Switch to full style
Artikuj, komente, kujtime mbi historine e lavdishme 90 vjecare te klubit numer 1 ne Shqiperi
Dërgo një përgjigje

METUALI EL SAYED

e hënë 28/07/2008 20:27

El Sajed: "Luftë" Dinamos dhe Partizanit!

Presidenti takon futbollistët një ditë para derbit dhe shpall haptas synimet ndaj dy kryeqytetasve

Aurel CELIBASHI

Ka qenë ora 13:30, kur presidenti i Tiranës, Metuali El Sajed, ka zbritur nga benzi i tij i zi përpara stadiumit "Selman Stërmasi", ku lojtarët bardheblu kishin gjysmë ore që kishin përfunduar stërvitjen e tyre të fundit para derbit. Arsyeja e ardhjes së egjiptianit kishte të bënte me një analizë të detajuar, të cilin njëshi i klubit kampion në fuqi e kishte merak ta realizonte një ditë para derbit me Dinamon. Faktikisht ashtu ka ndodhur dhe të gjithë futbollistët, së bashku me trajnerët Josa-Zengla-Tafaj, janë grumbulluar në zyrën e sekretarit Shkëlqim Muça.

Analiza fillon me anët pozitive dhe negative
Sapo është ulur në karrige dhe kur të gjithë e kishin rrethuar, presidenti El Sajed nuk e harron zakonin e tij, kur i është falur zotit dhe i ka bekuar të tijtë. Më pas, egjiptiani ka nisur të analizojë atë se çfarë Tirana e tij e zemrës ka dhënë në këtë gjysmë sezoni. Sipas egjiptianit, skuadra ka pasur oshilacione, kur fillimisht e nisi mirë kampionatin me fitore tenistike gjatë kohës që skuadrën e drejtonte Sulejman Mema dhe më pas arriti deri në atë gjendje, sa në katër javët e fundit të fazës së parë të vuante, duke lëshuar kryesimin dhe duke "humbur" Memën. Ardhja në krye e Mirel Josës më pas, për presidentin solli dhe ndryshimin e mentalitetit të lojtarëve dhe rimarrjen e kreut të klasifikimit.

"Sulejman Mema mbetet i respektuar"
Për presidentin bardheblu, ish-trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, mbetet një figurë e respektueshme, pavarësisht se ky i fundit tanimë drejton rivalin e përjetshëm të Tiranës, Partizanin. "Siç jemi të gjithë në dijeni, Mema e dha vetë dorëheqjen nga skuadra dhe nuk ishim ne që e përzumë. Asokohe unë ndodhesha në Egjipt dhe më njoftuan vetëm me telefon. Kështu që kur mbërrita në kryeqytet, fola me të dhe më pas u detyrova ta pranoja kërkesën e tij. Megjithatë, për klubin "Tirana", Sulejman Mema mbetet një njeri i respektuar për kontributin që ka dhënë për fanellën bardheblu si lojtar, por edhe si trajner. Sa për vajtjen e tij te Partizani, nëse e mbajmë veten si profesionistë, kurrsesi nuk duhet ta paragjykojmë."

"E dua Shqipërinë më shumë se shqiptarët"
Duke folur për skuadrën e Tiranës, egjiptiani ka theksuar që askush nuk ka të drejtë të nëpërkëmbë emrin e këtij klubit të madh. Ai shprehet se do të "godasë" ashtu siç mund ta meritojë ai që "fut hundët" në punët e skuadrës, duke qenë se ka një dashuri ta pashtershme, jo vetëm për Tiranën si skuadër, por edhe për Shqipërinë. "Nuk do të lejoj askënd që të ndërhyjë në punën dhe planet e skuadrës së Tiranës. Unë, edhe pse nuk jam shqiptar, e dua Shqipërinë më shumë se shqiptarët dhe do të bëj çmos që këtë klub ta drejtoj në majat e futbollit shqiptar dhe atë evropian. Për këtë ekip, në këto katër vjet kam sakrifikuar më shumë se çdo njeri tjetër, për të vetmen arsye sepse e dua këtë klub."

"Kush flet keq për Tiranën, ka punë me babën"
I informuar nga njerëzit e tij më të afërt, se nga drejtuesit e klubit "Partizani" ditët e fundit ka pasur deklarata ngacmuese në media në drejtim të lojtarëve të Tiranës (ishte presidenti Xhani, i cili te TV ALSAT pati deklaruar se do të blej të gjithë lojtarët dhe stafin bardheblu, me përjashtim të presidentit që e ka koleg), Metuali El Sajed egërsisht i është përgjigjur: "Me sa më kanë informuar kohët e fundit, drejtuesit e Partizanit kanë bërë deklarata për shtyp se gjoja do të blejnë çdo lojtar të Tiranës. Me këtë rast, dua t'u kundërpërgjigjem, se secili duhet të mbajë rolin që i takon dhe të mos krijoj panik në skuadrën time, se ndryshe do të ketë punë me babën. Asnjë prej futbollistëve të Tiranës nuk shitet dhe nuk blihet, sepse janë të gjithë janë burra të vërtetë dhe kanë gjak Tirane, duke e dashur fanellën që mbajnë mbi shpatulla. Nuk do të lejoj asnjeri të largohet nga ekipi, për sa kohë të jem president. Për këtë të jeni të sigurt."

"Ne jemi profesionistë dhe jo lypësa"
Sipas El Sajedit, të gjithë lojtarët e Tiranës janë njerëzit më të sinqertë dhe të ndershëm dhe këtë duhet ta tregojnë në këtë sezon. "Të gjithë në skuadër jemi një familje dhe dua t'ju falënderoj të gjithëve për kontributin që jepni, sepse jeni heronj. Qëllimi ynë i vetëm është ta ngremë sa më lart klubin dhe t'u tregojmë të tjerëve se kush jemi. Ndërkohë, për sa u takon fjalëve të njerëzve me qëllime dashakeqe, unë do të mjaftohesha me shprehjen e vjetër, "qentë le të lehin, karvani të ecë përpara". Ne jemi profesionistë dhe jo lypës, që do të thotë se do të punojmë akoma më mirë nga ç'kemi bërë deri tani, pa i marrë për bazë diskutimet boshe të atyre që kemi pas."

Egjiptiani këshillon...
Sikur të mos mjaftonin këshillat që trajneri Josa u kishte dhënë lojtarëve në stërvitje, dje presidenti El Sajed, nga ana e vet, si një njohës i vjetër i lojës së futbollit, u deklaroi futbollistëve: "Këshilla ime për lojën do të ishte që ta godisni portën nga çdo pozicion, pasi jam i sigurt që, në katër gjuajtje, njëra do të jetë gol."

Presidenti "prek" në sedër sulmuesit
Analiza e presidentit El Sajed arriti deri aty, sa ai të fliste një për një me katër sulmuesit e Tiranës, Fortuzin, Xhafën, Halilin dhe Merkoçin, duke u kërkuar atyre sa më shumë gola. "Më vjen çudi sesi në ndeshjet e fundit nuk keni shënuar ju, sulmuesit, por një gjë të tillë e kanë bërë mesfushorët, si Muka, Bulku dhe Lici. Ju jeni katër sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar dhe unë i pres golat prej jush, sepse jeni goleadorë klasi."

"Qan" edhe dy pikët e lëna ndaj Teutës
Dëshpërimi i egjiptianit ka qenë i madh për barazimin e fundit të Tiranës ndaj Teutës, sa që deklaron: "Nuk e mora vesh se çfarë ndodhi me ju ndaj durrsakëve, me aq sa pashë dhe mora vesh. Teuta ishte në nivel të dobët karshi nesh dhe ju nuk mundët dot të rrëmbenit fitoren dhe lëshuat dy pikë të çmuara në rrugën drejt titullit kampion. Gjynah! Gjynah! Gjynah!"

Nuk harron të lyejë "rrotën" para derbit
Edhe pse i mërzitur për dy pikët e lëna në Durrës, presidenti bardheblu nuk ka harruar të firmosë listën e lojtarëve që do të përfitojnë shpërblimin prej 30 mijë lekësh të reja për fitoren 1-0 ndaj Partizanit. Ndërkohë, pas stërvitjes së djeshme, kampionët në fuqi kanë marrë edhe rrogat e prapambetura që klubi u detyrohej. Secili prej lojtarëve dhe stafi ka mbushur xhepat me një shumë prej afro 90 mijë lekësh të reja.

"Ndaj Dinamos dua 11 luanë"
Në fund të deklarimit të tij të gjatë, njëshi bardheblu ka folur edhe për derbin e sotëm me Dinamon, ku u ka kërkuar lojtarëve të tij vetëm fitore. "Ndaj Dinamos dua që në fushë të shoh 11 luanë dhe që nga minuta e parë deri te e fundit dhe t'i luftoni dinamovitët me çdo mënyrë. Kërkoj gjithashtu që të dëgjoni këshillat e trajnerit dhe sot të nxirrni në pah shpirtin luftarak tiranas. Te secili prej jush kam shumë besim dhe jam i bindur se keni për të nxjerrë një ndeshje të madhe, që të më nderoni mua dhe tifozët që do të mbushin shkallët e stadiumit."

Blic kampionësh: Port-Said ose Kairo, vendi i fazës përgatitore
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t'u zhvilluar nga mbyllja e fazës së dytë të kampionatit, drejtuesit bardheblu po mendojnë si gjithmonë se ku do ta kryejë Tirana fazën përgatitore dimërore. Duket se edhe këtë vit kampionët në fuqi nuk do ta prishin zakonin e tyre të stërvitjes në vendin e piramidave. Është pikërisht presidenti Metuali El Sajed, i cili dje, me "ok"-in e sekretarit të klubit, Shkëlqim Muça, deklaroi se faza përgatitore do të kryhet në Port-Said ose Kairo. Sipas drejtuesve, këto dy qytete i kanë të gjitha kushtet që futbollistët të zhvillojnë një fazë përgatitore moderne, sepse edhe kushtet klimaterike janë stimuluese. Për sa i takon datës se kur do të nisen, çdo gjë do të zbardhet pas festave të fundvitit.

Bardheblutë në stërvitjen e fundit para derbit
Tirana, dje paradite ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në pragderbin e sotëm në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" ndaj bluve. Në orën 11:00, i gjithë stafi dhe lojtarët kryen një stërvitje të lehtë të karakterit taktik. Josa u dha djemve detyrat e fundit, megjithëse nuk e përcaktoi 11-shin. Ndërkohë, dje pasdite, në orën 18:00, bardheblutë udhëtuan në drejtim të Durrësit, ku kaluan natën në hotelin "Tirana Park". Sot, dy orë përpara fillimit të takimit, bardheblutë do të "zbarkojnë" në stadium.
Dërgo një përgjigje