Sot është e martë 16/10/2018 12:02
Mirësevjen tek Fanatics' House Mik
Mund të regjistrohesh këtu

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]




 Faqe 1 prej 1 [ 1 postim ] 
Autori Mesazh
 Subjekti i postimit: Basketboll
PostPostuar: e enjte 04/12/2008 06:03 
Gjak BardheBlu
Ikona vetjake antarit

Antarësuar: e djelë 14/08/2005 19:31
Poste: 720
Vendndodhja: USA
Bujar Shehu, trainer i merituar dhe një ndër pesë basketbollistët më të mirë shqiptarë të shekullit


"TIRONA"/Bujar Shehu rrëfen persekutimin


Nga Agron SEJAMINI


Ka qenë një kohë, kur ishte shumë e vështirë të shikoje një ndeshje basketbolli, në Pallatin e Sportit në Tiranë. Madje, me atë biletë në dorë, duhej të kaloje disa postoblloqe police që nisnin nga gjimnazi "Qemal Stafa"... Hyje në ambjentet e atij amfiteatri sportiv magjik dhe menjëherë pushtoheshe nga emocionet. Kësaj epoke të artë i përket edhe Mjeshtri i Merituar i Sportit, Bujar Shehu, basketbollist dhe trainer i ekipit të Tiranës, "17 Nëntori". Paçka, se ky sport i dha emër dhe lavdi, ai që e tërhoqi fillimisht djaloshin tiranas, ishte futbolli. Duke patur për trainer, të madhin Xhavit Demneri dhe shok skuadre Ali Memën, Luigj Bytyçin, Gëzim Kasmin, Namik Jarecin, në ekipin e të rinjve të Tiranës, besonte se me futbollin do të bënte udhë të gjatë. Por nuk ndodhi kështu. Në gjimnazin "Çajupi" ndjesinë e kaloi në një dashuri tjetër. Nën drejtimin pasionant të mësuesit të fiskulturës, Abdulla Stërmasi, sëbashku me V. Shakën, F. Guraziun, A. Korbin, I. Konjarin dhe A. Gurashin, formuan ekipin e basketbollit të shkollës. Shumë shpejt, ata kapën majat jo vetëm në takimet e zhvilluara me bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë, por edhe në spartakiadën kombëtare të shkollave të mesme. Nuk është se kishte atë gjatësi që i duhej për basketbollin, pasi nuk i kalonte 1.74 centimetrat, por pasioni dhe vullneti i kompensuan gjithçka që nuk ia kishte falur natyra. Në fushën e lojës, ai dallohej më shumë se shtatlartët, me shpërthimet e tij të befasishme dhe saktësinë e gjuajtjeve në largësi dhe pozicione të ndryshme. Arriti sa të konsiderohej si "oksigjen i ekipit në momente asfiksie". Kjo fantazi e zhvilluar në parketin e lojës, u shpalos dhe u manifestua akoma edhe më shumë kur ai u caktua në rolin e trainerit. Kërkues për disiplinën taktike të lojës, ai u jepte "liri" lojtarëve që të harmonizonin drejt veprimet kolektive me cilësitë e tyre individuale. Dallohej për natyrën e tij të veçantë, ku serioziteti në punë ngërthehej aq natyrshëm me humorin dhe komunikimin e ngrohtë. Për 36 vjet ka qenë pjesë e Tiranës, si lojtar dhe trainer, duke hipotekuar në arkivin e tij, tituj dhe trofe të shumta. Jo pak krenar është edhe për 27 vjetët që drejtoi ekipin kombëtar. Janë shënuar mbi 100 takime ndërkombëtare që ai ka zhvilluar si lojtar dhe trainer. Ndaj me meritë, emri i tij është skalitur si pesë basketbollistët më të mirë shqiptarë të shekullit. Ka shumë kujtime dhe mbresa nga kjo karrierë e gjatë dhe e shkëlqyer. Ende përjeton emocionet e atij fund sezoni të viteve 1970-1971, kur fitoi titullin kampion, për herë të parë si trainer. Nga çdo këndvështrim që ta shikosh këtë takim, mes "17 Nëntorit" dhe "Partizanit" ndjen diçka të veçantë. Ishte takimi që vendoste kurorën e një kampionati, por dhe takimi që do të dëshmonte shumë për një udhë të saponisur si trainer i bardhebluve. Rrjedha e lojës, i mbajti në ankth të dy tifozeritë, gjatë gjithë lojës. Por kulmin e emocioneve e paskësh "fshehur" minuta e fundit. Kur kishin mbetur edhe dy sekonda, çka nuk të jepte mundësi as të ecje përpara, Roland Topalli, nga mesi i fushës fluturon topin drejt tabelës... Fati e deshte që ai kosh të mbetej i paharruar në historinë e basketbollit të ekipit bardheblu dhe trainerit të saj. Historik, sepse u arrit të fitohej me "Partizanin" e Agim Fagut. Por historik edhe për faktin tjetër, se ky sukses do të përsëritej nga "17 Nëntori", pas 27 vjetësh!

"Partizani", është emri dhe hija e keqe që nuk u nda për ta, në gjithë këto vite. Janë vite që Bujar Shehu edhe sot i rrëfen me jo pak duf e dëshpërim. Nuk mohon vlerat e këtij ekipi legjendë, në përbërjen e të cilit ishin yjet e basketbollit shqiptar, por nuk harron dhe padrejtësitë që i janë bërë ekipit të tij, bardhëeblu.

Politika i privoi ata nga shijimi dhe gëzimi i fryteve të djersës së derdhur. Një "Partizan" që me çdo kusht duhej të ishte vetëm fitues. Ndërhyrjet dhe prezenca e gjeneralëve ishte e prekshme dhe e dallueshme nga të gjithë. Kujt i shkonte ndër mend të synonte fitoren me ekipin e ushtrisë, duhej të matej mirë. Diku do të ngjallte zëmërim, madje dhe hakmarrje...

Dhe tani Bujar Shehu kur shumë mirë mund të rendiste triumfet, tregon dështimet e imponuara. Kujton atë finish të sezonit 1976-1977. Një takim i barabartë dhe me mundësi për t'u fituar nga bardheblutë, të cilët disa herë gjatë lojës shkëputeshin jo vetëm me nivel por dhe me pikë. Kur të gjithë ishin të sigurtë në fitoren e kampionatit, në fushë nis "lojën" dyshja e gjyqtarëve fierakë. Duke kryer veprime skandaloze në kundërshtim me rregulloren, filluan të japin faulle të kota për të nxjerrë nga fusha lojtarët më cilësorë të "17 Nëntorit". Madje nuk munguan "arsyet" që të largonin nga stoli i drejtimit edhe vetë trainerin Shehu. Kështu "Partizani" fitoi edhe këtë radhë... Por ai gjykim ishte më i shëmtuar se sa ishte porositur. Ndaj si për të retushuar atë njollë që aq shumë kishte rënë në sy edhe te sportdashësit, Federata vendosi që takimi të përsëritej. Takimi se fituesi ishte përcaktuar që do të ishte po "Partizani". Edhe ajo dëshirë e madhe e trainerit, për të mundur të kuqtë nuk u kalua lehtë dhe pa "heqje veshi". Në ato ditë, atij iu komunikua vendimi që për një vit, nuk duhej të drejtonte ekipin kombëtar (?!).

Por "Partizani" ishte i përkëdhelur dhe i priveligjuar edhe jashtë fushës së lojës. Në vitin 1978, Federata e Basketbollit bën sqarimin se, Shqipëria do të marrë pjesë vetëm në ndeshjet e Kupës së Kupave dhe jo atë të kampionëve. Mbaroi sezoni dhe si përherë "Partizani" u shpall kampion, ndërsa "17 Nëntori" fitoi Kupën e Republikës. Duke iu referuar njoftimit të Federatës, bardheblutë gëzohen si të kishin fituar kampionatin. Por më kot! Nuk vonoi komunikimi tjetër se në këtë kompeticion europian, Shqipëria do të përfaqësohej nga "Partizani" (!?).

Si për të na shkëputur nga gjithë ky bashkëbisedim dëshpërues, mjeshtri Shehu e mbyll kapitullin e "Luftës së Ftohtë" me "Partizani" dhe kujton ngjarje dhe suksese të tjera që kanë zënë vend të artë në historinë e basketbollit shqiptar. Kujton një humbje që e ka shijuar më shumë se fitore. Është fjala për Kampionatin Ballkanik të Basketbollit, me pjesëmarrjen e Jugosllavisë, Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Shqipërisë, që u zhvillua në Tiranë në vitin 1965. Nuk është se kishte ndonjë nivel të lartë basketbolli ynë i asaj kohe. Por vetë ky aktivitet u vlerësua më shumë se sportiv. Situata politike dhe sistemet e kundërta të shteteve ballkanike e ndezën së tepërmi atmosferën përgatitore. Si asnjëherë tjetër grumbullimi i ekipit filloi 5 muaj para. U thirrën edhe specialistë të shquar nga Kina motër, për të bërë të pamundurën që ekipi ynë të paraqitej sa më dinjitoz. U përmbys gjithçka në metodikën e stërvitjes, duke realizuar për herë të parë stërvitje deri tre herë në ditë. U punua shumë dhe në aspektin psikologjik për të ndryshuar mentalitetin humbës që sundonte te ekipi ynë. Nën drejtimin e kinezit Shao dhe Feti Borovës, stërviteshin ata që nuk do harroheshin kurrë, Vaso Shaka, Kujtim Kasmi, Bujar Shehu, Renato Radoja, Bardhyl Angjeli, Filip Guraziu, Agim Fagu... Sa i shumë pritur ky takim! Mbi 3000 sportdashës mundën të hynin në Pallatin e Sportit. Për asnjë sekondë nuk mundi të ulej kush në karrike. Të gjithë në këmbë, pa pushuar në thirrjet rrënqethëse, duke u dhënë shpirt e zemër pesë heronjve në atë përballje me më të fortët e kontinentit. Më shumë se 3000 të tjerë që mbetën jashtë Pallatit, shpërthenin pas jehonës së gëzimi të çdo koshi të shënuar nga ekipi ynë. 64 me 60 përfundoi takimi për ekipin jugosllav. Humbje që u shijua për fitore. Hera e parë që ekipi ynë ndërpreu traditën e shëmtuar të humbjeve me mbi 30 pikë diferencë. Fakti që kjo kthesë u shënua pas takimit me ekipin jugosllav bindte dhe shprehte shumë. Këtë takim, gazetat sportive të vendeve fqinje, e përcollën me titujt sensacionalë: "Shqipëria konkurent serioz në basketbollin ballkanik". Si për ironi të kësaj jehone, me urdhër të politikës së kohës, ekipi ynë i basketbollit nuk mori pjesë në asnjë veprimtari ballkanike që u organizuan në vitet e ardhshme...


Nuk i kishte shkuar ndërmend se po aq i adhuruar dhe i respektuar do të ishte Bujar Shehu edhe për sportdashësit kosovarë. Me nivelin e basketbollit të tyre ishte njohur në vitin 1980 kur një ekip i vajzave të Universitetit të Prishtinës dhe ai i meshkujve të Gjakovës, ishin lejuar për një turne disa ditor në Shqipëri. Niveli cilësor i femrave qëndronte më lart, krahasuar me basketbollistet tona. E kundërta ishte me meshkujt, sipas mjeshtrit Shehu, kontakti tjetër ishte akoma edhe më emocionues. Pas Luftës, më 28 nëntor 1999 ekipi ynë përfaqësues i meshkujve ftohet në Prishtinë për një takim simbolik ditën e Flamurit. Vëllazërisht përfundoi ai takim edhe pse peshorja e nivelit cilësor, tashmë kishte kaluar në anën tjetër. Por, Bujar Shehu njihej jo pak edhe në këtë trevë shqiptare për sukseset dhe aftësitë e tij. Shansi që krijoi ky takim u shfrytëzua nga Presidenti i Klubit të Prishtinës, Ismet Rexhepi. E fton Bujarin për një kafe, duke i shprehur dëshirën që ai të drejtojë ekipin kryeqytetas me ambicje të mëdha. U tundua nga kjo surprizë e këndshme Bujar Shehu, por përgjigjen ia la kohës ... Pas një viti në të njëjtën ditë simbolike, ku u zhvillua takimi i radhës miqësor mes dy përfaqësueseve, ju përsërit e njëjta ftesë nga Presidenti i "Prishtinës". Oferta e jashtëzakonshme, kushtet mjaft të mira dhe fakti se për herë të parë, do të punonte vërtetë si profesionist, me lojtarë profesionistë, e detyroi të firmoste. Jehonë e gjerë iu bë në shtypin kosovar Bujar Shehut, duke e quajtur si dallëndyshen e parë të pranverës së basketbollit kosovar... Filloi kështu një epokë tjetër e re, po aq dinjitoze për këtë trainer të shquar. Në vitin 2001, në krye të "Prishtinës", më 2002-2004 me "Dukagjinin" e Pejës dhe më 2005 me "Dritën" e Gjilanit. Atë që ata nuk e kishin bërë me vite, Bujari e arriti në muaj. Edhe pse nuk ishte pjesë e federatës së basketbollit kosovar, ai konsiderohej dhe vlerësohej si të ishte drejtues për idetë dhe ndihmesën e vyer që po shpaloste me shumë sukses. Jo vetëm i dëshiruar dhe i çmuar si trainer, por bashkëpunëtor në krijimin e ekipeve të moshave, përdorimin e metodave bashkëkohore të stërvitjes, si dhe drejtimin e organizimin e seminareve për përgatitjen e kuadrit të ri sportiv. E dëshmon këtë edhe vlerësimi me atë çertifikatë mirënjohje, si një ndër 10 specialistët më të shquar për rritjen dhe zhvillimin e basketbollit kosovar. Jo pak bëri edhe në afrimin e talenteve nga Shqipëria. Duke qenë se kushtet ishin shumë herë më të mira dhe cilësia i shkonte basketbollit të të njëjtit komb, krijoi lehtësira që të luanin në ekipe të ndryshme të Kosovës: Aleksandër Damo, Bledar Gjeçaj, Sokol Jahollari, Sokol Kasmi, Dritan Mema, Erkan Karaj, Renaldo Kacori etj. Jo i paktë ishte edhe numri i lojtarëve cilësorë të ardhur nga Amerika, Kroacia, Maqedonia... Çka dëshmon se ky sport është shumë i dashur dhe i zhvilluar në Kosovë. Por koha dëshmoi edhe tjetrën që, Bujar Shehu jo vetëm rezistoi, por edhe rivalizoi. Gati të gjithë trainerët dhanë dorëheqjen apo u zëvendësuan për shkak të nivelit të përgatitjes dhe rezultateve të dobëta që realizuan në ekipet e tyre. U kuptua dhe u vlerësua se profesionizmi i Bujar Shehut ishte i pa konkurrueshëm. Të gjitha këto e bënë atë nga njerëzit më të shquar në Kosovë. Dikush, jo thjesht për humor, thoshte se populli më shumë njeh atë se sa kryeadministratorin e Kosovës. Dëshmitar kryesor për këtë popullaritet që gëzoi është po vetë ai. Ngado përshëndetej e respektohej. Ftohej në festa lokale dhe familjare. Ishte bërë i dashur gati për të gjitha tifozeritë. Përshëndetej nxehtësisht nga plisat e Prishtinës, torcidët e Trepçes, shqiponjat e Pejës, apo intelektualët e Gjilanit... Edhe pse tifozeria ishte shumë e zjarrtë dhe shpesh herë e papërmbajtur, ai kudo që ka shkuar është mirëpritur si të ishte trainer i ekipit të tyre. Kështu i ndodhi edhe atë ditë, kur iku për të parë në Gjilan takimin midis Pejës dhe Prishtinës. Sapo hyri në Pallatin e Sportit me mbi 4000 sportdashës, të gjithë u çuan më këmbë dhe oshëtin fuqishëm për të. Por edhe në një rast tjetër, këtë radhë në Prishtinë. Përsëri kishte shkuar për të ndjekur një takim mes Mabeteksit dhe Pejës. Mesa duket nuk ishte vënë re kur kishte hyrë. Në pushim të pjesës së parë, sa e kishte parë një tifoz që prapa tij ishte ulur ai, kishte shpërthyer në përplasje duarsh, duke ndezur dhe bashkuar të gjithë sallën në thirrjet kor: "Bujar Shehu, Bujar Shehu...". Ndaj punoi me aq dëshirë dhe pasion si të ishte në Shqipëri, pasi e tillë ishte mikpritja, vlerësimi, respekti e mbi të gjitha, tifozeria. Në Kosovë kujtoi dhe ndjeu ato emocione që ia kishte falur dikur tifozeria tiranase...


IVONA... pasuria e vetme që përfitoi nga basketbolli

Aty nga fillimi i viteve '70, fundjava i ngjante e largët si të ishte fundmuaji... Mezi priste të luante në Pallatin e Sportit. Arsyeja e këtij padurimi ishte se mes tifozerisë dhe sportdashësve adhurues, kishte vënë re se kohët e fundit më e zjarrta në brohoritje ishte...një vajzë simpatike. Kur të tjerët duartrokisnin një kundërsulm apo një kosh të bukur të Bujarit, ajo ishte pak më e avancuar në emocione. Bërtiste "Bravo", "Bravo" dhe shpesh herë çohej më këmbë... Bujari, tashmë nuk mendonte vetëm për fitoren e ekipit, por edhe si të binte më shumë në sytë e asaj simpatikeje. Një ditë, pas një ndeshje, ai nuk bëri dush si nga herë, por rrëmben shpejt e shpejt çantën dhe pozicionohet përbri shkallëve nga ku zbrisnin sportdashësit e shumtë. Ndal adhuruesen e vet dhe i shpreh atë ndjesi që i kishte dyfishuar emocionet e ndeshjeve. Ivona... ishte e mira e radhës që përfitonte nga basketbolli. Në vazhdim ajo, nuk linte ndeshje pa parë. Madje e shoqëroi bashkëshortin shumë herë edhe kur ai takimin e javës e kishte në Durrës, Elbasan apo Korçë. Justifikoheshin me pasionin për basketbollin, kur më shumë ishte dashuria ajo që nuk i linte të veçoheshin. Dihet që sporti, në asnjë rast nuk të lë pa u prekur nga emocionet. Ose të fal gëzim ose të jep dëshpërim. Ndjesi këto që nuk i përkisnin vetëm fund javës. Në rrethin familjar dhe atë të ngushtë shoqëror, i vetmi diskutim dhe shqetësim ishte ndeshja e radhës. Aq sa më vonë, Ivona, nuk mund t'i ndiqte ndeshjet direkt në fushë apo në ekranin e televizorit. Mbase edhe vajzat e vogla e detyruan që të "ftohej" me basketbollin... Gjithësesi, gjithë ankth priste Bujarin, për të mësuar se kush ishte rezultati. Ndërkohë edhe të bijat ishin një plus më shumë në përballimin e emocioneve. Kujton shumë raste Bujari, kur dy vajzat e tij, Sonila dhe Juna, i luteshin me përkëdheli, duke e pushtuar që të mos mërzitej, por të loste dhe të qeshte me to... Tani që ato janë të rritura në rregullsi ndjekin tjetër rritual. Çdo fund jave, Sonila e telefonon nga Amerika dhe Juna nga Italia, për të mësuar si ka dalë ekipi i babait të tyre. Një familje e shpërndarë pa dëshirën e tyre, por është edhe basketbolli që i mban pranë njëri-tjetrit, si dikur. Ndaj, Bujari i bën pjesë të suksesit pjesëtarët e familjes së tij. Mësuese e gjuhës në Lice ka qenë Ivona, por si ndihmës trainere e ka ndjerë Bujari bashkëshorten e tij, për qetësinë dhe mbështetjen shpirtërore që i ka falur. Edhe mungesa e djalit nuk është ndjerë shumë tek këta dy prindër të gëzuar. Mbarësia dhe ecuria e dy vajzave të tyre, ka bërë që në asnjë çast të mos ndjejnë shqetësim dhe boshllëk. Sonila, vajza e madhe ka mbaruar Akademinë e Arteve në degën e pikturës dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për Gjermanisht. Fati dhe mbarësia nuk ju nda edhe në gjetjen e bashkëshortit. Rruga e njëjtë që përshkonin, ajo për të shkuar në Akademinë e Arteve dhe ai për në selinë e OSBE-së bënë që njihen dhe të lidhen për të bërë bashkë udhën e jetës... Xhoni një nënshtetas amerikan, tashmë është bërë një dhëndër i denjë shqiptar. Edhe pse misionin e tij, ai tashmë e vazhdon në Maqedoni, shpesh herë vjen edhe në Shqipëri. Jo vetëm për njerëzit e gruas, por edhe për të takuar miqtë e tij të shumtë që njohu këtu në ato vite. Ndërkohë, prindërit e Sonilës prej tetë vjetësh janë ëmbëlsuar nga mjalti i mjaltit. Lumturojnë e gëzojnë edhe më shumë që nipi i tyre, Niku, gjuhë të parë dhe shumë të dashur, ka shqipen. Të paktën tani për tani...

Pak më afër se Sonila, kanë vajzën e dytë. Ajo jeton në Bolonjë. Ka mbaruar juridikun dhe tani punon në një studio private. Thamë më afër, kur për të atin, ajo ka qenë në "fund të botës". Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ende Bujari nuk ka mundur të shkojë një herë te vajza e vet. Arsyeja nga më paradoksalet. Nuk ka arritur të nxjerrë dot vizë për në Itali (!?) Edhe në ato vite kur nga Shqipëria nuk dilte dot as zogu, Bujari ka ikur në Itali me sportin, mbi dhjetë herë...

- 7 shkurt 1939. Ka lindur në qytetin e Tiranës.

- Trainer i Tiranës nga viti 1966 deri në vitin 2002.

- Kampion Kombëtar:

1961, 1962, 1963, 1965, 1970-'71, 1998-'99, 2000-'01, 2001-'02

-Fitues i Kupës së Republikës:

1961, 1962, 1963, 1969, 1971,

1973, 1977, 1988, 2000, 2001

-Fitues i dy Spartakiadave Kombëtare: të II-të në vitin 1969 dhe të VI-të në vitin 1989

-Trainer i ekipit kombëtar nga 1975-2003

Disa nga takimet me ekipin përfaqësues:

-1975, në eleminatoret e kampionatit Europian, Gjemani

-1978, me ekipin përfaqësues të Greqisë

-1985, në eliminatoret për Kampionatin Botëror

-1989, në eleminatoret e Kampionatit Europian, Gjemani

-1990, në Kampionatin Ballkanik, Shkup, Maqedoni

-1991, në Lojërat Mesdhetare në Selanik

-1992, në eleminatoret për Olimpiadë, Granadë, Spanjë

-1993, në eleminatoret e Kampionatit Europian, Hungari

-1995, në eleminatoret e Kampionatit Europian, Maqedoni

-1996, në eleminatoret e Kampionatit Europian, Islandë

-1997, në Lojërat Mesdhetare, Itali,

-1962, Mjeshtër Sporti

-1971, Mjeshtër i Merituar Sporti

-1974, Trainer i Merituar
(marre nga gazeta Rilindja Demokratike )



_________________
Oh Tirona, perpara cuna
bertiste Moli, nga tribuna
Jo në linjë
 Profili  
 
Trego postimet nga i fundit:  Rendit për nga  
 Faqe 1 prej 1 [ 1 postim ] 

Të gjitha oraret janë UTC + 1 orë [ DST ]


Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar të regjistruar dhe 1 vizitor


Nuk mund të hapni tema të reja
Nuk mund të postoni përgjigje
Nuk mund të modifikoni postimet tuaja
Nuk mund të fshini postimet tuaja
Nuk mund të bashkëngjisni skedarë

Kërko për:
Kalo tek:  

cron