edukimit fizik pranë Institutit Arsimor "Willson" dhe trajner i ekipit të moshave në Kompleksin Sportiv "Ali Demi", Tiranë


KUALIFIKIME

1987-1988. - Kurs 1 vjeçar për trajner të Kategorisë së Parë.

Shkurt 1997. - Kurs i UEFA-s për trajner në Maltë

Prill 1988. - Kurs i UEFA-s për trajner në Spanjë

Maj 1999. - Kurs i UEFA-s për trajner në Itali

Maj- Qershor 1999. - Kurs gjashtë javor për trajner në Konverçano të Italisë, duke u pajisur me diplomat përkatëse: "A-UEFA" dhe "Kategoria e Dytë italiane" si trajner profesionist.


GJUHĂ‹ TĂ‹ HUAJA

Italisht dhe Anglisht


Me golin që i shënoi "Lokomotivës" fitoi shtëpinë...


Të tre djemtë e Haxhi Memës ishin bërë për nuse, por asnjëri prej tyre, nuk mund ta niste jetën te shtëpia e prindërve. Ndërkohë, Sula, kishte disa muaj që ishte fejuar me Elën. Jo vetëm pse ishte i pari në radhë, por, duke besuar edhe te emri që kishte bërë në futboll, nëpërmjet një kërkese, i lutet Komitetit Ekzekutiv për apartament banimi. Një, dy, tre muaj... dhe vetëm heshtje. Deri sa një ditë, shansi i zë rrugën...

Ekipi "17 Nëntorit", ishte grumbulluar te hotel "Drini", në qendër të Tiranës, për ndeshjen e javës, të vlefshme për kampionatin kombëtar.

Bashkë me shokun e tij, Millanin Baçin, çohen herët për të pirë kafen e mëngjesit. Tek dalin në bulevard, shohin në anën tjetër, trajnerin e tyre, Enver Shehun, që ishte takuar me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Jashar Menzelxhiu. Kuptohet, tema e bisedës për ta ishte ndeshja e radhës. Ndaj sapo i pa dy lojtarët, kryetari u bën shenjë, për të shkuar te ata.

- Sot, dua nga ju që ta shpartalloni "Lokomotivën"! Dëgjuat apo jo?!

-Do mundohemi shoku kryetar, u përgjigj kapiteni.

Ndërkohë, Sula i shkel syrin trajnerit, i cili e njihte prej kohësh shqetësimin e lojtarit të tij.

-Shoku Jashar! Sula ka dhe një hall tjetër. Është fejuar dhe nuk martohet dot se nuk ka shtëpi.

Ajo që për Sulën ishte më e vështirë se fitimi i një kampionati, për Kryetarin ishte gjëja më e lehtë.

- Po fituat sot, nesër në mëngjes ec më tako mua të jap autorizimin e shtëpisë!

Para se të dilnin në fushë, kapiteni i skuadrës, Baçi, u kujton lojtarëve të tij që të linin shpirtin në fushë për fitoren që vlente sa një shtëpi për Sulën.

Në atë kohë "Lokomotiva" e Durrësit, ishte nga skuadrat më të mira të kampionatit tonë. Pjesë e saj, ishin vëllezërit Ballgjini, Filjari, Koka, Hima, Abazi, Jani.... Jo më kot edhe Jashari, ishte trembur nga telefonatat e shumta, ku miqtë e tij durrsakë i thoshin që të përgatitej për humbjen.

Kalojnë dhjetë minuta dhe Haxhi Ballgjini shënon gol për "Lokomotivën". Shpërthen tifozeria durrsake dhe shushatet ajo bardheblu. Edhe më keq mesfushori i skuadrës së tyre. Pas dhjetë minutave ekzekutohet një faull me kombinacion nga ekipi i "17 Nëntorit". Mema, Muça, Minga dhe stadiumi shpërthen nga një gol i shkëlqyer i Agustin Kolës. Barazim që nisi furtunën tiranase. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Sula shënon golin e katërt. Hera e parë që gëzimi i tij devijoi nga tifozët dhe vërshoi drejt tribunës, aty ku ishte ulur Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Nuk rreshtëte së thirruri gol lojtari, por nuk harroi as kryetari të përsëriste fjalën e dhënë. I çuar më këmbë edhe ai nga entuziazmi i fitores, i bën shenjë Sulës, që nesër të pres në zyrë.

Për ta bërë edhe më të sigurtë atë besë fjale, "17 Nëntori" fiton 5:2. Nuk mbylli sy atë natë Sula, duke pritur me padurim zbardhjen e ditës. Gjysëm ore para takimit shkoi dhe përshëndet rojen e Komitetit. Pa ditur, se akoma më shpejt se ai, kishte mbërritur në zyrë, Kryetari.

-Urdhëro këtë porosinë që ma la shoku Jashar për ju, i drejtohet punonjësi i shërbimit, duke i lënë në dorë zarfin që kishte brenda autorizimin e shtëpisë.

Edhe sot e kësaj dite, Sula jeton në atë shtëpi që ia dha fitorja me "Lokomotivën".

(marre nga RD, edicioni online, 2 qershor 2010)



_________________
Oh Tirona, perpara cuna
bertiste Moli, nga tribuna
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit pĂ«r nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 1 postim ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek: